Karantina godet më të varfrit në Shqipëri e Kosovë

Pasojat e karantinës në Shqipëri e Kosovë kanë goditur më keq ata, që edhe para krizës mezi e përballonin financiarisht muajin. Me ndihmën gjermane po jepen ilaçe, ushqime e pajisje për familjet që kanë humbur punën.

Në kohë krize solidariteti kthehet në nevojë. Tani në pandeminë e Coronës kjo nevojë është edhe më urgjente sidomos për vendet e varfra me infrastrukturë shëndetësore të dobët, ku renditen ende vendet e Ballkanit Perëndimor. Masat e karantinës kanë prekur sidomos më të dobtit e shoqërisë, të papunët, të sëmurët që nuk paguajnë dot barnat, të moshuarit, shkruan DW.

Mjaft organizata humanitare që janë aktive në rajon prej kohësh po ofrojnë tani ndihmën e tyre në krizën e Coronës. Mes tyre edhe organizata humanitare katolike, Renovabis me 29 vende partnere në Europën Lindore e Juglindore. Nga viti 1993 Renovabis është aktiv edhe në Shqipëri e në Kosovë, me një partneritet të gjatë me organizatat e Caritasit Shqiptar dhe Dioqezës Prizren-Prishtinë në Kosovë. Kriza e Coronës u bë shkas javët e fundit për një aksion solidariteti të katolikëve gjermanë për të ofruar pajisje mjekësore, ilaçe dhe veshje mbrojtëse për partnerët në Shqipëri e Kosovë.

Jo vetëm fuqi punëtore

Njerëzit nga rajoni nuk duhen parë vetëm si fuqi punëtore që vjen këtu, ishte thirrja e drejtorit të organizatës, Christian Hartl. “Nuk duhet t’i lemë vetëm njerëzit në vendet e varfra, që nuk kanë një sistem shëndetësor të mirë si ne.”

Ndihma do të fokusohet tek grupet më vulnerabël, si të moshuarit dhe njerëzit në periferi të shoqërisë, thotë drejtori i sektorit të projekteve të Renovabis, Martin Lenz për Deutsche Wellen. Ai konfirmon, se në krizën e Coronës, Renovabis për Shqipërinë vuri në dispozicion një ndihmë të menjëhershme prej 27.000 eurosh, kurse për Kosovën afër 19.000 euro. “Mbështetja e Renovabis në këtë situatë është e qenësishme pasi vjen në një moment delikat”, thotë për Deutsche Wellen, drejtori i Caritasit shqiptar, At Antonio Leuci, i cili e sheh përditë sa shumë familje janë prekur nga pandemia. “Familjet e varfra janë tani edhe më varfra, familjet vulnerable në zonat urbane e kanë më të dukshme varfërinë, por edhe në zonat rurale, varfëria është e dukshme, pasi mundësitë e tyre të jetesës nga bujqësia nga karantimi dhe mungesa e lëvizjes janë zeruar.”

Fokusi tek familjet në nevojë

Në 520 familje, rreth 1000 persona Caritasi Shqiptar po punon për të dërguar paketa ushqimore dhe higjienike. Shqipëria aplikoi masa shumë të ashpra për të përballuar pandeminë e Coronës. Caritas thotë se pas një karantine të gjatë nevojat kryesore të njerëzve janë artikujt ushqimorë, por edhe shumë artikuj higjienikë. At Antonio Leuci rendit kriteret kryesore që përdor organizata humanitare për përfituesit. “Familjet me shumë fëmijë, ato me persona me aftësi të kufizuara, të moshuarit, të moshuarit që jetojnë vetëm, familjet e prekura nga tërmeti që jetojnë në tenda ose në kontenierë dhe familjet që kanë humbur punën nga pandemia.”

Edhe në Kosovë bashkëpunimi me Dioqezën Prizren-Prishtinë në kuadër të krizës së Coronës është në vijim. Sipas drejtori të sektorit të projekteve të Renovabis, Martin Lenz, “ipeshkvi Dodë ka nevojë urgjente për dezinfektues, ilaçe dhe veshje mbrojtëse për t’i shpërndarë ato në 25 famullitë. Në raste të caktuara mund të shpërndahen edhe ushqime, sepse aktualisht furnizimi me ushqime po kthehet në disa raste në problem.”

Furnizimi me pajisje mjekësore e ushqime lehtëson nevojën akute në ditët e krizës, por në të ardhmen një nevojë tjetër do të jetë më e madhe, ajo për punë. Kriza e Coronës pritet të rrisë ndjeshëm papunësinë në vendet e Ballkanit, që edhe pa këtë krizë ka qenë e lartë. Renovabis i tha Deutsche Welles, se për këtë arsye i ka ndryshuar disa komponentë në projektet e filluara në vendet e Ballkanit si Shqipëri, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë e Serbi. Sipas Martin Lenz “kjo prek edhe një projekt të madh për të rinjtë, të cilëve synohet t’u lehtësohet hyrja në tregun e punës. Aktualisht ofrohen këshillime online.” Në Qendrën e Formimit Profesional Don Bosco në Shkodër, Renovabis mbështet ndërkohë nga viti 2019 një projekt për financimin e shkollimit profesional dhe konviktit për të rinjtë, familjet e të cilave nuk kanë mundësi të paguajnë vetë shpenzimet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button