Tahiri për dekretimin e Hotit: Nga koalicioni i shpresave të rreme, po kalojmë te ai i interesave

Abelard Tahiri, deputeti i PDK-së e ka vlerësuar koalicionin e ri LDK-AAK-NISMA-Lista Sërbska si koalicion i interesave.

“Presidenti paska dekretuar Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër i qeverisë së re. Kështu, ish zëvendëskryeministri që para tre muajsh e lavdëronte shefin e tij Albin Kurtin si kryeministër i shpresës, tani po ia zë vendin, për shkak se Albini paska qenë kryeministër i shthurjes. Pra nga një koalicion i shpresave të rreme, po kalojmë tek një koalicion i interesave të bëme. Do ta kemi një qeveri të re që është kombinuar nga rrethanat e përfitimet, por s’ka të bëjë asgjë me parimet”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë se qytetarët e vendit nuk morën përgjigje “se ku mbeti shpresa e LDK-së dhe Vetëvendosjes dhe si u bënë ‘kapësit e djeshëm të shtetit’, partnerë të LDK-së në qeverinë e re”. Sipas Tahirit, “kjo tregon se Vv-ja e LDK-ja janë e njëjta mendësi shantazhuese”

“Një qeveri të plogësht përballë sfidave emergjente si pandemia, e të çakorduar përballë sfidave si zhvillimi e ekonomia. Por në tërë këto zhvillime politike, ku koalicionet ranë e u ngritën shpejt, qytetarët megjithatë nuk morën përgjigje se ku mbeti shpresa e LDK-së dhe Vetëvendosjes, dhe si u bënë “kapësit e djeshëm të shtetit”, partnerë të LDK-së në qeverinë e re. Kjo tregon qartë se Vetëvendosja dhe LDK-ja, janë e njëjta mendësi shantazhuese, që synojnë të përfundojnë në qeverisje përfituese. Natyrisht se përballë këtij devalvimi të integritetit politik, detyrat tona si opozitë bëhen më të mëdha. Kosova meriton shumë më mirë se kaq, e një ditë, shumë afër, do ta ketë atë që e meriton”, ka thënë tutje ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button