Pyetjet bashkëkohore lidhur me agjërim

Agjërimi nuk do të prishet me përdorimin:

  • Pikave për sy, vesh ose hundë si dhe marrja e tabletave që vendosen nën gjuhë nëse agjëruesi mënjanon përbirjen e asaj që vie te fyti;
  • Materiet që futen në trup nëpërmes lëkurës sikur kremet dhe yndyrat, si dhe larja nuk e prish agjërimin.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të dashurin e Allahut, robin e zgjedhur dhe të dërguarin, Muhammedin s.a.v.s., mbi familjen e tij, sahabët dhe mbi gjithë ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Para nesh është muaji i mëshirës së Allahut, muaji i agjërimit, teravive, leximit të Kuranit, dhe virtyteve tjera sipas të cilave Ramazani i bekuar dallon nga muajt tjerë.

Pejgamberi s.a.v.s. i përgëzonte sahabët për ardhjen e Ramazanit duke thënë:

“U erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar, Allahu ua bëri obligim agjërimin, në këtë hapen dyert e qiellit, ndërsa mbyllen dyert e Xhehennemit, në këtë muaj prangohen shejtanët dhe në të është nata më e mirë se njëmijë muaj.” (Shënon En-Nesai, nr. 2106, baza e hadithit është te Buhariu, nr. 1897 dhe Muslimi, nr. 1079)

Sehl bin Sa’d r.a. transmeton që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet në Xhennet është dera që quhet Er-Rrejjan, nëpër të cilën në ditën e Gjykimit do të hyjnë agjëruesit dhe askush tjetër nuk do të hyjë nëpër këtë derë. Do të pyesin: “Ku janë agjëruesit?” Dhe do të hyjnë, dhe kur hyn i fundit nga ata, do të mbyllet dhe askush pas tyre nuk do të hyjë nëpër këtë derë.” (Buhariu, nr. 1896 dhe Muslimi, nr. 1152)

Këto janë vetëm disa prej transmetimeve të shumta që na zbulojnë mirësitë dhe virtytet e muajit të Ramazanit, muajit në të cilin besimtari ripërtërin dhe forcon lidhjen e tij me Zotin e botëve. Agjërimi, sikur edhe adhurimet tjera, i obliguar në fe dhe i definuar qartë, për këtë është e domosdoshme të gjitha të rejat lidhur me këtë ibadet t’i vendosim në peshoren e burimeve fetare për të vepruar drejtë, në harmoni me normat fetare.

Meqë stili modern i jetës ka hapur shumë pyetje në të cilat agjëruesi duhet të di përgjigjen, do të tregojmë me këtë rast me lejen e Allahut, në pyetjet më të rëndësishme bashkëkohore rreth të cilave ekzistojnë dilema në kuptim, a thua prishin dhe anulojnë agjërimin apo jo.

Në fillim doemos duhet treguar versetin në të cilin Allahu i madhërishëm përmbledh themelin e gjithave që prishin agjërimin:

 “Natën e agjërimit u është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. All-llahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar All-llahu dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në i’tikafë) në xhami, mos t’u afroheni atyre (për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e All-llahut, pra mos i kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë All-llahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen.”

                                                                                                    (El – Bekare, 187)

Ushqimi, pija dhe marrëdhënia intime siç tregon në këtë verseti, prishin agjërimin dhe në këtë është konsenzuesi i dijetarëve islam. Dijetarët gjithashtu janë unanim që menstruacioni dhe nifasi e prishin agjërimin, e në këtë tregojnë fjalët e Pejgamberit s.a.v.s. kur duke folur për gratë ka thënë: “A është kështu, kur gruaja është më menstruacion nuk falet dhe nuk agjëron?” (Buhariu, nr. 304)

Këto janë gjërat të cilat sipas konsezuesit të dijetarëve prishin agjërimin, ndërsa pason të folurit për pyetjet bashkëkohore për të cilat nuk ekziston teksti i drejtpërdrejtë i sheriatit, por dijetarët duke përdorur analogjinë dhe rregullat e përgjithshme të Sheriatit, zbulojnë rregullat e tyre dhe statusin e Sheriatit.

