“COVID-19” dhe “rizbulimi i të shenjtës” (II)

Sociologjia e religjionit mëson se krizat krijojnë lëkundje, e luhatjet e mëdha i shtyjnë njerzit të kërkojnë një strehë, në veçanti në sferën e metafizikes, suprahumanes, qiellores. Sipas Meredith McGuire (2007) përvoja e krizës mund t’ia përforcojë besimin që një individ e ka. Edhe këta muaj të historikes ‘Corona’, mes tjerash, kanë prurë edhe një revitalizim të fetarisë (religjiozitetit), ndoshta edhe më të fuqishëm sesa në vitet 1990 kur ra komunizmi, sepse tani nuk ra një ideologji, por një mit i kulminacionit të arritjeve njerëzore, “gjithfuqishmëria e shkencës”, sireligjioni i quajtur scientizëm (shkencizëm). Ja disa tregues të fetarisë së ringjallur: lutjet e organizuara për të prekurit nga Covid-19, për doktorët, kërkesa për lutje publike nga prefektët italianë, RSL (Religion and Spiritual Life) Facebook  dhe RSL Instagram i studentëve të Shkollës për Teologji të Harvardit që ofrojnë postime insipiruese në kohë pandemie me qëllim të mbajtjes së njerëzve shpirtërisht të zgjuar, Kur’ani i kënduar open air, nga mjekët turq nëpër spitale, ezanet nga minaretë e qyteteve të Gjermanisë, të Kanadasë, shpallja e 15 marsit nga Trump si Ditë Nacionale e lutjes për të prekurit nga Covid-19, e të tjera.

Pew Research ka gjetur rritje të fetarisë te amerikanët në përgjithësi, që është e krahasueshme me atë të marsit të vitit 2001, pas rrënimit të Kullave Binjake. Në rastin e sulmeve të 11 Shtatorit publiku amerikan u bë më fetar sepse përballej me një gjendje që ia dëftonte mortalitetin dhe esencën fragile të jetës: Nuk ka ateistë në istikame. (“There are no atheists in foxholes.”) Një studim i MIT, Universiteti Baylor dhe Duke tregon se amerikanët fetarë janë përballur më mirë me krizën ekonomike planetare të vitit 2008, së paku në aspekt të mirëqenies. Sipas hulumtimit të Gallup të realizuar mes 28 mars dhe 1 prill 2020 është konstatuar se jeta mentale, dietale dhe stërvitore është përkeqësuar, kurse jeta fetare është avancuar te 19 % të të anketuarve, shifër kjo të cilën Newport (2020) e cilëson si rilindje fetare (religious renaissance). Në këtë kontekst analisti i njëjtë përmend edhe kurbën përpjetëse të personave dhe entiteteve fetare që kryejnë detyra pozitive, integruese, bamirësie…

Një hulumtim i paradokohshëm (19-24 mars 2020) i Pew Research lidhur me sjelljet adhurimore tregon se më tepër se gjysma e amerikanëve (55%) janë lutur për përfundim të përhapjes së koronavirusit (86 % luten për çdo ditë, 15 % rrallë por tani kanë filluar të luten për shkak të koronavirusit-CBN News, 1 prill 2020); në disa grupe kjo përqindje është shumë më e lartë (8 nga 10 protestantë evangjelistë dhe të zinj dhe rreth 2/3-tat e katolikëve). Një studim tjetër, i Jeanet Sinding Bentzen nga Universiteti i Kopenhagës, shënon se gjatë muajit mars 2020, kërkimet në internet të fjalës “lutje” (prayer), God, Allah, Muhammad, Easter (Pashkët), Ramadan kanë shënuar kulminacionin e pesë viteve të fundit në 75 shtete, madje edhe na Danimarkë si një vend me fetari të dobët. (Zuckerman, 2020; Evangelical Focus, 3 prill 2020)

Marksi në vitet 1800 e quajti fenë opium, Frojdi në ato 1900 e cilësoi atë si një iluzion, por ky institucion shoqëror po shpërfaq një funksion struktural dhe efektiv edhe në vitet 2000, edhe në fillim të mileniumit të tretë. Robert Nicholson në shkrimin e tij të 26 marsit për Wall Street Journal është shprehur se “murtaja e përmasave biblike”, “virusi i keq” po i shtyn amerikanët që ta zbulojnë sërish Zotin. Jo vetëm ata por shumë më gjerë, ngase ofron shpresë, ngushëllon përmes porosisë se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi, se mëshira hyjnore është e pakufishme. Besimtari është afër Zotit çdoherë, kurse besimtarët potencialë e rigjejnë atë në çaste të krizave, të tronditjeve jetike. Sidoqoftë, sipas Kissell (2020) moraliteti, mortaliteti dhe metafizika janë pjesë e çdo storjeje për pandeminë Covid-19 si “rrëfimi më i madh fetar i kohës sonë” kur njerëzit sërish kërkojnë të vërtetën dhe kuptimin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button