RMV, mësimi në distancë sfidë, por metodë e duhur në kohë të jashtëzakonshme

Procesi mësimor, në shkolla, u ndërpre menjëherë pas lajmërimit se disa qytetarë të Maqedonisë së Veriut ishin prekur nga virusi korona. Rekomandimet e qeverisë, respektivisht Ministrisë së Arsimit ishin që procesi mësimor të zhvillohet përmes teknologjisë, mësimit on-line. Por edhe mësuesit edhe prindërit hasën në vështirësitë teknologjike.
Për disa nxënës vështirësia për të ndjekur mësimin ishte dhe mbetet sepse, nuk kanë të lidhur rrjetin e internetit dhe nuk kanë pajisje si kompjuter ose të ngjashme. Por, Ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe disa biznese kanë ofruar mundësinë që t’i furnizojnë, me këto pajisje, nxënësit të familjeve me të ardhura të ulëta. Përparësitë dhe dobësitë e kësaj forme të mësimdhënies janë të dukshme, si për mësimdhënësit ashtu edhe nxënësit, shkruan Portalb.mk.

Drejtorët e shkollave nuk e përjashtojnë faktin se, ndjekin rekomandimet e qeverisë dhe se stafi arsimor zhvillon procesin mësimor.

Drejtoresha Sihana Kaba Kasami
Drejtoresha Sihana Kaba Kasami

“Në SHFK “Kirili dhe Metodij” – Tetovë, mësimi organizohet dhe zhvillohet  në pajtim me Dekretet me fuqi ligjore të Qeverisë së RMV-së. Që nga 11 marsi mësimi i rregullt nëpër shkolla u ndërpre e me këtë u paraqit nevoja që ky proces të mos ndalet krejtësisht por, të organizohet dhe të zhvillohet në distancë, nga shtëpia. U bë konsolidimi i komunikimit  on-line i drejtorisë së shkollës me trupin arsimor dhe u dhanë udhëzimet e para që arsimtarët të bëjnë konsolidimin e komunikimit me nxënësit e tyre. Me një fjalë, u konsolidua e – klasa”, tha për Portalb, Sihana Kaba-Kasami, drejtoreshë e SHFK “Kirili dhe Metodij”, në Tetovë.

Por, se sa efikas është mësimdhënia në këtë shkollë, drejtoresha e kësaj shkolle shton se procesi mësimor ndiqet në forma të ndryshme të programeve dhe zhvillohet në rregull, sipas rekomandimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

“Gjithherë në pajtim edhe me udhëzimet nga MASH-i si dhe Sektorin për arsim të Komunës së Tetovës, arsimtarët punën e tyre e zhvillojnë on-line, duke përdorur disa platforma dhe aplikacione (Edmodo, Class Room, ZOOM, Viber etj) . Këtë e bëjnë edhe tash dhe vazhdojnë. Orari i mbajtjes së mësimit është i njëjtë siç ishte më parë, me mundësi fleksibiliteti, që arsimtari të vendos vetë për kohën e zgjatjes së orës, e cila mund të jetë edhe më e shkurtër se zakonisht.    Gjatë gjithë kësaj pune gjer më sot, është për respekt angazhimi dhe serioziteti në punë i arsimtarëve. Gjithashtu, edhe interesimi i nxënësve për t’u kyçur në mësimin on-line, është evident. Problem megjithatë paraqet pa mundësia që gjithë nxënësit të kyçen, për shkak se një pjesë e konsiderueshme e familjeve të tyre, nuk kanë mundësi për kyçjen në internet si dhe nuk posedojnë mjete elektronike komunikatave që mundësojnë mësimin on-line. Për t’a zbutur këtë situatë, në nivel shkolle janë konstatuar rastet sociale të këtilla dhe prindërit e këtyre nxënësve janë ftuar të vijnë në shkollë me ç’rast u janë dhënë shërbim Class Mate – kompjuterët., të cilët i posedon shkolla. Gjithashtu, nga donatorë si në shkollat tjera edhe në shkollën tonë janë bërë donacion disa Tabletë, të cilët pa humbur kohë, u janë ndarë nxënësve për përdorim. Për gjithë nxënësit e familjeve  që kanë status të rastit social, Telekomi ka siguruar Vaucherë falas për kyçje në Internet. Ngaqë u tha më lartë, konkludohet se Mësimi nga distanca, në shkollën tonë dita ditës po zhvillohet në mënyrën gjithnjë e më të plotë, të cilën e shpresojmë edhe për ditët  në vijim”, tha për Portalb, drejtoresha Sihana Kaba Kasami.

