OKB: Planet e aneksimit të Izraelit “tërësisht të papranueshme”

Eksperti i pavarur për të drejtat e njeriut pranë Kombeve të Bashkuara (OKB), Michael Lynk, paralajmëroi se plani i qeverisë së re të koalicionit izraelit për të vazhduar me aneksimin e pjesëve të rëndësishme të Bregut Perëndimor të okupuar, do të jetë një goditje për rendin ndërkombëtar dhe minon perspektivat për një zgjidhje përmes bisedimeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Vendimi i Izraelit për të marshuar në mënyrë të njëanshme përpara me aneksimin e planifikuar më 1 korrik minon të drejtat e njeriut në rajon dhe do të ishte një goditje e rëndë për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha Michael Lynk, raportuesi special i OKB-së për situatën me të drejtat e njeriut në Territorin Palestinez të okupuar që nga viti 1967.

Lynk alarmoi se planet izraelite të aneksimit janë duke u mbështetur dhe lehtësuar nga SHBA.

Ai thotë se nëse planet e aneksimit vazhdojnë, ajo që do të mbetej nga Bregu Perëndimor do të bëhej një “Bantustan Palestinez”, një arkipelag i ishujve të shkëputur nga territori, i rrethuar dhe i ndarë nga Izraeli pa asnjë lidhje me botën e jashtme.

Plani përfshin Luginën e Jordanit dhe, nëse realizohet, do të çonte në “një varg pasojash të këqija të të drejtave të njeriut”.

Më tej, ai thotë se kjo do të dëmtonte edhe në mënyrë shtesë çdo perspektivë të mbetur për një zgjidhje të drejtë dhe përmes bisedimeve.

“Plani do të kristalizojë një aparteid të shekullit 21, duke lënë pas shkatërrimin e së drejtës së palestinezëve për të vetëvendosur. Ligjërisht, moralisht, politikisht, kjo është plotësisht e papranueshme”, shprehet ai.

Lynk gjithashtu thotë se shkeljet e të drejtave të njeriut që rrjedhin nga okupimi izraelit do të intensifikoheshin pas aneksimit.

“Tashmë ne jemi dëshmitarë të dëbimeve dhe shpërnguljeve të detyruara, konfiskimit të tokës dhe tjetërsimit, dhunës së kolonëve, përvetësimit të burimeve natyrore dhe imponimit të një sistemi me dy nivele të të drejtave të pabarabarta politike, sociale dhe ekonomike bazuar në përkatësinë etnike”, thekson ai.

Eksperti i OKB-së tha se aneksimi ishte ndaluar rreptësisht sipas ligjit ndërkombëtar që nga miratimi i Kartës së Kombeve të Bashkuara në vitin 1945.

Ai tha se duke nxjerrë mësimet e hidhura të dy luftërave botërore të luftuara brenda një brezi, bashkësia ndërkombëtare e shpalli aneksimin të jashtëligjshëm sepse gjeneron konflikt, vuajtje njerëzore, paqëndrueshmëri politike, dëme ekonomike dhe diskriminim sistematik.

Që nga viti 1967, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka afirmuar parimin e “papranueshmërisë së përvetësimit së territorit” me forcë ose luftë në shumë raste, me referencë specifike për okupimin izraelit.

“Në shumë fronte, SHBA ishte një forcë pozitive në vitet e pas luftës për krijimin e sistemit tonë modern të së drejtës ndërkombëtare”, shprehet Lynk, duke shtuar se SHBA e kuptoi që një sistem i fuqishëm i të drejtave dhe përgjegjësive ishte rruga më e mirë për paqen dhe prosperitetin global.

“Tani, ajo po mbështet fuqimisht dhe po merr pjesë në një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar. Detyra e tij ligjore është të izolojë autorët e shkeljeve të të drejtave të njeriut, e jo t’i mbështesë ata”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button