Për një hero letrar të ngulitur në memorjen e lexuesve

Milan Kundera, njëri ndër shkrimtarët e mëdhenj të letërsisë së sotme botërore, thotë se historia s’është tjetër pos histori personalitetesh të paktë letrarë si: Don Kishoti, Fausti, Don Zhuani…, të cilët lënë gjurmët e tyre nëpër kohërat dhe hapësirat e ndryshme.

Në kontekstin e kulturës shqiptare, kjo mund të thuhet për personazhët e pavdekshëm letrarë, si puna e Nicës dhe Haxhi Miletit të Kadaresë, Shokut Zylo të Dritëro Agollit, Xhezairit të Gjikës të Rexhep Qosjes, apo e Babait të Luan Starovës – kryeprotagonistit të serisë romanore Saga ballkanike, që është shndërruar në figurë të qëndrueshme arhetipale, të ngulitur fuqishëm në memorjen e lexuesve të hapësirës kulturore evropiane.

Babai është figurë komplekse: njeri që ka mbijetuar katër regjime despotike, secili më i mbrapshtë se tjetri, veprimtar i shkathtë dhe i guximshëm në periudha të trazuara historike, kryefamiljar i detyruar të braktisë atdheun dhe të kërkojë udhën e mbijetesës së familjes në ekzil, nëpunës i heshtur dhe i përqëndruar në detyrën prej së cilës siguron bukën e gojës, intelektual erudit, njohës i disa gjuhëve dhe kulturave të Lindjes e të Perëndimit, i dhënë i tëri pas librave të shumëllojshëm që i merrte me vete ngado që e shpiente fati i jetës.

Bota e tij është e vetmuar. Në krah ka vetëm të shoqen dhe familjen, po edhe këta më shumë si një barë me të cilën nuk mund të lëvizë lirshëm nëpër jetë. I gjendur në mjedis të huaj e mosbesues për shumë arsye, në hapësirën me limite të një azilanti, ai kërkon mekanizmin e ruajtjes së vijave identitare dhe shmangies së fatit të jeniçerit që, në ambientin e “tjetrit”, duket i pamundshëm. Në këso rrethanash nis e tëhuajsohet dalëngadalë nga rrethi dhe nga njerëzit, por me besimin e plotë se bota megjithatë është e ndreqshme, falë të fshehtave të mbyllura në faqe librash dhe në renditjen e tyre nëpër raftet e bibliotekës, sipas një rendi kuptimin dhe efektin e të cilit e di vetëm ai.

Babai jeton në një rreth pa imperative morale, me njerëz shpirtrobër që pandehin se jetojnë në rrethana normale. Ai është i ndryshëm prej viktimave të thjeshta të pushtetit monist. Librat e kishin mësuar se diktaturat i ndërrojnë emrat, po jo dhe mënyrën e ndrydhjes së vullneteve njerëzore. Ai e dinte se komunizmi mbështetej në floskula ideshë të mëdha, në premtime e shpresa të rreme që e bënin të padukshëm katandisjen e njerëzve në kandra kafkiane. Megjithatë, i kuptonte edhe njerëzit që e presin shpëtimin nga po ata që i ndrydhin dhe i poshtërrojnë në vazhdimësi.

Babai përfaqëson idenë humane të barazisë mes të ndryshmive, i bindur se vetëm kësisoj mund ta ruajë identitetin (kush-jamin) e familjes. Si i këtillë, ai është në rolin e apostujve të fesë, që njerëzit i konceptojnë si vëllezër. Në praktikë kjo nuk është larg rolit të një idelaisti epokash e sistemesh të dështuara shoqërore që propagonin vëllazërinë dhe barazinë, pa u vajtur mendja te sindromi i përsëritur i tragjedisë së T. Hobsit, në të cilën  i shtypuri i djeshëm luan rolin e ujkut të sotëm…

Në disa romane, përkatësisht në pjesë të caktuara të tyre, babai duket pasiv dhe i painteresuar për problemet reale të jetës. Në pjesë të tëra, ndërkaq, është hero i aksionit dhe i gatshëm për flijime. Ai ka ide të qëndrueshme për realitetin dhe asnjë rrethanë nuk ia luhat kuptimin bazë për gjërat. Por, ndodhet në ekzil dhe i duhet të jetë i kujdesshëm. Me aktin e ikjes nga vendlindja e zgjodhi dhe rolin që do t’i duhej ta luajë në vendin e huaj – rolin e një sfidanti të fshehur të së keqes, që nuk kushtëzohej nga natyra e tij, por nga kujdesi për të ardhmen e fëmijëve. Në familjet e varfëra heshtja është pasuri…, shkruan autori, duke e lënë të hapur mundësinë e marrjes me mend të kuptimit të heshtjes në familjet azilante. Krejt kompromiset që Babai detyrohet t’i bëjë kanë për shkas fatin e më të dashurve të tij. Kjo e bën që nganjëherë të duket sikur i kalkulon së tepërmi disa gjëra, sikur i afrohet vijës së konformizmit, sepse detyrohet të bëjë gjeste të parëndomta, që në rrethana tjetërfare nuk do t’i bënte.

