VMRO lëshon pe për branitellat

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Trajko Veljanovski sot ka dërguar kërkesë me shkrim deri te kryetarja e Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale që të thërret seancë të re të këtij komisioni me disa pika të rendit të ditës, mes tjerash edhe rritja e pensioneve dhe ndihmave sociale.

Kërkesën e njëjtë e kanë bërë edhe anëtarët e Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale nga VMRO dhe BDI dje. Me fjalë tjera, deputetët e VMRO-së si edhe vet kryetari i kuvendit kërkojnë që përkohësisht Propozim Ligji për branitellat të lihet anash, me qëllim të kalimit të ligjeve tjera që presin shqyrtimin në komision.

“Nëse nuk thërrisni seancë tjetër të Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale ashtu siç kërkuan 1/3 e anëtarëve të komisionit në afat prej 5 ditësh, ju informoj se të njëjtën do ta bëj unë, kryetari i Kuvendit, në bazë të rregullores” – qëndron mes tjerash në letrën e Trajko Veljanovskit drejtuar Cvetanka Ivanovës.

Ivanova nuk është përgjigjur me shkrim në kërkesën e anëtarëve të komisionit të nënshkruar nga deputetët e VMRO-së dhe BDI-së, por dje në konferencë për shtyp edhe njëherë bëri me dije qëndrimin e saj se nuk do të thërret seancë tjetër pa marrë epilog Propozim Ligji për branitellat, duke shtuar se VMRO më në fund pranoi se nuk dëshiron që Ligji për branitellat të miratohet.

“Sot VMRO DPMNE më në fund publikisht pranoi se nuk dëshiron të sillet Ligji për branitellat. Partnerët qeveritar me këmbëngulësi krijojnë kaos të dirigjuar në Kuvend dhe bllokojnë Kuvendin. Si kryetare e Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale nuk do të lejoj të futem në këtë skenar dhe të bëhem bashkëpjesmarrës në këtë kaos të organizuar dhe nuk do të lejoj të jem e akuzuar për punë joefikase të Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale. Deri sa nuk sillet Ligji për branitellat qëndroj në vendimin se seancë tjetër të komisionit nuk do të thirret” – tha dje Cvetanka Ivanova.

Shqyrtimi i amendamenteve për këtë Propozim Ligj edhe më tej po rrjedh me dinamikë të ngadalësuar për shkak të fjalimeve të deputetëve shqiptar. Deri tani janë shqyrtuar vetëm 26 nga gjithsej 15.500 amendamente./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button