Çfarë të bëhet me 13 mijë denarë në muaj?

Në Maqedoni dita ditës bëhet sa më e vështirë të mbushet shporta familjare. Qytetarët thonë se harxhimet vazhdojnë të rriten mirëpo jo edhe të ardhurat. Dhe fundi i muajit është shumë i rëndë pohojnë ata.

“Në 15 ditët e para shkon mirë, ndërsa pjesën tjetër mezi ia dalim deri në fund. Hyjmë në borxh,huazojmë para, dhe kështu e kalojmë. Çmimet janë rritur, gjërat elementare janë shumë shtrenjtë, një rrogë e jona harxhohet vetëm në ushqim, e si t’ia bëjmë me rrymën elektrike ujin dhe faturat tjera? Çfarë mund të bëjmë me 13000 denarë në muaj”, tha Islam Ceka, banor i Shkupit që e takuam në Bit Pazar.

Për pensionistin Haxhi Rexha, përkrah pensionit dhe pagës së djalit me të cilin bashkëjeton, nuk i është lehtë familjes së tij menaxhimi i muajit me të ardhurat që kanë.

“Unë marr pension 150 euro, dhe kam djalin e punësuar si arsimtar. Gjatë stinës së verës ia dalim lehtë sepse fëmijët nuk janë në shkollë dhe ka më pak harxhime për shkak motit të mirë. Mirëpo tash në stinë të dimrit harxhimet janë më të mëdha, duhet të sigurohen dru për ngrohje, rryma shpenzohet tani më shumë se verës, të gjitha këto janë harxhime dhe me dy rroga në shtëpi nuk besoj se mund t’ia dalim. Ndërsa sa i përket çmimeve rryma është shtrenjtuar dhe kam dëgjuar në lajme se ende do shtrenjtohet.  Po ashtu edhe ushqimi i ka çmimet e larta, nuk di pse ndodh kjo”, tha ai.

Nga tregu i Shkupit “Bit Pazar” shitësit tregojnë për Portalb se viteve të fundit nuk ka shitje me përmasa sikur në vitet e kaluara, dhe kjo ndodh  ndoshta për shkak të çmimeve të rritura.

“Njerëzit nuk blejnë shumë sikur para disa viteve. Çmimet nga ne furnizohemi janë rritë dhe për këtë shkak jemi detyruar edhe ne ti risim çmimet. Ndoshta edhe ftohti ndikon mirëpo kryesorja është se nuk ka punë. Shpresojmë me ato para që i fitojmë t’i mbulojmë shpenzimet, nuk ka çfarë të presim më shumë”, tha njëri prej shitësve të tregut.

Të dhënat zyrtare nga Enti Statistikor tregojnë se paga minimale neto është 8050 denarë, ajo mesatarja për muajin shtator ka qenë 20 779 muaj në të cilin 2.2% të të punësuarve nuk kanë pranuar pagë aspak ndërsa papunësia është 31.2 %./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button