Kriza me COVID -19 ka shkaktuar zbrazëtirë demokratike në Maqedoninë e Veriut, qytetarët edhe më tej të papërfaqësuar

Përhapja e virusit korona në Maqedoninë e Veriut dhe masat që u ndërmorën që në fillim, për parandalim të përhapjes së mëtejmë, kanë cenuar demokracinë në vend. Shtyrja e zgjedhjeve të parakohshme për shkak të pandemisë me COVID-19, ka bërë që shteti të mbetet pa kuvend dhe qytetarët pa përfaqësues më shumë se dy muaj, pasi ai ishte shpërndarë paraprakisht më 16 shkurt, për t’i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve që ishin paralajmëruar të ndodhin më 12 prill, shkruan Portalb.mk.

Analisti politik, Robert Nesimi, deklaroi për Portalb.mk se kriza me Covid-19 ka shkaktuar në Maqedoninë e Veriut një zbrazëtirë demokratike, duke i vendosur qytetarët në një pozitë ku, as nuk janë të përfaqësuar dhe as nuk mund të zgjedhin përfaqësues.

Robert Nesimi
Robert Nesimi

“Nga njëra anë Kuvendi u shpërnda pasi duhej të mbaheshin zgjedhje, ndërsa më pas zgjedhjet nuk u mbajtën për shkak të pandemisë. Kështu kemi një situatë paradoksale ku qytetarët nuk janë të përfaqësuar në institucione: as nga deputetet që kanë zgjedhur më parë, as kanë të drejtë të zgjedhin përfaqësues të rinj. Për momentin kjo situatë tolerohet për shkak të situatës së krijuar me Covid19, por assesi nuk duhet të vazhdojë më gjatë. Tani kur kriza si duket po tejkalohet, ka vetëm dy rrugë përpara: o të mblidhet sërish Parlamenti i vjetër, o të shkohet sa më parë në zgjedhje që të zgjidhet i riu. Çdo alternativë tjetër është dhunim i demokracisë”, deklaroi Nesimi.

Ai tha se, dalja e votuesve në zgjedhje, do të varet varësisht prej situatës me korona virusin në periudhën kur ato do të mbahen.

“Sa i përket daljes së votuesve në zgjedhje, mendoj se shumëçka do të varet nga situata e atëhershme me Covid-19, te ne, por edhe në botë. Nëse zgjedhjet mbahen kur t’i jemi kthyer jetës normale, nuk mendoj se pandemia do ndikojë në dalje; nëse mbahen tepër shpejtë atëherë një pjesë e votuesve sigurisht që do të preferojnë të qëndrojnë në shtëpi”, theksoi Nesimi.

Por, paritë politike, akoma nuk kanë gjetur zgjidhje të përbashkët për dalje nga kjo situatë. Iniciativa e LSDM-së e dorëzuar në Kuvend, për thirrje të seancës parlamentare, nuk ka gjetur mbështetje te partneri i koalicionit të saj, BDI dhe as te opozita maqedonase, VMRO-DPMNE, të cilët janë deklaruar kundër kësaj. Sipas kryeparlamentarit,  Talat Xhaferi, nuk ka mundësi ligjore që të thirret Kuvendi i cili tashmë është shpërndarë.

Megjithatë, dy partitë më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE, kanë qëndrime të kundërta edhe sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve.

“Nuk ka asgjë më të rëndësishme se shëndeti i qytetarëve. Por, duhet të jemi të vetëdijshëm të gjithë se në kushte kur nuk ka Kuvend dhe ka zgjedhje të prolonguara, kredibiliteti i qeverisë duhet të mbështetet me vendim të qytetarëve. Duhet ta kapim mundësinë e parë për zgjedhje, sepse nuk e dimë se kur do të ketë mundësi të dytë”, ka deklaruar sot lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Përderisa, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, është për mbajtjen e zgjedhjeve në mundësinë e parë, për liderin e VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski, zgjedhjet nuk janë prioritet.

“Unë e kam thënë edhe në të kaluarën po e përsëris edhe sot. Në tre prioritetet e VMRO-DPMNE-së nuk janë zgjedhjet. Prioritet i parë është si të mbetet pas nesh pandemia, prioritet i dytë është ta ngremë në këmbë ekonominë dhe prioritet i tretë ta kthejmë mirëbesimin mes qytetarëve të Maqedonisë”, ka deklaruar sot Mickoski.

Rrugëzgjidhje për këtë situatë, mund të bëjë Gjykata Kushtetuese, e cila të mërkurën do të ketë takim pune në të cilin gjykatësit do të marrin qëndrim nëse do ta pranojmë iniciativën dhe sipas detyrës zyrtare të ngremë procedurë për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve.

Ndërkohë, presidenti i shteti, Stevo Pendarovski, javën e ardhshme do të pret në takim liderësh, krerët e partive në vend, ku po ashtu pritet të diskutohet me situatën e krijuar pas paraqitjes së COVID-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button