Iseni: Qeveria duhet të fokusohet në plane afat mesme të luftës kundër recesionit ekonomik

(Intervistë ekskluzive me Drilon Iseni, Drejtor Ekzekutiv i OEMVP-së)

Nga Delvina Kërluku

Drilon Iseni, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, në intervistë për Portalb.mk thotë se bizneset, kërkesa për shërbime dhe produktet specifike të caktuara kanë rënë, në kohën e pandemisë. Kjo e rëndon edhe më tepër klimen e biznesit dhe aktivitetin ekonomik vendor. Shteti duhet të luaj rol të mbrojtësit të ekonomisë nëpërmjet përpilimit të masave konform nevojave esenciale të sektorit të biznesit. Duhet të kalkulohet mirë çdo vendim i marrë nga shteti. Çdo gjë duhet mirë të ekuilibrohet. Sipas tij, Bizneset mikro dhe të vogla anëtare të OEMVP-së kërkojnë lehtësime të masave të lëvizjes së lirë në proporcion me zhvillimin pozitiv të lakores së pandemisë. Dhe se Qeveria duhet të fokusohet në plane afat mesme të luftës kundër recesionit ekonomik, në ruajtjen e vendeve të punës, dhe se duhet të krijohet program ekonomik, për t’i bërë ballë krizës ekonomike, që shkakton pandemia.

Portalb: Asnjë indikator ekonomik s’duhet vënë para shëndetit. Por, kur është fjala për ruajtjen e shëndetit, njeriu duhet të furnizohet me produkte, dhe këtë e mundëson biznesi vendor. Si funksionojnë sot bizneset, për të mbajtur veten dhe për të furnizuar konsumatorin?

Iseni: OEMVP gjithnjë në radhë të parë ka interesin e përgjithshëm shoqëror, dhe këtë e kemi deklaruar në shumë raste, e sidomos në këtë periudhë pandemie. Është i pa kontestueshëm fakti që në shoqëritë demokratike kapitaliste biznesi dhe ekonomia kanë rol të pazëvendësueshëm për zhvillimin e shtetit dhe të mirëqenies shoqërore të vendit. Ekonomia bashkë me shtetin e së drejtës është lidhësja kryesore e zinxhirit shoqërorë, andaj në këtë kohë pandemie natyrisht se i duhet një vëmendje e veçantë me qëllim të evitohet kollapsi ekonomik e që si pasojë e saj, të rrënohet gjithçka. Padyshim se nga epidemia janë goditur bizneset dhe asnjë kategori nuk është përjashtuar nga ndikimi i saj, dhe shqetësimet tona janë me vend kur themi se duhet reaguar në mënyrë proaktive në mënyrë që të minimozohet e pse jo edhe te eliminohet çdo rrezik potencial që mund të paraqitet nga kjo situatë e krijuar. Nga kontakti jonë i vazhdueshëm dhe analizat të cilat i realizojmë mund të thuhet se numër i konsiderueshëm i bizneseve përballen me rënie të qarkullimit, abstenim të plotë të veprimtarisë dhe shumë sfida tjera, ndërsa kërkesa për shërbime dhe produkte specifike të caktuara ka rënë, kjo e rëndon edhe më tepër klimën e biznesit dhe aktivitetin ekonomik vendor.

Portalb: Bizneset vendore, viteve të fundit kanë ecur në një cikël jetësor me suksese dhe barriera. Kur kemi parasysh suksesin, a mund të mbijetojnë vetë bizneset në kohë të pandemisë, ku prodhimtaria ulet, konsumimi është i reduktuar?