SPREJI PËR LEHTËSIMIN E FRYMËMARRJES (bombola, inhalatori, diskhaleri)

Personat që vuajnë nga astma dhe sëmundjet tjera obstruktive të mushkërive shërbehen me sprej i cili u lehtëson frymëmarrjen. Ky sprej është i përbërë nga uji, oksigjeni dhe ilaçet. Pas frymëmarrjes së thellë spreji spërkatet në gojë dhe përbërja e sprejit në pjesën më të madhe kalon në organet e frymëmarrjes, kalon nëpër gojë, fyt, laring, trake, bronke dhe bronkiole. Një pjesë e vogël e sprejit të thithur mbetet në mukozën e fytit dhe ekziston mundësia që një pjesë e kësaj substance të akumuluar në fyt të përbihet dhe kështu të përfundojë në lukth. Pra, një pjesë e vogël e sprejit mbetet në fyt dhe një pjesë tejet e vogël nga kjo përfundon në lukth.

A thua përdorimi i këtij spreji prish agjërimin apo jo?

Dijetarët në këtë kanë dy mendime të kundërta.

Shumica e dijetarëve është e mendimit që përdorimi i sprejit për lehtësimin e frymëmarrjes nuk e prish agjërimin, e në këtë pason në vijim:

Agjërimi në realitet është i drejtë dhe nuk themi për diç që e prish agjërimin nëse këtë nuk e dimë me siguri. Me përdorimin e sprejit për lehtësimin e frymëmarrjes ekziston mundësia që substanca e thithur të përfundojë në lukth, por me siguri këtë nuk mund ta vërtetojmë. Për këtë themi që agjërimi është i drejtë përderisa me siguri ose me mendimin mbizotërues nuk vërtetohet që një pjesë e kësaj materie ka arritur në lukth.

Sipas pohimeve të mjekëve mundësia e kësaj pjese të vogël të materies të arrijë në lukth ekziston, por kjo është vetëm mundësi dhe nuk mund të ndodh patjetër.

Pos kësaj, nëse sasia e vogël e kësaj substance edhe nëse përfundon në lukth, nuk do ta prish agjërimin, sepse kjo është sasi minimale e cila tolerohet dhe falet analogjikisht me dy gjëra:

  1. Shpërlarja e gojës dhe hundës. Pejgamberi s.a.v.s. duke përshkruar marrjen e abdesit ka thënë: “Tepro gjatë shpërlarjes së hundës, përveç kur agjëron.” (Ebu Davudi nr. 142, Tirmidhiu nr. 788, dhe tjerët, hadithi është sahih)

Pra, agjëruesit i lejohet ta shpërlajë gojën dhe hundën, por është e ndaluar në këtë ta teprojë nga frika që të mos e pijë, ndërsa lagështia e cila pas larjes mbetet në gojë nuk e prish agjërimin. Kur agjëruesi e shpërlan gojën me ujë në lukthin e tij arrin sasi më e madhë e lagështisë sesa kur përdoret spreji.

Sasia e lagështisë e krijuar nga përdorimi i sprejit nëse arrin në lukth është tejet e vogël, ngase spreji me vëllim 10 ml është i mjaftueshëm për dyqind spërkatje, që d.m.th. nga njëzet spërkatje shpenzohet gjithsej 1 ml sprej.

Nëse shtojmë në këtë edhe faktin që pjesa më e madhe e sprejit arrin në organet e frymëmarrjes, ndërsa në fyt mbetet vetëm një pjesë e vogël, mund të themi me siguri që sasia e lagështisë e cila mund të vie deri te lukthi me përdorimin e sprejit është shumë e vogël në krahasim me sasinë që mund të vie në lukth me shpërlarjen e gojës.

