Urdhëresë e re e Qeverisë: Përkrahje financiare për paga, vetëm nëse nuk zvogëlohet numri i të punësuarve deri në fund të qershorit

Qeveria në seancën e djeshme e ndryshoi urdhëresën për përkrahje financiare të punonjësve dhe punëdhënësve të prekur nga kriza ekonomike e shkaktuar nga koronavirusi, lidhur me pagesën rrogave për muajt prill dhe maj 2020, njofton Portalb.mk.

“Me ndryshimet, të harmonizuara me sindikatat dhe shoqatat qytetare për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, përcaktohet se punëdhënësi i cili do të shfrytëzojë përkrahje financiare për pagesë të pagave, nuk guxon ta zvogëlojë numrin e të punësuarve në prill 2020, si dhe dy muaj pas përfundimit të saj (duke përfunduar në korrik 2020)” thuhet në komunikatën e qeverisë.

Përjashtim nga kjo janë rastet e pensionimit ose vdekjes së punonjësit, anulim të marrëveshjes për punësim nga punëtori, anulim i marrëveshjes nga punëdhënësi për shkak të shkeljes së rendit dhe disiplinës së punës, marrje të punëtorit në bazë të marrëveshjes mes kompanive, skadim i vlefshmërisë së marrëveshjes për punësim në bazë të aktgjykimit gjyqësor dhe anulim të vlefshmërisë së marrëveshjes për punësim për shkak të paaftësisë së konstatuar permanente për punë.

Urdhëresa e qeverisë përcakton që numri i përgjithshëm i të punësuarve të cilëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës në fund të korrikut 2020, nuk guxon të jetë më shumë se: 15 përqind te punëdhënës me 50 punonjës në muajin për të cilin ka shfrytëzuar përkrahje financiare, 10 përqind te punëdhënës që ka pasur prej 51 deri 250 punonjës dhe 5 përqind te punëdhënës i cili ka pasur mbi 250 të punësuar për muajin kur është shfrytëzuar përkrahje financiare nga shteti.

Qeveria solli edhe vendim për punësim retroaktiv të personave të cilëve u ka pushuar marrëdhënia e punës në periudhën nga 11 mars deri më 30 prill dhe lajmërim të tyre përkatës në sistemin për sigurim të detyrueshëm social, me çka do të zvogëlohen pasojat nga gjendjet e reja në këtë periudhë. Punëdhënësit do të mund t’i paraqesin këta të punësuar nga 7 maj dhe në atë mënyrë do t’i plotësojnë kriteret për përkrahje financiare për pagesë të pagave për muajt prill dhe maj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button