“Armëpushim” mes eko aktivistëve dhe institucioneve, Sharri zyrtarisht mund të shpallet “Park Nacional” deri në shtator

Presioni, protestat, kërkesat dhe zëri i qytetarëve për nevojën e shpalljes së malit Sharr si Park Kombëtar mesa duket tani ranë në veshin e kompetentëve. Qeveria e RMV-së më në fund pranoi propozimin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor për nevojën e shpalljes së Sharrit si zonë e mbrojtur. Nuredini për Portalb.mk tha se ky proces mund të zgjasë deri në shtator të këtij viti ndërsa aktivisti Arianit Xhaferi ritheksoi rëndësinë e këtij akti, shkruan Portalb.mk.

Në seancën e djeshme të Qeverisë së RMV-së malit Sharr ju dha një shtysë drejt dhënies së epitetit si zonë e mbrojtur apo Park Nacional, me propozim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor u votua iniciativa për shpalljen e këtij mali si zonë e mbrojtur.

Naser Nuredini.

Për ministrin Nuredini, ky është hapi i parë dhe kryesor i cili do ta përshpejtoje procedurën e shpalljes së malit Sharr si Park Kombëtar, ai për Portalb.mk tha se që nga marrja e detyrës si ministër, ky hap ka qenë një ndër prioritetet e tija.

“Për mua si Ministër i Mjedisit Jetësor, ka qenë një ndër prioritetet më të mëdha mbrojtja e natyrës dhe përshpejtimi i procesit të shpalljes së Malit Sharr park kombëtar. Duke marrë parasysh se është punuar shumë në këtë aspekt, jam shumë krenar që pas kryerjes së valorizimit nga ana e ekipit të ekspertëve edhe u pranua propozimi i ministrisë sonë nga ana e Qeverisë së MV-së për shpallje të malit Sharr për zonë të mbrojtur në kategorinë Park kombëtar dhe për shpalljen e maleve të Osogovës për zonë të mbrojtur të kategorisë V. Ky hap i Qeverisë dhe pranimi i propozimeve të Ministrisë sonë nënkupton njohje dhe përkushtim për mbrojtje të pasurive tona natyrore për të cilat publiku ekspert është angazhuar për më shumë se 20 vjet. Andaj, ky vendim është hapi i parë dhe më kryesor për t’i shpallur përfundimisht këto zona të mbrojtura” tha Ministri i mjedisit jetësor, Naser Nuredini.

Ndërsa për atë se kur do të përfundoje kjo procedurë, ministri tha që është planifikuar që i gjithë procesi pas miratimit të djeshëm nga ana e Qeverisë të zgjat deri në muajin shtator të këtij viti, duke marrë parasysh që do të organizohen debate publike dhe takime me palë të ndryshme të interesit me qëllim që të gjithë propozimet, sugjerimet, idetë dhe vërejtjet të merren parasysh. Dhe menjëherë pas kësaj, do të përpilohen propozime përfundimtare për shpalljen e Sharrit si Park Nacional dhe do t’i dërgohen Qeverisë për miratim.

E në frontin e parë të luftës kundër keqbërësve të malit Sharr për përfitime personale, ka qenë aktivisti nga organizata joqeveritare “Eco Guerilla”, Arianit Xhaferi.

Arianit Xhaferi
Arianit Xhaferi, “Eco Guerila”

Ai ritheksoi rëndësinë e shpalljes së Sharrit si zonë e mbrojtur si dhe potencoi që në këto momente duhet të përveshen krahët për përpilimin e një ligji të veçantë me anë të së cilit do të mundësoheshe një balans midis zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së vlerave të veçanta të Sharrit si dhe do të pa mundësoheshe ndërtimi i hidrocentraleve.

“Me shpalljen e Malit Sharr për park kombëtar do të mundësohet mbrojtja e pasurive natyrore, pyjeve, lumenjve, por edhe mbrojtja e botës së gjallë. Banorët që do të jetojnë në brendi të zonave të mbrojtura do të kenë mundësi për të zhvilluar turizmin malor por edhe të zhvillojnë bujqësinë e blegtorinë. Ajo që është me rëndësi në këtë moment është të mendohet hartimi i një ligji të veçantë me përfshirjen e ekspertëve mjedisorë por edhe banorëve të zonave me qëllim që të mundësohet një balans midis zhvillimit ekonomik të komunave dhe mbrojtjes së vlerave të veçanta që ka Parku Kombëtar “Mali Sharr”, dhe më e rëndësishmja, të pamundësohet ndërtimi i hidrocentraleve që shkatërrojnë lumenjtë dhe ekosistemin më të gjerë” tha Arianit Xhaferi për Portalb.mk.

“Lufta” e eko aktivistëve me hidro-mafian dhe institucionet kompetente

Shumë eko aktivist kanë kërkuar ndër vite shpalljen e malit Sharr si zonë të mbrojtur kurse refuzimin e kësaj të fundit nga ana e institucioneve kompetente sipas aktivistëve, ka qenë në mënyrë që të lehet hapësirë për ndërtimin e hidrocentraleve.

Mali Sharr, foto: Ramadan Abdiu.
Mali Sharr, foto: Ramadan Abdiu.

Jo më larg se në tetor të vitit të kaluar këta aktivistë vërejtën që në malin Sharr po preheshin drunj, Portalb.mk ishte në vendngjarje ku u dokumentua një numër i madh i drurëve të cilët ishin prerë kurse si arsyetim për këtë, sipas institucioneve ishte për shkak se drurët ishin të vjetër dhe prerja e tyre ishte e nevojshme.

Me këtë nuk u pajtuan aktivistët, sipas të cilëve, kishte informata të sigurta se me prerjen e drurëve dhe hapjen e trasave të reja po krijohet hapësira për ndërtimin e hidrocentraleve të reja në këtë vend me çrast ata organizuar një marsh protestues nga ku kërkuan shpalljen imediate të malit Sharr si Park Kombëtar në mënyrë që të mos lejohet shkatërrimi i të njëjtit.

Xhaferi nga “Eco Guerila” kishte akuza konkrete ndaj Qeverisë të RMV-së, i cili atëherë deklaroi haptas se duke mos u mbrojtur Sharri, krijohet hapësirë për shkatërrimin e tij ndërsa nga ndërtimi i hidrocentraleve të tilla në Malin Sharr do përfitojnë miliona euro një dorë prej 10 personash të cilët kanë lidhje të afërta me BDI, LSDM por dhe VMRO, kurse do dëmtohet një pjesë më e madhe e vendit, sidomos banorët e fshatrave të Malësisë së Sharrit, të cilët rrezikojnë dhe jetët e tyre. Është me rëndësi që banorët e fshatrave të Malësisë së Sharrit të reagojnë ndaj këtij kriminaliteti që grupe interesash të hidro-mafias po i bëjnë pronave të tyre, lumejve tona, maleve tona, tokave tona.

Sipas raportit të fundit të Komisionit rregullator për energjetikë për vitin 2018, deri në vitin e kaluar në vend janë ndërtuar 96 hidrocentrale të vogla.

Ndryshe, Mali Sharr është një nga pasuritë e rralla natyrore të cilat i posedon Maqedonia e Veriut, në të cilën ka gjithsej 37 liqene akullnajore, ku 25 janë nga ana e Maqedonisë kurse pjesa tjetër në anën e Kosovës. Rëndësi të madhe ka edhe biodiversiteti mbresëlënës ku ka rreth 200 lloje bimësh endemike, 167 lloje fluturash, 12 nga gjithsej 15 specie amfibe, 18 lloje zvarranikësh si dhe 130 lloje zogjsh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button