Mjekët pohojnë se nëse njeriu shpërlan gojën me lëng që mund të përcillet me rrezet e rentgenit, pas një kohe të shkurtër do të gjinden gjurmët e lëngut në lukth. Por, shpërlarja e gojës nuk e prish agjërimin. Në mënyrë analoge, përdorimi i sprejit, i cili shkakton shumë më pak lagështi në gojë nuk do ta prish agjërimin.

  1. Përdorimi i misvakut. Amir ibn Rebia r.a. ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut shumë herë sesi shfrytëzonte misvakun gjatë gjatë agjërimit.” (Buhariu, mualekan – pa sened, transmetimi është i dobët, ndërsa agjëruesit i lejohet ta përdor misvakun, sipas mendimit të drejtë të dijetarëve për shkak të argumenteve tjerë që tregojnë në këtë)

Gjatë pastrimit të dhëmbëve me misvak tajohen disa lëngje të caktuara të cilat lagin gojën dhe mund të përfundojnë në lukth. Por, edhe pas kësaj përdorimi i misvakut nuk e prish agjërimin dhe analogjikisht agjërimi nuk do të prishet me përdorimin e sprejit për lehtësimin e frymëmarrjes, i cili shkakton më pak lagështi në gojë se misvaku.

Dijetarët të cilët kanë qëndrim që spreji për lehtësimin e frymëmarrjes prish agjërimin, mendimin e tyre e bazojnë në atë që me përdorimin e sprejit, pjesa e lëngut arrin në lukth, ndërsa hyrja e lëngut në lukth e prish agjërimin, sepse kjo është formë e pijes e cila me agjërim ndalohet.

Ithtarët e mendimit të parë përgjigjen në këtë argument se arritja e lagështisë në lukth kategorikisht nuk është e sigurt, nëse supozojmë se vërtet arrin. Kjo është sasi tejet e vogël e cila falet dhe tolerohet në mënyrë analoge me lagështinë e cila arrin në lukth gjatë shpërlarjes së gojës dhe me përdorimin e misvakut.

Andaj, përdorimi i sprejit për lehtësimin e frymëmarrjes nuk e prish agjërimin, mirëpo është e lavdëruar me dalë nga rrethi i ndarjes me marrjen e mendimit më gjithëpërfshirës, dhe nëse i sëmuri nuk ka nevojë, nuk do ta shfrytëzojë sprejin, e nëse ka nevojë do ta shfrytëzojë, dhe agjërimin inshallah e ka të drejtë.

Nëse i sëmuri përdor inhalimin me aparate speciale të cilët lëngun e përzier me ilaçe e kthejnë në avull, të cilin pacienti e thith me maskë speciale, në këtë rast arritja e pikave të lëngut në lukth është më e sigurt dhe i sëmuri këtë nuk mund ta pengojë.

Nëse pacienti përdor këtë lloj të inhalimit gjatë agjërimit, do ta ndërprejë agjërimin dhe këtë ditë do ta agjërojë më vonë. (El-Munexhid, Fetava islam sualun ve xhevab, nr. 78459)

TABLETAT QË VENDOSEN NËN GJUHË

Mjekët kanë konstatuar që regjioni nën gjuhë është vend nga i cili trupi më së shpejti thith dhe absorbon ilaçin, për këtë shkak janë ilaçe me veprim të shpejtë, sikur ilaçet te sëmundjet e zemrës, tensionit të lartë, janë të përgatitur që në organizëm të futen të tretur nën gjuhë. Në këtë mënyrë për një kohë shumë të shkurtër trupi e absorbon substancën medikamentoze dhe ajo me gjak arrin deri te zemra. Kolegiumi i juristëve islam me qendër në Xhidde në mbeldhjen e tyre të dhjetë solli konkludim që këto tableta, nëse nuk përpihet pështyma që mbet pasi që të tretet tableta, nuk e prish agjërimin.

