Prishtinë, Enver Sopjani kërcënon me “prerje koke” gazetarin e “Kohës Ditore”

Profesori i Universitetit të Prizrenit, Enver Sopjani, ka kërcënuar të enjten gazetarin e “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi “me prerje koke”. Ish-ushtruesi i rektorit të UPZ-së, Enver Sopjani, vëllai i rreshterit policor Naser Sopiani, i arrestuar më 21 nëntor, si i dyshuar për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit së bashku me avokatin Bedri Krasniqi, këtë veprim e ka bërë për shkak të raportimit të gazetarit për arrestimin e vëllait të tij dhe gjykimin e tij në një rast tjetër si i akuzuar për rrahjen e një qytetari.

Pavarësisht se gazetari e ka udhëzuar se për çdo pakënaqësi t’i drejtohet gjykatës, ai ka thënë se do ta ndjekë deri në fund, duke e sharë e kërcënuar me jetë. 

“Kam me ta pre kryet me zhiletë”, ka kërcënuar ai në restorantin “Rings” në Prishtinë. “Ju jeni kundër atyne që kanë luftu për këtë vend e ti e ke ik b… nuk ke ndejt këtu. Ai ta ka çliru vendin e tash me shkru e me shpif”, ka vazhduar ai duke e sharë e fyer.

Gazetari ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës të enjten si kanosje, si dhe ka njoftuar edhe prokurorin e EULEX-it, i cili po udhëheq hetimet kundër vëllait të tij, rreshterit policor Naser Sopjani./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button