I shkëlqyeshëm apo ekselent, ekzakt apo i saktë

Unë e dua gjuhën shqipe, ashtu siç e duan shumica. Ndjehem mirë me të gjithkund dhe në asnjë mënyrë nuk e vë asnjë gjuhë para gjuhëve të tjera. Është gjuha e nënës sime dhe e mbaj në zemër. Prandaj kur e shoh se si e shkelin pa mëshirë fjalën e saj, kur e shtrembërojnë fjalinë, nuk më vjen mirë. Atëherë, në mos tjetër, do të reagoj botnisht e do të them se ashtu nuk bën.

Kësaj radhe janë dy fjalë që më pengojnë kur i thonë e kur i shkruajnë të gjithë politikanët, gazetarët e, besa edhe profesorët universitarë, ndër të cilët ka edhe të tillë që janë mësimdhënës të gjuhës shqipe. Ja pra: më pengojnë fjalët ekzakt, ekzaktësisht dhe ekselent. Ta marrim shtruar: këto fjalë janë latine, kurse në gjuhën tonë s’kemi nevojë për to, sepse i kemi fjalët i saktë, sakt dhe saktësisht – për ekzakt dhe ekzaktësisht dhe fjalët i, e shkëlqyeshëm – për ekselent. Fjalori ynë i tillë siç është, si një shtëpi e mbetur pa pullaz, i ka: i saktë dhe saktësisht. Po foljen saktë – nuk e ka. Kanë harruar ta shënojnë. Ani mirë. E kanë futur aty turqizmin e panevojshëm – tamam.  Fjalori e ka edhe mbiermrin i shkëlqyeshëm dhe ndajfoljen shkëlqyeshëm. Po nuk e ka askund as ndajfoljen ekzakt dhe formën tjetër ekzaktësisht. Por, ne mos të largohemi nga qëllimi ynë. E menjëherë do të themi se edhe fjalët i saktë, saktë dhe saktësisht origjinën e kanë latine. Të njëjtat janë, si ekzakt dhe si ekselent. Po meqë qenkan të njëjtat me përmbajtje semantike, çfarë është puna? Megjithatë kanë një dallim mes vetes këto fjalë, i cili nuk është as i vogël e as i parëndësishëm. Fjalët që i ka fjalori e të cilat detyrimisht duhet t’i përdorim janë fjalë që populli ynë i ka huazuar nga latinishtja, por nuk i ka lënë të qarkullojnë nëpër gjuhën shqipe ashtu siç janë, por i ka veshur me petkun e shqipes. Nuk i ka pëlqyer gjeniut popullor të thotë ekzakt ose ekselent për arsye fonetike e për arsye të melodisë së gjuhës. Prandaj ka thënë: kështu nuk bën. Këto fjalë atëherë e kanë ulur kokën dhe janë detyruar t’i përshtaten kësaj bote të re duke pranuar petkun e ri dhe, kuptohet edhe kësilën e bardhë dhe kështu janë bërë: saktë, i, e saktë, saktësisht dhe i, e shkëlqyeshëm dhe shkëlqyeshëm. Janë bërë fjalë tona, të birësuara dhe të bijësuara. Sa bukur është kur themi i saktë si gjerman ose student i shkëlqyeshëm. E ndjehemi keq kur thonë alamet ministrat: studentët ekselentë, në vend se të thonë shqip: studentët e shkëlqyeshëm etj.

Mirëpo, ja, nuk jemi pa kapadaillëqe në përdorimin e gjuhës. Kurse ajo e shkreta mbi një shekull e pret dorën e ndihmës së institucioneve që ta pasurojnë fjalorin me fjalë shqipe.

Janë këtu dy halle që na i ngatërrojnë telat e gjuhës shqipe dhe që përdoren vend e pavend gjithfarë fjalësh e gjithfarë konstruksionesh të shëmtuara sipas modeleve të gjuhëve të huaja që ditë për dite na bëjnë presion që dalëngadalë të lejojmë hapjen e shtegut të asimilit: i pari hall – padija në fushë të gjuhës dhe i dyti – kompleksi i vlerës së ulët te njerëzit që duan të bëhen të rëndësishëm duke përdorur fjalë të huaja, madje pa e ditur mirë kuptimin e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button