Mësuesja Vjollca Kërluku
Mësuesja Vjollca Kërluku

Mësimdhënësit ndonëse zhvillojnë mësim, hasen në pengesa të rrjetit të internetit. Por, kjo nuk i pengon dëshirën e madhe për të qenë pranë nxënësve të tyre. Ato gjejnë mundësinë me metoda dhe forma të ndryshme, që të pasurojnë, me dije, nxënësit e tyre. Por, nuk e kundërshtojnë faktin se mësimi në shkolla është më i përshtatshëm për mësimdhënie dhe mësimxënie.

“Edhe përskaj ndërprerjes mësimore, në shkollë, qeveria, respektivisht drejtoria e shkollës ka sjell rekomandime deri tek ne mësimdhënësit që të zhvillojmë mësimin me paisje teknologjike. Mësimi on-line (në distancë) zhvillohet përmes programeve adekuate, por edhe formave të tjera si zoom, e-mail, viber, etj. Dhe në çfarë do forme është domosdo që ta zhvillojmë mësimin. Kjo kohë ka mundësuar, për fëmijët tanë, që edhe përmes televizionit të ndiqen mësimet nga klasa e parë e më tutje. Jemi vetë dëshmitarë që Radio televizioni i Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe, por edhe Televizioni Shqiptar i Shqipërisë, kanë një program jashtëzakonisht të pasur dhe përshtatet me planprogramet e mësimeve tona. Kjo u mundëson nxënësve, që përpos ne si mësimdhënës që u kumtojmë mësimin dhe detyrat, ata kanë edhe një mundësi shtesë, të ndjekin mësimin në televizionet e lartpërmendura. Sa i përket efikasitetit të mësimit on-line, unë si mësimdhënëse me përvojë 40 vjeçare, mund të them që është një formë e dobishme, për të shfrytëzuar kohën dhe për t’i aktivizuar fëmijët tanë. Përparësia është që fëmijët e ndjekin procesin arsimor. Mirëpo, mësimi i rregullt në shkollë ka vlerën e vetë dhe është më efikas, sepse fëmijët mësojnë përpos nga mësuesi, por edhe nga njëri-tjetri, është mësim më praktik”, tha mësuesja Vjollca Kërluku, nga shkolla “Penestia”, Dibër.

Veterani i arsimit, prof. Xheladin Murati thotë se është për t’i përkrahur mësimdhënësit në këto kushte të jashtëzakonshme, ku përpiqen për të vazhduar mësimin në distancë, me nxënësit.

Profesori Xheladin Murati
Profesori Xheladin Murati

“Mësuesit e të gjitha niveleve arsimore, në këtë kohë pandemie dhe krize morale e shpirtërore investojnë mundësi maksimale në mbajtjen mobile të nxënësve nëpër shtëpia duke shfrytëzuar konceptin dhe sistemin e të mësuarit në largësi. Por, kjo nuk shkon lehtë sepse nuk zbatohet esenca e këtij sistemi mësimor, por janë qasje formale dhe informale të këtij mësimi. Në këtë rast mungojnë: Nuk zbatohen teoritë didaktike në esencën e tyre; Mungojnë teoritë e stimulimit simultan dhe Mungojnë teoritë për zgjidhjen e problemeve..”, thotë Murati.

Sipas tij, me gjithë mangësitë, interesi për organizimin e mësimit në largësi i imponuar nga situata pandemike, është një përpjekje e mirë dhe e mbanë gjallë arsimin edhe në kushte të jashtëzakonshme. Është për t’u përshëndetur përpjekja e mësuesve dhe përballja me sfidat. Dhe porosia ime është: dilni nga shablloni kur bëhet fjalë për problemet e rëndomta në mësimdhënie, thotë Murati.

Mësimi në distancë ka dhënë dhe jep një mundësi që mësimdhënësit t’u dërgojnë porosi nxënësve, për t’i mbajtur në formë dhe për të mos mbetur pas me mësimet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button