Sela sulmon Bexhetin: Mos gënje, tërhiqu!

Vazhdon beteja mediale mes PDSH-së përmes deputetit të tyre Ziadin Sela dhe Ministrit të Drejtësisë Blerim Bexheti. Pas përgjigjes në akuzat e djeshme të PDSH-së për rastin Monstra, Ministri i Drejtësisë përsëri është sulmuar sot nga opozita shqiptare, duke kërkuar llogari për rastin Monstra dhe vdekjen e Ibrahim Sulejmanit, ish ushtarit të UÇK-së në burgun e Shtipit.

“Blerim Bexhet Bexheti, të kishe pak moral do të jepje dorëheqje nga posti i Ministrit të Drejtësisë prej ditës që ndërroi jetë Ibrahim Sulejmani në burgun e Shtipit. Por çka është marrja dhe rezili. Ti pate deklaruar se rasti i Ibrahim Sulejmanit do të jetë efekti i parë i interpretimit autentik të Ligjit për amnisti. Cili ishte efekti i këtij interpretimi? Vdekja e Ibrahim Sulejmanit? Eliminimi i të gjithë pjesëmarrësve të konfliktit që nuk janë pjesë e tradhtisë të BDI-së? Me paturpësinë më të madhe thoni që nuk keni asnjë të burgosur për vepra penale lidhur me konfliktin e vitit 2001. Gënjen Blerim Bexhet Bexheti, sepse burgjet janë përplot me luftëtarë, ose janë në burg, ose janë të vdekur si Ibrahim Sulejmani” – tha deputeti Ziadin Sela.

Ai akuzoi BDI-në se sa herë që janë në qeveri shqiptarëve u montohet proces politik, ndërsa çdo person i ekstraduar lidhet me rastin Monstra.

“Monstra është përsëritje e episodeve të njohura tani më, sa herë që ju jeni në Qeveri, shqiptarëve u montohen procese politike. Në vitin 2002 – 2006 rasti i Sopotit, ndërsa tani procesi i montuar politik Monstra. Çfarë bën drejtësia jote kur çdo person që ekstradohet, siç ishte rasti i djeshëm, nuk hezitojnë Kotevskat e Jankullovskat ta bëjnë pjesë e montazhit politik për rastin Monstra. Natyrisht që ti hesht” – tha Sela.

Ndryshe, pas deklaratave të djeshme të zëdhënësit të MPB-së Ivo Kotevski se dyshohet që i ekstraduari Shukri Aliu të jetë ideologu i vrasjes pranë liqenit të Smillkovcës, dhe faqet e para të gazetave maqedonase me tituj “Kapet Monstra”, Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska nuk ka dashur sot të komentojë, duke thënë se sa i përket rastit Monstra nuk ka asgjë të re./Portalb/ 

Lajme të ngjashme

Back to top button