Komiteti i Helsinkit: Punëtorët kanë të drejta edhe në gjendje të jashtëzakonshme (Infografik)

Komiteti i Helsinkit (KH) për të drejtat e njeriut vlerëson se gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, Qeveria mund të ndërmarrë veprime përtej asaj që do të lejohej në rrethana normale, megjithatë, gjendja e jashtëzakonshme në asnjë mënyrë nuk guxon të paraqet justifikim për autoritetet kompetente që t’i shkelin të drejtat e njeriut, njofton Portalb.mk.

“Masat e ndërmarra nuk duhet të devijojnë nga detyrimi për të mbrojtur kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, përkatësisht ato më të prekurit nga zbatimi i gjendjes së jashtëzakonshme. Kjo vlen për njerëzit me të ardhura të ulëta, popullsinë e izoluar rurale, njerëzit me kushte të rënda shëndetësore, personat me aftësi të kufizuara, njerëzit e pastrehë dhe të moshuarit që jetojnë vetëm ose në ndonjë institucion”, thonë nga KH.

Të drejtat dhe liritë e njeriut duhet domosdo të merren parasysh me rastin e vendosjes për marrjen e masave derisa zgjat kjo gjendje.

“Në një farë kuptimi, tendenca kah gjendja e jashtëzakonshme paraqet kalim nga rregulli në përjashtim. Koncepti i urgjencës bazohet në idenë e një dukurie të papritur, siç është situata aktuale me KOVID-19, efektet e së cilës çojnë në marrjen e përgjigjeve të pazakonta juridike dhe politike. Kjo është arsyeja pse reagimi duhet të jetë efektiv dhe masat e marra duhet të drejtohen në mënyrë përkatëse për t’i dhënë rezultatet e dëshiruara. Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme, shteti nuk duhet të parandalojë në mënyrë arbitrare ushtrimin e të drejtave të njeriut ose t’i kufizojë në mënyrë arbitrare liritë e njeriut, për ofrimin dhe mbrojtjen e të cilave është vetë përgjegjëse”, shtojnë nga Komiteti i Helsinkit.

Ata thonë se masat duhet të merren rreptësisht në përputhje me kërkesat që i dikton situata.

“Në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare, kufizimi i të drejtave dhe lirive në asnjë rast nuk guxon të jetë diskriminues ndaj gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, gjuhës, fesë, përkatësisë etnike ose sociale, pronës ose statusit shoqëror. Ndërhyrja arbitrare do të ishte në kundërshtim me interesin publik dhe të mirën e përbashkët, ndërsa dekretet me fuqi ligjore që i miraton Qeveria do të ishin në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, thonë nga KH.

Komiteti i Helsinkit raporton se në gjysmën e dytë të muajit, filloi të zvogëlohet numri i pushimeve nga puna, por numri i raporteve për uljen e pagave për 50 përqind si dhe mospagesë filloi të rritet, pasi punëdhënësit janë referuar ilegalisht institutit “forca madhore”. Në periudhën prej 15 deri më 28 prill 2020, Komiteti i Helsinkit ka pranuar 24 denoncime për shkelje të të drejtave të punëtorëve, që përfshijnë gjithsej 552 punëtorë. Të dhënat mbi largimet kolektive nga puna, ndërprerjet e detyruara me marrëveshje të kontratave të punësimit, mospagimin e pagave dhe/ose uljen e pagave për dy javët e kaluara si dhe shkeljet e tjera i keni në disozicion në këtë Infografik.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button