Kush po na e përdhos gjuhën shqipe?

I keni parë broshurat që i botojnë kompani të ndryshme, reklamat nëpër rrugët e qytetit, mesazhet në aeroport që na dëshirojnë mirëseardhje dhe fluturim të këndshëm, apo edhe artikujt e ndryshëm ushqimorë dhe jo-ushqimorë në supermarketet e ndryshme në vendin tonë, për të cilat shqiptarët shpenzojnë të holla të konsiderueshme?

Nuk kam dyshim që po, i keni parë, ashtu siç po i shoh unë çdo ditë dhe ndalem e pyetem nëse është kjo shqipja standarde dhe se unë nuk e njoh mirë gjuhën time amtare, apo kemi të bëjmë këtu pikërisht me një përbuzje dhe nënçmim klasik të gjuhës tonë, e cila vetëm pak para disa ditësh shënoi përvjetorin e 104 të alfabetit të saj.

Me të vërtetë nuk e di. Do të kisha pasur dëshirë që të dalë dikush e të më thotë që unë paskam mbetur në histori dhe se shqipja “e mjerë” paska evoluuar deri në atë masë që mua të më vinte keq se nuk po eckam në hap me kohën!

Por, fatkeqësisht, kujtoj që kësaj radhe unë kam më se të drejtë. Në fakt, shqipja është po ajo e cila ka ë-në fundore që në veçanti e bën atë karakteristike, si p.sh. kur thua “Mirë se vini” (e jo mir se vini), “dhuratë më e mirë” (e jo dhurat me e mir) ose “fluturim të këndshëm” (e jo këndhshëm), etj. 

Më vjen shumë keq që megjithatë nuk mundem t’i ilustroj të gjithë shembujt e dhunimit të këtillë të gjuhës shqipe që po ndodhin në mega-kompanitë e ndryshme në Maqedoni, duke filluar nga lëmi i teknologjisë informatike, mediave, telekomunikacionit, e deri te industria ushqimore, ashtu si në shumë organizata tjera qofshin ato ndërkombëtare apo nacionale (private apo shtetërore), të cilat në fakt ekzistojnë dhe janë bile në kulm të lulëzimit të tyre, para së gjithash financiar, mu për shkak të shqiptarëve. Me siguri ankohen që nuk fitojnë edhe aq sa për të paguar një përkthyes – albanolog të mirëfilltë që do të merrej me këto çështje.
Sinqerisht më vjen shumë keq dhe ndjehem i nënçmuar kur mendoj që një pjesëtar i një nacionaliteti tjetër (apo ndonjë që proklamohet si shqiptar e që në damarë i rrjedh kushedi se çfarë gjaku) e që me siguri nuk mund t’i prodhojë si duhet tingujt melodikë të gjuhës shqipe për shkak të mungesës së të njëjtave në gjuhën e tij, të marrë guximin e të formulojë fjali dhe tekste të tëra në shqip dhe më në fund të njëjtat t’ua servojë shqiptarëve në stilin De Luxe!!!

Në një nga seritë e mëparshme të biletave të “Proleterit” (në pjesën e prapme të tyre) kishte një tekst të shkurtër ku në një formë ose në tjetër bëhej fjalë për rreziqet e trafikimit me njerëz dhe mënyrën e mbrojtjes nga ky lloj krimi i organizuar. Bravo! Por, po i këtij niveli rrezikshmërie ishte edhe përdorimi i shqipes së bastarduar në to – kini parasysh që këto bileta kanë rënë në duar të plot udhëtarëve. Por… mos zot më keq, na del një gjerman apo anglez që ka hulumtuar në lëmin e studimeve albanologjike e na bën për pesë pare!!! 
Por, odiseja e përdhosjes së gjuhës shqipe dhe e dhunimit të saj nuk mbaron me kaq.
Akoma më tragjikë janë rastet e ushtrimit të një aktiviteti të këtillë përdhunues të gjuhës nga vetë ne – shqiptarët. Fundja, dilni e shëtitni pak nëpër rrugët e qyteteve tona, por kësaj radhe mbani sytë më tepër kah reklamat gjigante të shndritshme të firmave të ndryshme shqiptare, që kushtojnë me mijëra euro, dhe… lexoni! Mjerim! (nuk dua të keqkuptohem meqë nuk i fus të gjithë në një thes), apo lexoni tekstet e shkurta me karakter informativ nëpër etiketat e artikujve ushqimorë (të prodhuesve shqiptarë), dhe do ta shihni si qëndron puna.
Duke mos dashur të bëhem banal, por edhe të nxjerr edhe shumë keqpërdorime të tjera (të qëllimshme ose jo) të gjuhës shqipe, po e përmbyll me kaq. Por, po e potencoj që është koha e fundit që dikush të fillojë të mendojë më tepër për këtë punë dhe të mundohemi disi t’ia gjejmë zgjidhjen. Nëse kjo s’bën, atëherë më mirë le të mos na e prekin gjuhën e ta ndotin, sepse ne megjithatë dimë të lexojmë dhe komunikojmë edhe në gjuhë të tjera më mirë se sa dikush në gjuhën tonë.

Në vazhdim keni një galeri fotosh ku shihet qartë përdhosja e gjuhës shqipe.

Kujtim Ramadani

(Ligjërues i gjuhës angleze në UEJL)

 

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Një shkrim shumë i qëlluar profesor ! Janë te rrallë ata që vërejnë keto gabime që shtrembërojnë gjuhën tonë -thesarin më të çmuar që duhet ta ruajmë me xhelozi…siç duket,tema debatimi në ditët e sotme janë zhveshja e kengëtareve dhe telenovelat turke e jo gabimet e tilla dhe gjërat që janë të lidhura ngushtë me arsimimin dhe përparimin tonë si komb ! Më kujtohet një poezi që e mësonim në shkollë fillore për 36 margaritarët e gjuhës sonë. Do kisha propozuar që të rititullohej dhe të quhej 34 margaritarë !!! Shkronjat Ç dhe Rr jane “specie” në zhdukje e sipër . Të mos flasim për shkronjën “ë” që përdoret ” vend e pa vend”. Ndoshta problemi qëndron te arsimtarët dhe te profesorët e gjuhës shqipe,ndoshta këto gabime i bëjnë ato që kanë shkuar në shkollë vetëm per 2-sha dhe 6-she ! Të mos flasim per palën tjetër që shfrytëzon çdo rast që i jepet për të na nënçmuar dhe për të na shtrembëruar gjuhën të cilën po e përdhosim dita-ditës. Shkrimet e tilla duhet të bëjnë bujë në rrjetet sociale,të shpërndahen,të debatohen…por jo,kërkoj ndjesë që kundërshtova vetveten… tema debatimi sot janë Kallashi Kobresha,Shkendije Mujaj e Enca Haxhia !

    “pa shihni ç’gjuh’ e mirë!
    Sa shije ka e hije,
    ç’e bukur’edh’e lirë,
    Si gjuhë perëndie. ” Naim Frashëri

Back to top button