Pacolli prej dje i karantinuar në banesën e tij në Prishtinë, premtoi se do të voton për qeverinë e re

Krijoi zhurmë të madhe mediatike refuzimi i Prishtinës zyrtare për të pranuar uljen e avionit privat të Behgjet Pacollit pa ju nënshtruar procesin e karantinimit. Në këto kushte ai u ul në Tiranë nga Zvicra.

Vetë kreu i AKR, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë për Ora News se nuk ka pasur asnjë pretendim për karantinimin.

Pacolli: Makineria informative e qeverisë së Kosovës praktikisht ka dashur të tregojë se unë po kërkoj kushte speciale pas kthimit tim nga Zvicra. Kam kërkuar vetëm trajtim të barabartë. Do të ishte nder po të isha në karantinë 14 ditore me studentët. Por do të hidhërohesha nëse unë jam aty dhe në mënyrë selektive këngëtarë dhe anëtarë të VV vijnë nga aeroportet dhe shkojnë në shtëpitë e tyre.

Gjithçka sipas tij është bërë për ta privuar nga votimi i qeverisë së re në Kuvend dhe pse Pacolli nënvizon se nuk ka pasur asnjë deklarim publik nga ana e tij rreth kësaj çështje.

Pacolli: Kemi sot një listë me shumë emra të njerëzve që vinë nga Beogradi dhe shëtisin në Kosovë kurse mua më kërkonin pa u shprehur fare që nuk dua të futem në karantinë. Konvikti ka qenë perfekt për mua. Por kur shoh që një deputet i Serbisë, qytetarët e Serbisë shëtisin këtu dhe nuk futen në karantinë, unë pse të shkoj. Kanë dashur me forcë të më privojnë nga e drejta ime të votoj në parlamentin e Kosovës. Unë nuk isha deklaruar fare nëse do të jem pjesë e qeverisë së re. AKR nuk do të jetë pjesë e kësaj qeverie. 

Dhe deri në momentin e kërcënimit që më është bërë nga i pari i qeverisë dhe ministri i Punëve të Brendshme vota ime nuk ka qenë e sigurt, nëse do të votoj për qeverinë e re apo jo. Duke qenë se u frikësova aq shumë kam vendosur të bëj çmos që kjo qeveri sa më parë të ikë nga skena politike e Kosovës. Kosova nuk është ndërtuar për një qeveri të tillë. Nuk është ndërtuar Kosova që të shkatërrohet gjithë ajo punë  që është bërë deri tani. Shikoni kompanitë publike, Bordet, janë shkarkuar çdokund dhe janë zëvendësuar me militantë të VV. Këtë gjë që ka përjetuar Kosova këta muaj nuk do të kisha dashur asnjëherë të ndodhë.

Pacolli zbuloi se prej ditës së djeshme, e enjte 30 prill, ndodhet në Prishtinë, i vetëkarantinuar në banesën e tij.

Pacolli: Dje kam ardhur në Prishtinë dhe jam mbyllur në shtëpinë time.Tani kanë filluar provokimet nga zëdhënësit e tij, zëdhënësit e kësaj qeverie, ku fillojnë me frikësime.

Përkundër këtyre kushteve ai thotë se do ta gjejë mundësinë për të votuar qeverinë e re në seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet nesër.

Pacolli: Dhe pse jam në vetëizolim do të gjej rrugë legale që do të ma mundësojnë votimin e qeverisë. Sot e them për herë të parë që vota ime dhe partisë sime është pro qeverisë së re.

Sulmet dhe të gjithë situatën  e krijuar ndaj tij ai e cilëson të patolerueshme.

Pacolli: Hakmarrjet, inatet duhet ti lëmë anash.  Nuk e keni parë në çfarë mënyre më kanë trajtuar prej momentit jam nisur prej Luganos, sa kanë insistuar që unë të mos arrij në Kosovë. Po i lë anash të gjitha kërcënimet të gjuhës që përdorin militantët e VV por nëse ju kërcënoheni dhe nga kryeministri që thotë më tregoni vendodhjen ku jeni se do të vij me zëvendësministrin dhe drejtorin e policisë dhe do ju konfrontoj. Është shembulli më diktatorial që mund të përjetosh në Kosovën e lirë, europiane dhe demokratike. Nuk mungon dhe ministri i Punëve të Brendshme që del në konferencë për shtyp dhe thotë zoti Pacolli duhet të lajmëroni menjëherë ku jeni ndryshe do t’ju arrestoj. Kjo për shkak të paragjykimeve se unë do të vij dhe votoj qeverinë e re. 

Pacolli: AKR mbetet jashtë koalicionit por do të mbështetë çdo veprim të çdokujt që shkon në interes të qytetarëve të Kosovës dhe një qeverisje të mirëfilltë të vendit. Dhe pse do të rrimë në opozitë kemi vendosur se dy votat e AKR do të shkojnë në favor të krijimit të kësaj qeverie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button