Kështu tableta e resorbuar në gjak nuk është as ushqim e as pije, sepse nuk arrin në lukth, dhe as trupit nuk i jep fuqi dhe freski sikur ushqimi. Për këtë, shkrirja e tabletave nën gjuhë nuk e prish agjërimin me kusht që ngecja e pështimës të hudhet nga goja, e nëse përpihet, agjërimi prishet dhe i sëmuri atë ditë do ta agjërojë më vonë.

EKZAMINIMI ENDOSKOPIK I SISTEMIT TË LARTË TË ORGANEVE TË TRETJES

Shikimi optik i kapërcallit, lukthit dhe zorrës dymbëdhjetëgishtore kryhet me përdorimin e gastroskopit, d.m.th. me aparatin i cili përbëhet nga një gyp i ngushtë i gomës me optikë në maje, i cili nga goja apo hunda hyn në lukth.

A thua ky ekzaminim e prish agjërimin?

Dijetarët juridik klasik të islamit kanë shqyrtuar çështjen me të cilën kjo pyetje mund të identifikohet.

Në të vërtet, kanë polemizuar a thua agjëruesit i prishet agjërimi nëse përpin diç që nuk është ushqim dhe që nuk tretet në lukth, sikurse guraleci, pulla ose të hollat metalike. Shumica e dijetarëve ka qëndrim që përpirja me qëllim e çfarëdo sendi, pa marrë parasysh qoftë ushqyese apo jo, e prish agjërimin, sepse kjo trajtohet si ushqim, ndërsa ushqimi e prish agjërimin.

Këtë qëndrim e kanë medhhebët hanefij, shafij, malikij dhe hanbelij, por që hanefitë potencojnë që agjërimi prishet vetëm nëse mjeti i përpirë tërësisht hyn në lukth, por nëse një skaj mbetet jashtë ose nëse është i lidhur me peri dhe ngjajshëm, agjërimi nuk prishet. (Hashijetu ibnil-Abidin, 2/397)

Ekziston edhe mendimi i dytë rreth kësaj çështje, d.m.th. që përpirja e sendeve të ngjajshme nuk e prish agjërimin.

Këtë mendim e përfaqëson një pjesë e malikive, por e ka zgjedhur edhe Ibn Tejmije.

Argument i këtij mendimi është që përpirja e sendeve jo ushqyese, sikur guralecët, nuk trajtohet ushqim dhe pije dhe as trupi nga kjo nuk ka dobi. Në hadithin kudsi, Allahu i madhërishëm për agjëruesin thotë: “E lë nevojën e tij dhe ushqimin e tij për Mua.” (Muslimi nr. 1151)

Hadithi tregon që agjërimi prishet me konsumimin e ushqimit, ndërsa sendet e ngjajshme nuk janë ushqim.

Ky mendim është i pëlqyer, sepse përpirja e sendeve që nuk janë ushqyese dhe nuk treten në lukth nuk është në kuptimin e ushqimit dhe pijes dhe nuk e forcon trupin, ndërsa Allahu e di më së miri.

Me aplikimin e kësaj çështje në ekzaminimin endoskopik, konkludojmë që sipas medhhebit hanefij, hyrja e gastroskopit në gojë, kapërcall e pastaj në lukth nuk e prish agjërimin, sepse një pjesë e tij mbetet jashtë. Gjithashtu agjërimi nuk prishet sipas mendimit të zgjedhur që përpirja e sendeve jo ushqyese nuk e prish agjërimin.

Mirëpo, praktikisht mund ta bëjmë dallimin në mes dy gjendjeve:

  1. Që mjeku gjatë ekzaminimit endoskopik me anë të gastroskopit të fut substanca ushqyese dhe tretëse në organizëm, qoftë duke lyer gypin me materie yndyrore për të rrëshqitur më lehtë, ose nëpërmes gypit të fut lëng i cili pastron kokën optike për fotografim më të lehtë. Në këtë rast ky ekzaminim e prish agjërimin, sepse këto substanca hyjnë në lukth dhe organizmi i përpunon.
  2. Gjatë ekzaminimit të mos hyjnë materiet ushqyese dhe zbërthyese në fyt dhe lukth.

