(VIDEO) “Alma M”, kompania më e mirë shqiptare e vitit

Alma-M është kompania më e suksesshme shqiptare e vitit në Maqedoni sipas suksesit të arritur gjatë vitit 2011, ka vlerësuar sot Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore (OEMVP) në manifestimin e sotëm që u mbajt në Shkup me temë TOP 100 kompanitë më të mira shqiptare në vend. 

Ngjarjen e ndoqët drejtpërsëdrejti në Portalb. Më poshtë është xhirimi i plotë.

Pronar i Alma-M është Muharem Murtezani ndërsa kompania është themeluar më 1991, veprimtaria e saj është distribuomi i mallrave për konsum të gjerë. Sot, Alma-M ka mbi 200 të punësuar, një magazinë të re ultra moderne me mbi 2000 metra katror dhe administratë prej 1800 metra katror.

Në vend të dytë u rangua ndërmarja Gemak e cila merret me ndërmjetësim në tregtinë me ushqim, pije dhe duhan pronar i së cilës është Enver Maliçi. Ndërsa në vendin e tretë ishte ndërmarja Euro Aktiva e cila vepron në tregtinë e drurit, konstruksioneve të drurit dhe materialeve ndërtimore, pronarë i së cilës është Nuhi Aliu.

Në  fjalimin e tij , Muharem Murtezani tha se është i lumtur që është shpallur i pari në këtë listë prej 100 kompanive, dhe se dëshiron që ky sukses të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

“Është një kënaqësi që jam unë i zgjedhur prijës në këtë katalog prej 100 kompanive dhe dëshira është që ta mbaj këtë vend të parë dhe të kem tjerë të cilët më përcjellin në këtë drejtim” tha Murtezani.

Përkrah afaristëve shqiptar, ishte prezent edhe ministri i Ekonomisë Valon Saraçini i cili në fjalimin e tij tha se kompanitë shqiptare kanë ndikim të madh për shtetin dhe qytetarët.

“Ajo që është me rëndësi të përmendet është se ju siguroni punë për mijëra qytetarë në vend, ndërsa performancat e juaja tregojnë qartë se në të ardhmen  do të krijoni kushte për hapje të vendeve të reja të punës”, tha Saraçini.

“Sipas të dhënave zyrtare vetëm në këto 100 kompani, janë punësuar më shumë se 4500 njerëz, ndërsa në të gjitha kompanitë shqiptarë punojnë më tepër se 25 % nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin real. Të gjitha këto parametra tregojnë se kompanitë shqiptare janë faktor serioz në tregun real”, shtoi ai.

Për Portalb foli edhe kryetari i OEMVP-së Menderez Kuçi i cili tha se kompanitë shqiptare ndikojnë shumë në ekonominë e vendit .

“Këto të dhëna dëshmojnë se kompanitë shqiptare dhe populli shqiptar në Maqedoni jep kontributin e vet në ekonomin e vendit dhe ka ndikimin e saj, ndoshta profesor Izet Zeqiri do reagonte në këtë çështje dhe do thoshte ku është këtu remitenca, nëse ia shtojmë remitencën aty do të duket qartë se ndoshta mbi 50 % kontributi është i kompanive të cilët kanë pronar shqiptar”, tha Kuçi.

Ai  më tej shtoi se edhe përkrah krizës ekonomike globale edhe problemeve tjera me të cilat përballet ekonomia e vendit, kompanitë shqiptare ia dalin mirë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button