Fati i tij, sipas akademik Ali Aliut, është ai i dhisë ndër dhen, fati i njeriut që detyrohet të fshehë përcaktimet e vërteta vetëm për të mbijetuar në mjedisin që, sado mirë e priti, nuk ishte i tij. Jeta e babait është e dyzuar, e ndarë mes mikrobotës familjare të gjendur në vorbullën e diktarurës moniste, që kërkon sakrifica të dhimbshme dhe jetës së mbyllur në universin e librave, brenda të cilit lundron papengueshëm dhe ndjehet tamam ai që është: njeri shpirtlirë.

Dyzimi i babait lidhet me dyzimin e siujdhesës ballkanike, të njohur nga bota si hapësirë trazirash, luftërash shkatërrimtare e migrimesh masovike, ekzodesh biblike e gjenocidesh barbare, në njërën anë, dhe si mjedis që ka njohur paqe dhe përafrime të sinqerta mes komunitetesh të ndryshme, kryesisht gjatë epokave të pushtimeve nga perandoritë më të fuqishme të kohëve.

Babai e provoi më shumë se një herë ta gjejë lirinë e vet, por aq herë dhe e humbi. Herën e parë, kur gjeneralët albanofilë francezë, vendosën të ndihmojnë formimin e republikës së Korçës e të Pogradecit; herën e dytë, kur ishte student në Stamboll dhe kur Ataturku rrënoi ëndrrën e tij osmane – kur Turqia moderne braktisi alfabetin osman në të cilin kishte investuar aq shumë; kurse herën e tretë, kur pas shpërnguljes nga Pogradeci dhe vendosjes në Jugosllavi, arriti epoka staliniste.

Kjo mund të jetë në pika të shkurta hyrja në portretin e kryepersonazhit atipik të një vepreje atipike letrare, të karakterizuar nga qetësia dhe heshtja solemne. Por: vetëm hyrja, sepse babai është univers i tërë, për figurën e të cilit ndërlidhen një shumësi mitesh të lashta religjioze e letrare: krishtësh e nuhësh, sizifësh e feniksësh, prometejësh e odiseshë, donkishotësh e robinsonkrusoshë…, që e pasurojnë sagën me shtresa ndërtekstore, kurse Babain e bëjnë të qëndrueshëm në mesin e personazhëve të paharruar letrarë.

Dënimi më i madh të cilin ia dha fati i jetës ishte mundësia e kufizuar e veprimit. Ai ishte i vetëdijshëm se në vend të huaj, më shumë se në atdhe, vlen ajo porosia e famshme e filozofit francez me prejardhje rumune – Emil Sioranit: “Provo të jetosh i lirë, do ngordhish urie!”. A s’ishte kjo arsye e mjaftueshme për t’u strehuar brenda botës së madhe të librave, që mund të kuptohet lirshëm dhe si një lloj vetëflijimi për lirinë utopike personale dhe të ardhmen e sigurt të fëmijëve të tij?

Babai është shembulli i gjallë, personazhi, me figurën e të cilit përfaqësohet beteja e madhe e individit të gjendur mes darëve të një diktature, beteja e mbijetesës familjare dhe lufta më origjinale dhe më e padëmshme për të shpëtuar nga ky kaos, pa shitur asnjë copë shpirti: duke ruajtur dinjitetin njerëzor dhe, kur e donte nevoja, duke u treguar më i shkathtë se budallenjtë e sistemit stalinist. Këtë betejë donkishotiane të babait, që përfaqëson triumfin e dritës ndaj errësirës, ngadhnjimin e lirisë ndaj prangave turlifare, Luan Starova e shpërfaq me një cikël të suksesshëm romanesh, rëndësia e të cilëve ka kaluar prej vitesh kufinjtë e të gjitha pritjeve të autorit, duke na dhënë veç tjerash portretin një Babai të gjithkohshëm…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button