Forbs: Obama personi më me ndikim në botë

Presidenti amerikan, Barak Obama sërish është në krye të listës së personave më me ndikim në botë, që çdo vit përgatitet nga revista amerikane “Forbs”, transmetuan agjencitë botërore.

Sipas revistës, Obama në mënyrë bindëse i fitoi zgjedhjet presidenciale amerikane dhe para vetes i ka katër vjet që të arrijë progres me programin e tij, edhe pse para vetes do të ketë sfida të mëdha. Edhe krahas kësaj, ai mbetet lider i vërtetë i botës së lirë, thekson revista.

Në rang listën më të re të “Forbsit”, Obama ndiqet nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe nga presidenti rus Vlladimir Putin. Në pozitën e katërt dhe të pestë janë bashkëthemeluesi i Majkrosoftit, Bill Gejts, dhe kreu i Kishës katolike të Romës, papa Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë.

Në pozitën e gjashtë është kryetari i Bankës qendrore amerikane, Ben Bernanke. Presidenti francez, Fransoa Olland është në pozitën e 14-të. Në rangimin, midis evropianëve të tjerë janë edhe guvernatori i Bankës Qendrore Evropiane, italiani Mario Dragi (pozita e tetë), kryeministri britanik Dejvid Kameron (pozita e 10-të), kryeministri italian Mario Monti (pozita e 29-të) dhe shefi i kompanisë franceze El Ve Em Ash, Bernard Arno (pozita e 56-të).

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristin Lagard është në pozitën e 38-të.

Më i riu në listë është themeluesi i Fejsbukut, Mark Cukerberg, i cili ndodhet në pozitën e 25-të, pasi vitin e kaluar përfundoi në pozitën e nëntë. Magnati medial Ruper Mardok është në pozitën e 26-të.

Në rang listë, në pozitën e 44-të u gjet edhe lideri i ri koreanoverior, Kim Xhong-un.

Në përgatitjen e kësaj liste, të përbërë prej 71 personave, revista “Forbs” shfrytëzon disa faktorë – numri i njerëzve mbi të cilët personat kanë pushtet, resurset financiare të cilat i kontrollojnë ata, nëse këta persona kanë ndikim në më shumë sfera dhe mënyrën në të cilën këta persona e zbatojnë pushtetin e tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button