ANALIZË: Arsimi i lartë – çfarë kuadri prodhohet, e çfarë kuadri kërkohet në sektorin real?

A ka shteti vizion të qartë për zhvillimin e arsimit të lartë? A ka mekanizma për punësimin e kuadrove me arsim të lartë? A është legjislacioni aktual i mjaftueshëm dhe me cilësi të lartë për promovimin e arsimit të lartë? A janë studentët e regjistruar, sipas titullit dhe ekspertizës, të përgatitur për nevojat e tregut të punës? Për këto pyetje strategjike, revizioni shtetëror kërkon përgjigje në analizën e re të titulluar “Realizimi i kuadrit me arsim të lartë në tregun e punës”. Analizohet periudha 2016-2018, dhe në shënjestër është Ministria e Arsimit, si përgjegjëse për politikën për arsimin e lartë dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, si përgjegjëse për promovimin e punësimit, gjegjësisht krijimin e politikave të tregut të punës, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Kuotat e regjistrimit – kush dhe si përcakton ato…

“Lidhja e parë” e dobët në arsimin e lartë është mënyra e përcaktimit të numrit të studentëve që duhet të regjistrohen në universitetet publike. Me sugjerimin e institucioneve të arsimit të lartë, qeveria miraton Vendim për numrin e studentëve që regjistrohen, ndërsa për kuotat shtesë që përcaktohen nga universitetet jep vetëm pëlqim.

“Ligji për Arsimin e Lartë nuk parashikon kontroll të plotë të shtetit sa i përket kuotave për regjistrimin e studentëve në vitin e parë, gjegjësisht qeveria nuk ka kompetencë t’i përcaktojë kuotat vjetore. Numri i planifikuar i studentëve, i miratuar gjatë akreditimit, është kufiri i vetëm për regjistrimin e studentëve në periudhën e akreditimit, që zakonisht është 5 vjet”- thekson revizioni.

A prodhon koncepti aktual i arsimit të lartë kuadro që “kërkohen” në tregun e punës? Përgjigja për këtë pyetje kryesore, që e trajton raporti i revizionit, zbulon një numër të dobësive, duke përfshirë edhe mospërcaktimin e kritereve të sakta për përcaktimin e kuotave për regjistrimin e studentëve.

“Analiza e kryer tregon se në periudhën e analizuar numri i studentëve të regjistruar në raport me numrin e aprovuar të studentëve për regjistrim është rreth 54% në universitetet publike – shtetërore dhe 40% në universitetet private. Diferenca e konsiderueshme midis numrit të studentëve të aprovuar dhe të regjistruar është një tregues i planifikimit të mundshëm jorealist të numrit vjetor të studentëve për regjistrim”- thekson revizioni dhe potencon se në pyetësorin e realizuar, në pyetjen se a merren parasysh nevojat e tregut të punës gjatë përcaktimit të numrit të studentëve që duhet të regjistrohen – gjysma e përgjigjeve ishin negative.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i studentëve të regjistruar, si në universitetet publike ashtu edhe në ato private shënon rënie në nivel vjetor ose në vitin akademik 2017/2018, në universitetet publike janë regjistruar 12.227 studentë, ndërsa në vitin akademik 2016/2017 – 13,769 studentë.

Përqindje e lartë e akreditimeve – a ka cilësi?

Në periudhën 2016-2018, 95% e akreditimeve të kërkuara për programet studimore në universitetet publike, private dhe publike-private u miratuan nga Bordi i Akreditimit në arsimin e lartë, që sipas revizionit është një përqindje e lartë e miratimit të tyre. A nënkupton kjo edhe cilësi të arsimit?

“Si rezultat i mungesës së mekanizmave dhe kritereve për vlerësimin e nevojës për akreditim të institucioneve të arsimit të lartë ose programeve studimore në përputhje me nevojat e tregut të punës, Bordi për Akreditim dhe Vlerësim të arsimit të lartë i shqyrton kërkesat pa informacion të mjaftueshëm me dokumentacion mbështetës për analizat e kryera për arsyetimin e tyre për sa i përket nevojave të tregut të punës. Kjo situatë mund të çojë në rritje të institucioneve të arsimit të lartë dhe të programeve studimore, prodhimin e kuadrove që tregu i punës nuk mund t’i absorbojë dhe futjen e tyre në strukturën e njerëzve të papunë” – theksojnë revizorët.

Një nga kriteret e cilësisë është “vlerësimi”, gjegjësisht vlerësimi i cilësisë së ushtrimit të veprimtarisë së arsimit të lartë.

“Në periudhën e përfshirë nga revizioni, nuk janë bërë vlerësime të jashtme nga BAVAL-i për ta vlerësuar cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë. Moskryerja e vlerësimeve të jashtme nuk siguron mekanizëm të jashtëm për verifikimin e vazhdueshëm të pajtueshmërisë së IAL me kushtet e përcaktuara me ligj dhe cilësinë e punës së tyre, dhe as nuk e përcakton nevojën e as nuk jep kontribut për modernizimin e programeve studimore.

Për më tepër, ato tregojnë se ka mungesë të transparencës, kështu që në raport thuhet:

“Në periudhën e kryerjes së revizionit, Bordi për Akreditim dhe Vlerësim të Arsimit të Lartë nuk ka ueb-faqe funksionale, dhe mënyra e vendosur e ruajtjes së dokumentacionit nga akreditimi i kryer, vetëm në formë letre e bën të vështirë inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e tij, si dhe vlerësimin e efektivitetit të punës së Bordit për Akreditim dhe Vlerësimit të AL”.

Përmes disa programeve të ndryshme, shteti përpiqet të sigurojë logjistikë për të papunët me arsim të lartë. Analiza e revizorëve tregoi se interesimi i personave të papunë me arsim të lartë për shfrytëzimin e masave për punësim në periudhën 2016-2018 mesatarisht ishte rreth 42%, ndërsa në pjesën më të madhe e shfrytëzojnë “trajnimin” si masë aktive për punësim, ndërsa kontribut më të madh për punësim jepni masat e mëposhtme: ndërmarrësia, vetëpunësimi dhe subvencionet për punësim.

Qëllimi i këtij revizioni, siç u theksua, është të vlerësojë efikasitetin e organeve shtetërore në zbatimin e politikës së arsimit të lartë dhe për punësimin e kuadrove me arsim të lartë në tregun e punës. Ministria e Arsimit dërgoi vërejtje në lidhje me Propozim-raportin, të cilat u vlerësuan si shpjegim për gjendjen e konstatuar dhe ato u morën parasysh gjatë përcaktimit të konkluzionit të revizionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button