BE: Do të ndihmojmë që të zgjidhet kontesti mes Shkupit dhe Sofjes, por patjetër vetë të tentoni

Mospajtimet me Bullgarinë nuk do të jenë temë e diskutimit të samitit të nesërm të BE-së – Ballkani Perëndimor, por BE beson se do të bëjë gjithçka që të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes, njofton Portalb.mk.

Kjo, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve – MIA, u theksua nga një diplomat i lartë i BE-së, i cili është i përfshirë në përgatitjet e samitit të nesërm.

“Do të bëjmë gjithçka që mundemi që t’i lehtësojmë marrëdhëniet fqinjësore, gjithçka që ta fusim rajonin në Evropë, por një pjesë të punëve patjetër ta bëjë vetë rajoni, të tentojë ta zgjidh problemin vetë, gjithkund ka probleme fqinjësore, edhe në BE ka, marrëdhëniet e fuqishme dhe kontestet me fqinjët nuk janë asgjë e re apo e jashtëzakonshme”, ka theksuar diplomati.

Bullgaria sërish ka aktualizuar kontestin me Maqedoninë e Veriut, lidhur me identitetin, gjuhën maqedonase dhe të drejtat e pakicave.

Madje, siç është bërë e ditur, në mbledhjen e 25 marsit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Këshillit Evropian, kur u vendos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Sofja ka arritur të përfshijë edhe një dokument, përmes të cilit, veç tjerash i kërkon Shkupit “që të ndalojë çdo mbështetje për organizatat që deklarojnë veten pakicë maqedonase në Bullgari”.

Ajo gjithashtu kërkon që në të gjitha dokumentet e BE-së dhe kornizën e bisedimeve, gjuha maqedonase të përcaktohet si gjuha e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, ka deklaruar për mediat në Sofje se maqedonishtja është formuar në vitin 1945 nga një dialekt i gjuhës bullgare dhe gjuhës serbe. Ajo ka kërkuar që Shkupi të pranojë realitetin historik dhe të mos keqpërdor çështjet e ndjeshme mes dy vendeve për fushata zgjedhore.

Bullgarët gjithashtu kanë kontestuar në vazhdimësi edhe prejardhjen e Goce Dellçevit dhe të Kërste Misirkovit, dy personaliteteve të njohura që për maqedonasit konsiderohen si figura të rëndësishme të historisë maqedonase, njëjtë sikur që konsiderohen edhe për bullgarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button