RMV, këto rregulla parashikohen për organizimin e dasmave nëpër restorante gjatë kohës së pandemisë

Komisioni për Sëmundje Infektive po përgatit protokolle në lidhje me atë se si do të organizohet puna e restoranteve, hoteleve, shkollave dhe çerdheve, dhe në mes të muajit maj do të paraqitet koncepti, tha sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, njofton Portalb.mk.

Duke u përgjigjur në pyetje gazetareske se si do të organizohen dasmat kur të hapen restorantet, Filipçe tha se gjithsesi do të ketë disa kritere të caktuara për atë se si do të vendosen tavolinat dhe do të paralajmërohen që të mbahet distancë.

“Komisioni tanimë po përgatit protokolle për mbajtjen e kurseve të ndryshme, edukimeve, transportin publik. Për punën e restoranteve, shkollave dhe çerdheve nuk janë finalizuar. Të gjitha protokollet do t’u jepen odave ekonomike dhe gjithsesi se ndonjë situatë do të kërkojë modifikim të protokolleve. Tani për tani vlerësoj se ende është herët dhe deri në mes të majit do ta formojmë konceptin”, tha Filipçe.

Ministri apeloi deri te të gjithë që të kemi përgjegjësi të barabartë dhe se nuk guxojmë që të lejojmë të vihet në rrezik e gjithë ajo që deri më tani është arritur, gjegjësisht ashtu siç tha, “pasi e kemi kaluar, ndoshta periudhën më të rëndë”.

“Analizat thonë se faktori i transmetimit përgjithësisht në tërë vendin është nën 1, por kemi bërë analiza të detajuara për rajone të caktuara dhe presim edhe disa ditë që të shohim se si do të jetë trendi i të infektuarve të rinj”, tha Filipçe.

Nga Zyra e Regjistrit Civil thonë se në këtë periudhë, gjegjësisht në maj dhe qershor ka më shumë dasma, por për shkak të gjendjes së KOVID-19, janë anuluar thuajse të gjitha dasmat, por nuk bëhen edhe kurorëzime. Për dallim prej vjet kur kurorëzuesit nuk kanë arritur që të mbërrijnë me punë, tani munden që të numërohen në gishta partnerët të cilët vendosin të lidhin kurorë.

“Partnerët të cilët shpejtojnë për shkak të shtatzënisë ose ndonjë arsyeje tjetër i kemi kurorëzuar në komunë, por ceremonia zgjatë shumë shkurtër, jo më shumë se 10 minuta. Në ceremoni mund të vijnë vetëm nga një dëshmitar nga nusja dhe dhëndri. Familjarë, miq, zurla e daulle nuk ka. Të gjithë mbajnë maska dhe doreza. Mund të them se prej 350 kurorëzimeve që i kemi pasur në këtë periudhë, tani ka mezi 10 në muaj”, thonë nga Zyra e Regjistrit Civil.

Ndryshe, kafenetë dhe restorantet janë tërësisht të mbyllura prej më 14 mars. Pronarët e restoranteve me rezervë e shohin paralajmërimin e ministrit Filipçe se dasmat do të mbahen me tavolina të distancuara dhe mbajtje të distancës.

“Kështu nuk do të na paguhet të punojmë. Por, ja të themi se do t’i ndajmë mysafirët, me këtë do të ketë më pak të ftuar. Por, çfarë bëjmë me vallen, përshëndetjet që janë karakteristikë të ahengjeve dasmore”, thonë hotelierët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button