Iseni: Nëse ka diçka pozitive nga gjithë kjo situatë, është fakti që shoqëria në përgjithësi është vetëdijesuar për rëndësinë e biznesit në vend, edhe pse qasja e shtetit ndaj biznesit ende nuk është ajo që duhet të jetë. Mirëpo e rëndësishme është të kuptohet se shteti dhe ekonomia janë simetrike njëra me tjetrën në proporcion të rëndësisë për njëra, tjetrën. Ne periudhë kur aktiviteti ekonomik shënon rënie si pasojë e faktorëve të paparashikueshëm si rasti i Covid 19, shteti duhet të luaj rol të mbrojtësit të ekonomisë nëpërmjet përpilimit të masave konform nevojave esenciale të sektorit të biznesit. Siç u tha edhe lartë, aktiviteti ekonomik ka shënuar rënie të konsiderueshme, ku sektori i Horeka-së është mbyllur tërësisht, dhe kjo padyshim se do ndikojë negativisht në çdo aspekt ekonomik të mundshëm, por vlerësojmë që duhet t’i paraprijmë fazës së ardhshme me programe konkrete për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe sektorëve të dëmtuar, ngase më së paku ka nevojë shteti ynë që përsëri ta kthejmë papunësinë në normë mbi 20%, të risim ekonominë informale dhe përsëri të stimulojmë ikjen e fuqisë punëtore. Andaj, çdo vendim dhe masë e ardhme duhet të ketë fokus të veçantë në kontekstin e asaj se çfarë do të bëhet pasi të fillon normalizimi me qëllim të rimëkëmbjes më të shpejtë të mundshme ekonomike, dhe nisjes së lakoreve pozitive rritëse.

Portalb: Zhvillimi i ekonomisë dhe ekzistenca e tij, varet nga vetë bizneset apo ka ndikim edhe mbështetja e shtetit, veçmas në këtë kohë?

Iseni: Është nga rëndësia thelbësore që shteti të involvohet në këtë periudhë turbulente për shoqërinë në përgjithësi. Vlerësojmë se zhvillimi ekonomisë si program dhe koncept në këtë periudhë paqartësie del nga plani dhe aktivizohen sistemet për mbrojtjen e ekonomisë nga kolapsi potencial. Jemi ekonomi që më tepër importojmë se sa eksportojmë, dhe kjo dëshmon qartë varësinë e ekonomisë tonë nga ekonomia ndërkombëtare, e cila poashtu është duke kaluar në një periudhë të vështirë nga arsyeja e njëjtë. Andaj, duhet të kalkulohet mirë çdo vendim i marrë nga shteti, për shkak se vlerësojmë se edhe ngufatja e tepërt në huamarrje do ishte problematike për vendin tonë për shkak se borxhi ynë është aset për huadhënësin tonë. Çdo gjë duhet mirë të ekuilibrohet në epiqendrën e nevojës së mbijetesës ekonomike.

Portalb: Çfarë kërkojnë bizneset sot, veçmas bizneset e vogla ku edhe u është ndaluar veprimtaria, për parandalimin e virusit Korona?

Iseni: Bizneset mikro dhe të vogla anëtare të OEMVP-së kërkojnë lehtësime të masave të lëvizjes së lirë në proporcion me zhvillimin pozitiv të lakores së pandemisë. Asnjëherë nuk kërkojnë që për hirë të veprimtarisë së tyre të rrezikojnë shëndetin e shoqërisë në përgjithësi. Mirëpo, shembull konkret është dekretligji për detyrimin e mbajtjes së maskave mbrojtëse, i cili parasheh që kompanitë të jenë përgjegjëse për mbajtjen apo mosmbajtjen e maskave të klientëve të tyre dhe se dënimet për mos përfillje të saj janë të majme dhe arrijnë shifrën deri në 2.000 euro. Të gjitha masat e llojit të tillë dëmtojnë rëndë biznesin dhe po ashtu destimulojnë të njëjtat në periudhë kur veprimtaria e tyre duhet të nxitet.

Portalb: Cilat janë rekomandimet e juaja, që qeveria do të duhet të merr masa për të mbajt bizneset në funksionim?

Iseni: Vlerësojmë që Qeveria duhet të fokusohet në plane afat mesme të luftës kundër recesionit ekonomik, kështu duke e rritur sasinë e mjeteve financiare të injektuara në luftën për mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e ekonomisë. Po ashtu pikë shumë e rëndësishme është ruajtja e vendeve të punës, dhe vlerësojmë se duhet të krijohet program ekonomik për mbrojtje të punëtorëve nëpërmjet krijimit të një fondi shtesë i krijuar enkas për këtë çështje. Përveç masave tjera të cilat kanë për qëllim të zbusin efektet negative të Covid 19, jemi thellësisht të bindur se duhet të përforcohen sektorët kyç të ekonomisë vendore dhe të atyre sektorëve të cilët edhe para pandemisë kanë pasur trend të rënies së rezultateve. Kjo është shumë e rëndësishme për shkak se vlerësojmë që bërthama ekonomike e vendit duhet të rruhet dhe mos të dëmtohet nëse duam t’a rifillojmë ekonominë nga një pikënisje me perspektivë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button