Një libër mbi krimet

Në librin “Regjimi serb dhe lufta revolucionare në Maqedoni” (1917), përshkruhen krimet e ushtrisë serbe të kryera ndërmjet viteve 1912 dhe 1915.

Autori i librit, Kiril Grigorov Përliçev, ishte djali i poetit Grigor Përliçev. Ai punoi si mësues, gazetar dhe drejtor i muzeut në Ohër  (1941 – 1944). Ka botuar shkrime edhe me pseudonimet K. Pandov dhe Naumov.

Në librin e sipërpërmendur ka disa lista me emrat e njerëzve të vrarë e të plagosur në Pesoçan, Dibër, Ohër, Strugë dhe rajonet tjera, por edhe fotografi njerëzish të masakruar.

Ndërmjet viteve 1912 dhe 1915 ushtria serbe vrau mijëra njerëz të pafajshëm. Një masakër e tmerrshme ndodhi në fshatin Pesoçan të Ohrit. Aty u masakruan 107 shqiptarë. Të mbijetuarit u shpërngulën në fshatrat e Strugës. Pesoçani në shekullin XIX ishte fshat në nahinë e Debërcës, në kazanë e Ohrit, i banuar vetëm me shqiptarë. Sipas një statistike të vitit 1873, Pesoçani kishte 30 familje me 82 banorë shqiptarë. Sipas statistikës së Kënçevit, ky fshat, në vitin 1900, kishte 360 shqiptarë.

Autori shkruan edhe për krimet serbe në Tetovë. Ai thotë se në fillim ushtarët serbë kishin vrarë 14 civilë në Tetovë, kurse më pas edhe 308 të tjerë, ose sipas komunave: 17 civilë i kishin vrarë në komunën e Bërvenicës; 10 në atë të Leshkës, 9 në Sellcë, 9 në Pallçisht të Poshtëm, 1 në Sedllarcë, 12 në Çiflik, 7 në Çellopek, 73 njerëz në Zhelinë dhe 170 në Sanakos.

“Në fshatin Pirok të Tetovës u vranë tetë banorë, por fshati shpëtoi pasi pagoi 300 lira; në fshatin Negotinë u dogjën 30 shtëpi dhe u vranë 12 banorë; në Llërcë u vranë rreth 80 burra në një vend ndërmjet Grupçinit dhe Zhelinës, i quajtur Zdravev Zabel; në Gradec u dogjën 50 shtëpi dhe u vranë 150 banorë”, thuhet në libër.

Në Gostivar fillimisht ishin arrestuar 40 njerëz, në mesin e tyre mësues e priftërinj. Serbët, më pas, e kishin bombarduar dhe djegur fshatin Zdunjë. Të ikurit nga terrori ishin zënë në pritë dhe ishin pushkatuar.

“Në disa vende u kryen vrasje masive. Në mesin e të vrarëve kishte nëna me bebe dhe fëmijë të mitur. Fshati Raven ishte bombarduar, kurse shumica e banorëve ishin vrarë. Vetëm në një kasaphanë të fshatit ishin vrarë 15 njerëz. Xhamia, hanet dhe shtëpitë e fshatit ishin rrënuar ose djegur. Turqit (shqiptarët – shënim yni) e mbetur gjallë, menjëherë pas bombardimeve ishin konvertuar nga prifti serb Vikenti, i ardhur nga Shkupi. Ai, bashkë me priftërinjtë tjerë, synonte krishterizimin e turqve. Në fshatin Vrutok kishte 20 të vrarë. Në fshatin Reçan u dogjën 400 shtëpi deri në themel dhe u vranë të gjithë burrat që ishin zënë si robër nga ana e serbëve. Fshatarët, që arritën të strehoheshin nëpër fshatrat përreth, sërish u arrestuan dhe të gjithë u vranë në vendin e quajtur Dutllëk”.

Në një shënim të gazetës “Radniçke novine”, organ i socialistëve, një pjesëmarrës në krim, shkruan: “Tmerr. Ka fshatra me nga 100, 150, 200 shtëpi ku nuk ka mbetur njeri i gjallë. I mbledhin nga 50 ose 60 njerëz në një vend dhe i vrasin një nga një me bajoneta”.

Edith Durhami, në një shkrim të botuar në revistën “Time”, më 27 nëntor të vitit 1913, thotë se serbët i kishin djegur gjashtë fshatra në Gostivar dhe trembëdhjetë fshatra në Rekë. Aty kishin vrarë shumë gra dhe fëmijë. Ushtarët serbë, që refuzuan të vrisnin gra dhe fëmijë, u detyruan prej eprorëve të kryenin krime. (Dr. J. Gheorgoff , “Les Serbes en Macédoine”, në revistën franceze “La Vie”, 1914.)

Për krimet serbe në fshatrat e Gostivarit, Kiril Grigorov, shkruan: “Në fshatin Dobridoll ishin djegur 50 shtëpi dhe ishin vrarë 10 banorë; në Vrapçisht ishin djegur: një shtëpi, dy dyqane dhe ishte grabitur bagëtia; në Çegran shumëçka ishte shkatërruar me shpejtësi dhe ishin vrarë 20 njerëz; në Çajlë ishin vrarë shtatë njerëz dhe ishin hedhur në Vardar; e gjithë Kalishta (rreth 100 shtëpi) ishte djegur dhe shumica e njerëzve ishin vrarë”.

Si pasojë e terrorit të ushtrisë serbe, kishte “zhvendosje të madhe të shqiptarëve dhe bullgarëve”. Nga Tetova, Dibra e Struga, shumë “shqiptarë e bullgarë ishin shpërngulur në Shqipëri”. Nga Tetova ishin shpërngulur 30 veta, nga fshati Raotincë 15 veta, Çellopeku 50 veta, Sedllarca 59 veta, Zhellca 50 dhe Sellca 30 veta.

Në Dibër serbët kishin vrarë, siç thuhet, shumë bullgarë e shqiptarë dhe kishin djegur shumë fshatra.

“Gjatë tërheqjes nga sulmet serbe, shumë bullgarë shpëtuan duke ikur. Një grup nga Radovishani ikën në Shqipëri”.

Ky libër, që përmban fakte të dokumentuara për krimet e tmerrshme ndaj popullatës civile nëpër shumë qytete, me sa di, nuk është përmendur nga autorët tanë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button