Në këtë rast futja e gastroskopit nuk e prish agjërimin. Sipas medhhebit hanefij, kjo nuk do ta prish agjërimin, sepse një pjesë e mjetit hyrës mbetet jashtë lukthit, dhe sipas mendimit që kemi preferuar, kjo nuk do ta prish agjërimin, sepse nuk është ushqim, nuk zbërthehet, nuk i shërben organizmit dhe nuk mohon urtësinë agjërimit.

PIKAT PËR HUNDË

Zgavrra e hundës është e lidhur me fyt dhe është e mundur që nëpërmes hundës lëngu të arrijë te lukthi, andaj është e nevojshme të shpjegojmë a thua pikat në hundë e prishin agjërimin apo jo?

Shumica e dijetarëve bashkëkohor është e mendimit që futja e pikave në hundë e prish agjërimin, ngase lëngu i vendosur në hundë kalon në fyt e pastaj në lukth.

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Teproni gjatë shpërlarjes së hundës përveç kur agjëroni.” Ndërsa me futjen e pikave, lëngu depërton më thellë në hundë sesa gjatë shpërlarjes se hundës, dhe kjo është tejkalim në shpërlarje, e sidomos nëse futen sasi e madhe e pikave.

Mendimi i dytë që i përmbahen grupi i dijetarëve bashkëkohor, është që futja e pikave në hundë nuk e prish agjërimin, sepse pjesa më e madhe e pikave shkon në sistemin e frymëmarrjes dhe në xhepat e hundës, ndërsa sasia që arrin në fyt dhe eventualisht në lukth është shumë e vogël dhe tolerohet, analogjikisht me sasinë e lëngut që arrin në lukth me shpërlarjen e gojës.

Këtë qëndrim e ka zgjedhur kolegiumi i juristëve islam me kusht që agjëruesi mos ta përpijë lëngun i cili vie në fyt pas vendosjes së pikave, por nëse e përpin, agjërimi i prishet.

 

PIKAT PËR VESH

 

Veshi nuk është i lidhur me fyt dhe pikat që vendosen në të nuk arrijnë në fyt, përveç në rast se membrana e timpanit është e dëmtuar ose e shpuar. Andaj, futja e pikave në vesh nuk e prish agjërimin, sepse këto nuk janë formë e ushqimit ose pijes dhe nuk arrijnë në fyt dhe lukth. Por, nëse membranat e veshit janë të dëmtuara ose të shpuara, atëherë ekziston mundësia që pikat të arrijnë deri në fyt, mirëpo sasia e lëngut që eventualisht mund të arrijë në fyt, është tejet e vogël, kështu që kjo tolerohet dhe nuk prishet agjërimi.

 

PIKAT PËR SY

 

Syri nëpërmes hundës është i lidhur me fyt dhe futja e pikave në sy ka mundësi të vie deri te fyti. A thua me këtë prishet agjërimi apo jo?

Dijetarët bashkëkohor kanë mendime të ndryshme.

Një pjesë e dijetarëve janë të mendimit se futja e pikave në sy e prish agjërimin, mirëpo shumica e dijetarëve është e mendimit se nuk prishet agjërimi, sepse sasia e lëngut e cila eventualisht do të arrijë në fyt është tejet e vogël dhe nuk e është më e madhe se lëngu që mbet në fyt gjatë shpërlarjes së gojës.

Në mesin e ekspertëve të mjekësisë ekziston mendimi që është e pamundur që pikat e syve të vijnë deri te fyti, ndërsa ndjenja e ithtësisë që njeriu ndien në fyt nuk është pasojë e pikave, por ky është reaksion i qendrës për shije pasi që trupi i ka thithur pikat.

INJEKSIONET

Injeksionet ushqyese ose infuzionet që hyjnë në gjak e prishin agjërimin.

