Tetovë, punëtorët e NPK-së në grevë, qyteti mbytet në bërllog

Rreth njëqind e tridhjetë punëtorë të ndërmarrjes publike komunale për të dytën ditë me radhë janë në grevë me të vetmin qëllim që atyre t’u jepen rrogat dhe kontributet të cilat nuk u janë dhënë tashmë tre muaj.

“Ne nuk do të kthehemi në punë deri sa të na paguhen kontributet tona, nuk do ta pastrojmë qytetin dhe nuk do të bëjmë grumbullimin e mbeturinave deri sa të plotësohen të gjitha kushtet tona dhe të marrim të gjitha rrogat”, tha njëri nga grevistët.  

“Ditën e hënë kemi punuar për të treguar se ne jemi në gatshëm  për të punuar. Sot është dita e tretë e grevës dhe do të vazhdojmë deri sa t’i marrim të gjitha rrogat “, u shpreh një tjetër.

“Ne do të shkojmë deri në fund, nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër, unë jam person me sëmundje zemre, jam me barna dhe më duhet të shkoj në Shkup për kontrolle, ndërsa nuk kam të holla sepse nuk kemi marrë rroga dhe do të vazhdojmë me grevë derisa t’i marrim të gjitha”, deklaroi njëri prej tyre.  

“Ne nuk kemi marrë rroga duke filluar nga shtatori dhe ky është muaji i katërt. Nëse nuk i marrim ne nuk do të punojmë, nuk marrim as kartona të kaltër, as sigurim pensional”, apeloi një tjetër grevist.

Punëtorët e NPK-së  thonë se nuk do të bëjnë kompromis me udhëheqësit e kompanisë, pa mos i paguar të gjitha rrogat e mbetura dhe kontributet. Ne nuk do të pranojmë që të na paguhet vetëm një apo dy muaj, por të gjitha rrogat.

Ndërsa nga Ndërmarrja Publike Komunal thonë se bëjmë përpjekje që të tejkalojmë këtë situatë pasi që edhe pagesa e mbeturinave nga ana e qytetarëve është pakësuar muajve të fundit për shkak të krizës ekonomike që kanë ata, nga kjo ndërmarrje bëjnë apel tek të gjithë qytetarët të bëjnë pagesën e tyre pasi që pamundësohet pagesa e punëtorëve ndaj qytetarëve./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button