Profesorët Sulejmani dhe Labroska e promovuan librin me bashkëbisedime maqedonisht-shqip / shqip-maqedonisht

Dekani i Fakultetit Filologjik, Berton Sulejmani në bashkautorësi me profesoreshën Veselinka Labroskën, këshilltare shkencore në Institutin e Gjuhës Maqedonase “Krste Misirkov”-Shkup dhe profesoreshë në Programin Studimor Gjuhë dhe Letërsi Maqedonase në Universitetin e Tetovës, më 30 prill 2020, e promovuan “online” librin e tyre të radhës me titull: “Libër bashkëbisedimesh maqedonisht-shqip / shqip-maqedonisht” (“Македонско-албански / Албанско македонски разговорник”). Botuesit e këtij libri bashkëbisedimesh, Qendra për Dialog – Nansen, Shkup dhe Komisari i Lartë i Pakicave Kombëtare, mundësuan realizimin e këtij projekti tejet të bukur, gjithnjë, për ta nxitur komunikimin ndërmjet dy popujve, maqedonasve dhe shqiptarëve, në Maqedoninë e Veriut.

Krahas botimit si libër, të njëjtin, mund ta shkarkoni falas, për celular Android nga Play Store, ndërsa për iOS nga App Store.

Po ashtu, librin mund ta gjeni edhe në ueb faqen www.fraza.mk  nga e cila mundet të shkarkohet aplikacioni për kompjuter personal.

Libri përmban këto pjesë: Parathënie, Përmbajtje e Fjalë themelore brenda së cilës janë dhënë këto përmbajte: Numra, Përshëndetje, Shprehje të mirësjelljes, Ditë të javës, Muaj të vitit, Emra qytetesh të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Emra qytetesh të mëdha nga rajoni i afërt, Emra shtetesh, Festa, Frazeologji shqip-maqedonisht, Frazeologji maqedonisht-shqip. Në vazhdim, përkatësisht në pjesën kryesore të librit janë përfshirë 42 dialogë në të cilët janë dhënë situata interesante e karaktere të veçanta. Ja disa nga titujt të dialogëve: Në taksi, Në stacionin hekurudhor, Në tren, Në qoshk, Në autobusin e qytetit, Në gjimnaz, Në postë, Për në aeroport, Informacione, Njohje, Në kampin veror, Në zyrën e gjendjes civile, Te këpucëtari, Në restorant, Në treg, Shëtitje, Udhëtim me anije etj.

Dialogët realizohen nëpërmjet karaktereve të veçanta të cilët flasin në gjuhën standarde shqipe e maqedonase, por që dialogu të jetë sa më i kapshëm, kemi dhënë edhe variante të gjuhës së përditshme. Pas secilit dialog, është dhënë nga një fjalorth me fjalë/shprehje të marra nga situata e dhënë dhe nga një pjesë fare e shkurtër për njohje elementare të gramatikës duke veçuar një pjese të ligjëratës (folje, emër, mbiemër, përemër, lidhëz, parafjalë, nyje etj.) nga dialogu i dhënë. Të gjithë këtë mbarështim, e kanë menduar dhe e kanë punuar me përkushtim të madh, autorët Sulejmani e Labroska. Për t’i thelluar njohuritë, në fund të çdo dialogu, kanë dhënë nga një fjalë të urtë me kuptim të njëjtë për të dy gjuhët, shqipen e maqedonishten. Brenda dialogëve, janë dhënë edhe fakte të rëndësishme historike e gjeografike për ato vende ku dhe zhvillohet ngjarja nga personazhet e këtij libri.

Me ndihmën e këtij libri bashkëbisedimesh, gjithsecili që do, mund ta mësojë qoftë gjuhën maqedonase, qoftë gjuhën shqipe. Nëpërmjet dialogëve të këtij libri, madje i pari i këtij lloji në vendin tonë, mund të mësoni drejtshqiptimin dhe drejtshkrimin e të dy gjuhëve, më lehtë dhe më shpejt, vetëm duke shtypur disa butona që jua japin aplikacionet e mësipërme elektronike, ose nëpërmjet mënyrës më të zakonshme, duke shfrytëzuar versionin e shtypur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button