Pandemia shtyn vendosjen e shtatores së Skënderbeut në Prizren

Përkujtimi i ditës së lindjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, gjatë kësaj jave, Prizrenin do ta gjejë pa shtatoren e heroit kombëtar. Rrethanat e krijuara për shkak të pandemisë COVID-19 kanë detyruar bartësit e projektit që ceremoninë e vendosjes së shtatores ta shtyjnë për afat të pacaktuar. Sipas tyre, nderimi i figurës së shquar kombëtare meriton pjesëmarrje masive, që në situatën aktuale nuk mund të jetësohet, transmeton Koha.net.

Nue Oroshi nga shoqata “Trojet e Arbrit” ka thënë se finalizimi i këtij projekti është shtyrë për shkak të gjendjes emergjente shëndetësore.

“Shoqata ‘Trojet e Arbrit’ dhe Drejtoria e Administratës e Komunës së Prizrenit, njoftojnë të gjithë qytetarët prizrenas dhe anekënd trojeve shqiptare që vendosja e monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që ka qenë e planifikuar të vendoset më 6 maj 2020 në Prizren, do të shtyhet. Shkaku i shtyrjes është virusi korona, që ka bllokuar jetën shoqërore jo vetëm në Prizren, por në mbarë globin”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Oroshi në rrjetet sociale.

Sipas tij, data e vendosjes së shtatores do të bëhet pas kalimit të pandemisë, kur krijohet mundësia për organizimin e tubimeve publike.

“Meqenëse ky është një eveniment i veçantë, kemi dëshirë që ta bëjmë një organizim të madh ku do të marrin pjesë përveç shumë qytetarëve prizrenas edhe shumë shqiptarë anekënd trojeve etnike shqiptare, si dhe mërgimtarët shqiptarë që jetojnë në diasporë dhe që janë financuesit kryesorë të këtij projekti kombëtar. Për datën e re të vendosjes së monumentit do t´ju njoftojmë me kohë, në mënyrë që ta keni mundësinë e pjesëmarrjes”, ka bërë të ditur Oroshi.

Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari, ka deklaruar se rrethanat aktuale pamundësojnë mbajtjen e një ceremonie me shumë pjesëmarrës. “Prandaj jemi dakorduar me shoqatën ‘Trojet e Arbrit’ që ajo të shtyhet për një afat të pacaktuar”, ka thënë Hajdari. Ai ka pranuar se skulptori pjesën e parë të projektit e ka përfunduar, por se i njëjti duhet praruar në bronz, proces ky që realizohet në Tiranë. “Por në këtë periudhë punimin s’ka mundur ta dërgojë atje”, ka thënë Hajdari, duke shtuar se deri në këtë javë nuk kanë mundur të kryhen as procedurat e prokurimit për ndërtimin e bazamentit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button