Pacolli tha se është në Shqipëri

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se është në Shqipëri duke punuar në projektin për rindërtim të Thumanës, që ishte dëmtuar rëndë si pasojë e tërmetit që pati goditur Shqipërinë në nëntor të vitit të kaluar, shkruan REL.

“Ç’është ky Xhelali, sinonim i xhandarit personal të kryeministrit në letërsinë komuniste, që shkel ligj dhe kushtetutë e që më kërcënoka mua, ndërsa jam duke përkryer projektin e rindërtimit të Thumanës nga tërmeti, në banesën time? Ç’janë këta policë të mendimit, këta luogotenentë marksistë që kërcënojnë dhe kryeministrin e Shqipërisë se më strehoka mua? Mua që me votën time mund të votuam qeverinë e pasardhësit të zotëri Kurtit?”, ka thënë Pacolli në një postim në rrjetin social, Facebook.

Ai duket se me këto komente u është referuar reagimeve të fundit mes zyrtarëve shtetërorë, lidhur me kthimin e Pacollit nga Zvicra në Kosovë.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar që kur kreu i AKR-së, të kthehet nga Zvicra të shkonte në Qendrën e Studentëve, e cila është shndërruar në karantinë, pas përhapjes së koronavirusit në Kosovë.

Një gjë e tillë është refuzuar nga ana e Pacollit.

Të mërkurën Sveçla në një konferencë për media ka ngritur dyshime nëse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë një udhëtimi në Shqipëri e ka takuar deputetin Behgjet Pacolli.

Ai ka thënë që nëse konfirmohet se deputeti Pacolli ishte në veturë me presidentin Thaçi, atëherë edhe Presidenti duhet t’u nënshtrohet masave të izolimit, apo vetizolimit, sipas vendimit të Qeverisë në detyrë, ndërkaq ka kërkuar nga deputeti Pacolli të tregojë për vendndodhjen e tij, duke thënë se nëse paraqitet në publik, pa iu nënshtruar masave, atëherë policia do të ndërmarrë veprime ndaj tij.

Të mërkurën mbrëma presidenti Thaçi tha në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Dukagjini se “prej çlirimit të Kosovës dhe deri dje kur kam dalur dhe hyrë në relacionin Kosovë-Shqipëri në procedurat e njëjta ndërsa për interesimin e Sveçlës dhe Kurtit, si ndërmarrje kriminale që është shndërruar dhe që ju intereson lokacioni im, unë jam në shtëpi”.

Kurti në anën tjetër, përmes një postimi në Facebook, e ka ftuar presidentin Thaçi në debat televiziv.

“Sa për sharjet e fyerjet që m’i bën, duke thirrur me zërin që i dridhet porsi kalama nëpër studiot televizive, e kam zgjidhjen: le ta organizojmë një debat televiziv ku dalim ne të dy, pra, unë Kryeministri në detyrë dhe ai Presidenti jashtë detyrës. Nëse don, le ta marrë me vete edhe Behgjet Pacollin. Në atë rast, po, edhe unë po e marr Xhelal Sveçlën e Rashit Qalajn”, ka deklaruar ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button