Edhepse infuzioni nuk është sikur që ushqimi klasik dhe pija për nga mënyra e futjes në organizëm, ajo është sikur ushqimi dhe pija sipas efektit, ngase trupi me marrjen e infuzionit ndien ngopje dhe fiton forcë dhe freski. Ndonjëherë, i sëmuri me ditë të tëra ushqehet vetëm me infuzion pa ushqim tjetër shtesë, e që tregon qartë se infuzioni është sikurse ushqimi dhe pija.

Sa i përket injeksioneve me të cilat futet lëngu nën lëkurë, në muskul apo venë, ato nuk e prishin agjërimin, ngase nuk janë ushqim ose pije, nuk vijnë deri te lukthi dhe nuk e kanë rëndësinë e ushqimit dhe pijes. Kjo d.m.th. që agjëruesit nuk i prishet agjërimi me marrjen e injeksioneve të insulinës, antibiotikëve dhe ilaçeve të ngjajshëm.

 

DIALIZA

 

Dializa është proces i cili shërben që të zëvendësojë funksionin e veshkëve te insuficienca e tyre. Më së tepërmi në përdorim është e ashtuquajtura kemodializa me të cilën bëhet filtrimi i gjakut të pacientit në atë mënyrë që gjaku pompohet dhe dërgohet nëpër aparat të veçantë në të cilin mënjanohen produktet toksike. Me këtë rast në gjak futen edhe substanca të caktuara me qëllim të forcimit të gjakut dhe organizmit.

Për shkak të shtimit të këtyre substancave, grupi i dijetarëve bashkëkohor është i mendimit që dializa e prish agjërimin, sepse me anë të dializë përveç pastrimit, në gjak futen materie ushqyese. Në anën tjetër, dializa nuk mund të krahasohet me nxjerrjen e gjakut nëpërmes hixhamit i cili e prish agjërimin nëse e dobëson agjëruesin. Enes ibn Maliku r.a. i pyetur se sahabët a e kanë përbuzur hixhamin gjatë agjërimit, është përgjigjur: “Nuk e prish, pos dobësisë!” (Buhariu nr. 1940)

Për këtë, shumë dijetarë mendojnë që dalja e gjakut gjatë hixhamit e prish agjërimin, sepse e dobëson agjëruesin, dhe dializa gjithashtu është e mundimshme dhe molisëse për organizëm.

Andaj, nëse agjëruesi bën dializën, do ta ndërprejë agjërimin, ndërsa ditët e lëshuara do t’i agjërojë më vonë. Nëse nuk ka mundësi dhe nuk ka shansë që më vonë t’i kompensojë ditët e agjërimit, për çdo ditë të lëshuar të agjërimit do ta ushqejë nga një të varfër.

Kolegiumi i juristëve islam me qendër në Xhidde në mbledhjen e dhjetë ka shqyrtuar çështjet lidhur me agjërim. Kolegiumi ka dalë me konkludim (nr. 93/1/10) i cili bën rezyme përgjigjeve të shumta më parë, ndërsa përmendet që agjërimi nuk prishet me përdorimin e:

  1. Pikave për sy, vesh ose hundë si dhe marrja e tabletave që vendosen nën gjuhë nëse agjëruesi mënjanon përbirjen e asaj që vie te fyti;
  2. Materiet që futen në trup nëpërmes lëkurës sikur kremet dhe yndyrat, si dhe larja nuk e prish agjërimin;
  3. Aparatet medicinale që futen në trup për ekzaminim, përveç nëse futet lëngu me këtë rast me këta;
  4. Injeksionet që jepen në lëkurë, muskuj ose vena, nëse nuk janë ushqyese, sikurse insulina, antibiotikët, etj;
  5. Gazrat gjumëvërës, nëse të sëmurit nuk i jepen materie ushqyese;
  6. Lejohet kurimi, nxjerrja dhe pastrimi i dhëmbëve nëse agjëruesi shmanget nga përpirja e asaj që vie në fyt.

Allahu i madhërishëm e di më së miri.

Atij i lutemi të na jep sinqeritet, të na mësojë me rregullat e fesë dhe të na lehtësojë veprimin sipas tyre.

 

Revista islame El-Asr nr.49.

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button