Për ta pirë i ndaluar, për t’u shëruar i lejuar – tentime për dekriminalizim të kanabisit në RMV (infografik)

Përdorim rekreativ i kanabisit në RMV dënohet me ligj ndërsa vaji i të njëjtit mund të shfrytëzohet për qëllime mjekësore, edhe atë nga viti 2017. Çdo vit rritet sasia e kilogramëve të kanabisit që sekuestrohen nga policia e RMV-së. Për atë se si trajtohet kjo lloj droge në shtetin tonë folëm me avokatin Janaki Mitrovski ndërsa për luftën drejt legalizimit të kanabisit me aktivisten Monika Konopova, e cila shpesh herë ka qëndruar prapa grilave për hir të kësaj kauze që ajo i beson, shkruan Portalb.mk.

Marihuana (ose kanabis) i referohet disa përgatitjeve të bimës Konop (Kanabis) të cilat bëhen për t’u përdorur si droga psikoaktive dhe për arsye mjekësore.

Përdorimi i kësaj bime, varësisht prej politikave shtetërore, kryesisht është i ndaluar për qëllime rekreative, por ka edhe shtete të cilat e lejojnë, por me kushte të veçanta.

Në Maqedoninë e Veriut, përdorimi i kanabisit për qëllime rekreative është vepër penale që dënohet me burg, ndërkaq lejohet për ato mjekësore. Disa aktivistë në vend, vazhdimisht kanë ndërmarrë iniciativa që i njëjti të lejohet edhe për përdorim rekreativ. Arsyetimet e tyre janë se sipas ligjeve aktuale në vend, marihuana barazohet me drogat e rënda sintetike, siç janë kokaina apo heroina.

Sa drogë u kap në 4 vitet e kaluara?

Në infografikun e përgatitur nga Portalb.mk, mund të shihni se si në katër vitet e fundit është rritur sasia e drogës, respektivisht kanabisi dhe llojeve tjera, të cilat janë kapur nga institucionet e Maqedonisë së Veriut.

Përveç kësaj, në korrik të vitit të kaluar, Ministria për Punë të Brendshme në RMV zhvilloi aksionin anti-drogë, ku u kap një sasi e madhe e drogës dhe u dënuan një numër i madh i kryesve të këtyre veprave penale që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me drogën.

Më të goditur nga ky operacion, ishin përdoruesit e kanabisit si dhe shpërndarësit e kësaj të fundit, këtë më së miri e dëshmojnë numrat, edhe atë nga data 01.06.2017 deri më 27.06.2018 janë kapur 855 kilogram marihuanë.

Si trajtohen në gjykatë, të akuzuarit për përdorim/tregtim të marihuanës?

Janaki Mitrovski, avokat.
Janaki Mitrovski, avokat.

Mitrovski, avokati që çdo ditë mbron kryerësit e veprave penale që kanë të bëjnë me kanabisin thotë se është absurde që kjo e fundit të trajtohet në të njëjtin rang me drogat tjera të rënda, ai shpjegoi se për këtë dënohen shumë persona të cilët realisht kanabisin e shfrytëzojnë për qëllime shëndetësore.

“Situata në Gjykatat e Maqedonisë së Veriut është e frikshme, jemi të vendosur në pozitë të njëjtë me shpërndarësit e drogës, personat që e shijojnë kanabisin, pacientët të cilët përdorin kanabisin për qëllime shëruese, mirëpo janë të detyruar këtë ta bëjnë në formë ilegale për shkak se në tregun legal shërbimet janë të pakta apo minimale, kurse edhe ajo që është ka përbërje të papërshtatshme dhe të dobët, gjithashtu është shumë e shtrenjtë. Fale praktikës antikushtetuese të Prokurorit Publik deri në vitin 2009, sa i përket asaj që secila masë që e kalon pesë gramin në mënyrë automatike shihet si posedim i kanabisit me qëllim të shitjes, këtë gjykatat tona e pranojnë pa dyshim dhe këtu pikërisht lind problemi juridiko penal për shkak se prokurori nuk është ligjvënës që të rregulloje se cila masë duhet të konsiderohet më e madhe apo më e vogël” tha Janaki Mitrovski.

Mitrovski hapur ka shprehur idetë e tij për legalizimin e kanabisit, ai madje është një nga aktivistët e zëshëm për këtë kurse rrugën drejt dekriminalizimit të kanabisit në RMV e sheh si diçka të mundshme kurse të mirat prej kësaj të fundit, sipas tij janë të shumta.

“Kanabisi në RMV mund të dekriminalizohet shumë lehtësisht, me një ndryshim të thjeshtë të kodit penal ku ligjërisht, në konsultim paraprak me ekspert do të ishte rregulluar ajo që shteti do të toleronte përdorimin personal të kanabisit, gjithsesi në kushte kur nuk kanë dëshmi për shitjen e të njëjtit për shkak se tek shitja sasia nuk është më e rëndësishmja” shtoi Mitrovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button