Mesazh në shishe drejt Stambollit për 100 Vjetorin

I ulur në kolltuk po lexoja reth festimit të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, dhe ndjeva keqardhje pse nuk isha edhe unë në Vlorë.  Jo se kam qenë ndonjëherë në atë qytet,  por me sa kam ndëgjuar është vënd shumë i bukur.

Nejse nuk ishte bukuria e qytetit arsyeja që doja të shkoja por doja të dërgoja mesazhe në shishe drejt Stambollit që t’ua uroja edhe arvanitëve këtë  100 vjetor.  Në fakt doja të dija se si ndjehen ata për 100 vjetorin e shtetit shqiptar, shtetit amë.

Do të doja  që mesazhet e mija në shishe të lundronin nëpër detra e të arrinin deri në Bosfor dhe të bien në dorën e arvanitit ose arvanites. Po i parafytyroj buzëqeshjet e tyre, sytë që do tu shkëlqenin nga gëzimi se Vlora, qyteti ku u ngrit flamuri dhe u shpall mëvetsia e shtetit shqiptar,  i dërgon edhe atyre një mesazh urimi. Këtë mesazh do e ruanin si amanet nga mëmëdheu, që ata kurrë nuk e harruan.

 Si mund ta harrojmë ne atë pjesë të popullit tonë që i jep hijeshi Stambollit kur me ta mburret historia? Vjershat më të bukura nga ky qytet kanë dalë; në këtë qytet ku të gjithë shqiptarët ndjehen si në shtëpinë e tyre sepse një pjesë të tij e ndërtoi  arkitekti shqiptar Sinani që ne kemi harruar ta fusim në histori.  

Nuk do më bëhej vonë nëse mesazhin do ta gjente ndonjë Turk. Përkundrazi, do më bëhej qejfi se do ta kuptonte që 28 Nëntori nuk është dita kur i mundëm turqit por dita kur krijuam shtetin tonë sepse edhe pas ngritjes së flamurit, shqiptarët po i japin këtij qyteti madhështor  po aq sa dha Ismail Bej Vlora, Naimi, Samiu e Sinani, se fundja, Stambolli është edhe i shqiptarëve.

Doja t’i nis këto mesazhe që ta shlyej gabimin që bënë funksionarët tanë të cilët asnjë herë të vetme nuk e zun në gojë pjesën e popullin tonë që ëndërron dhe dashuron trojet e veta, atë pjesë të popullit që ka ruajtur traditën dhe gjuhën dhe me mburje thonë “Ne jemi shqipëtarë”.
Së bashku me mesazhet e mia drejt Stambollit do dërgoja dhe një pjesë nga vetja ime që në atë qytet të bukur dhe madhështor së bashku me arvanitët ta festoj edhe unë këtë 100 vjetor.

Lajme të ngjashme

Back to top button