fbpx

Kosovatex pranë falimentimit?

Punëtorët e fabrikës së tekstilit “Kosovatex” i lanë vendet e punës të mërkurën në shenjë proteste për shkak të kushteve të rënda dhe mospagesës për dy muaj. Nexhmedin Ejupi, udhëheqës i kësaj fabrike, pranon se ka vonesa të pagave. Ndërsa, thotë se punëtorët nuk i kanë ikur, por vetë i ka liruar. 

Po bëhen dy muaj që s’kanë marrë rroga dhe vendi ku punojnë thonë se i ngjanë frigo-dhomës. Temperaturat e ulëta duket se ishin vetëm pretekst që punëtorët e fabrikës së tekstilit “Kosovatex”, në Prishtinë, të lënë vendin e punës të mërkurën.

Ata thonë se nuk do të kthehen nëse nuk u paguhet borxhi që u ka ndërmarrja dhe nëse nuk përmirësohen kushtet e punës.

“Nuk kam me çka të shkoj, duhet të marrë para prej shtëpisë për ta paguar rrugën edhe bukën”, tregon një nga punëtorët e fabrikës që nuk pranon t’i përmendet emri, pasi frikohet se menaxhmenti mund t’i hakmerret. Për punën që bën thotë se i merr 180 euro në muaj dhe ato jo me rregull” thotë një punëtor.

Kjo,sipas tij, e kishte shtyrë atë dhe shumë të tjerë që të revoltohen dhe në mënyrë demonstrative të kërkojnë të drejtat e tyre.

“Pas pauzës së parë, punëtorët nuk i ndezën makinat. Menaxheri Arben Abrashi na tha se nuk mundet me caktu datë kur do t’i marrim paret as me na ndal nuk mundet. Vendimi tha është juaji dhe 90 për qind e punëtorëve kemi dalë”, thotë ai.

Kjo nuk është hera e parë që përballen me telashe të tilla në këtë ndërmarrje. Dhe para një muaj e gjysmë të gjithë punëtorët kishin nënshkruar një dokument se do ta linin punën po nuk iu pagua mundi.

“Këta e kanë marrë si shprehi, se pa u ngritur edhe kërkuar rrogën nuk na japin” thonë punëtorët.

Por, kësaj radhe pakë kanë shpresa se do të bëjë punë ky lloj kërcënimi. Sipas të punësuarve aktualë, janë me qindra persona të tjerë që menaxhmenti i ka larguar më herët dhe mund t’i marrë në vend të tyre kur të dojë. Se kanë telashe me pagesat e pranon për “Express” edhe vetë Nexhmedin Ejupi, udhëheqës i kësaj fabrike.

Megjithatë, rrëfimi i tij për atë se çfarë ka ndodhur të mërkurën në “Kosovatex”, është i ndryshëm nga ajo çfarë thonë punëtorët.

“Për shkak një havarie në kaldanë e ngrohjeve, jemi detyruar t’i lirojmë një pjesë të punëtorëve pasi ka qenë ftohtë në disa reparte”, thotë Ejupi.

Sapo kjo avari të riparohet, të enjten apo të premten ai premton se të gjithë do t’i kthehen punës normalisht.

Sipas tij, nuk është e vërtetë se punëtorët kanë ikur nga puna për shkak të mospagesës së pagave, për të cilat pranon se ka vonesa, por jo më shumë se një muaj.

“Kemi pak vonesa në pagesat e partnerëve, të cilët po na kushtëzojnë edhe me shtyrje të pagesës së pagave”, tregon Ejupi.

Edhe në fillim të këtij viti, Ejupi pati probleme me stafin, një pjesë të të cilit e largoi nga puna përkohësisht. Atëkohë pati thënë se kriza në Evropë e ka prekur “Kosovatex”-in dhe janë detyruar ta tkurrin biznesin për shkak se kërkesa për produktin e tyre në vendet perëndimore ka rënë shumë. Gjatë asaj kohe u larguan 95 punëtorë, duke lënë në punë 210 nga 300 punëtorë.

“Kosovatex” është privatizuar në vitin 2006 me spin-off special në procesin e privatizimit në Kosovë, për 3.1 milionë euro me kushtet e të cilit parashihnin investim prej katër milionë eurosh dhe 200 të punësuar. Pronar i kësaj fabrike është familja Destani nga Tetova.

Në fund të vitit 2011, kjo fabrikë është liruar nga monitorimi si rezultat i përmbushjes së zotimeve të parapara me kontratë, ndërsa me prodhimin e xhinseve ka nisur punën në fund të vitit 2010 dhe orientim ka eksportin drejt tregjeve të huaja./GazetaExpress/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button