Tri vite më pas

Si sot tri vite më parë ndodhi e Enjtja e përgjakshme. Data që do të mbahet mend ishte 27 Prill 2017, por ajo ditë që u përjetësua në historinë e këtij shteti ishte e enjte. Edhe pse kanë kaluar tri vite, kujtimet janë ende shumë të freskëta për të gjithë ne, e në veçanti për ata të cilët ishin aty atë ditë dhe përjetuan tmerrin e sulmit në Kuvend. Tri vite më vonë drejtësia e vendosur për këtë rast mbetet gjysmake. Në burg janë gjysma e atyre që në mënyrë direkte ekzekutuan urdhërat e eprorëve faktitkë atë ditë. Gjysma tjetër u amnistua. Ndërsa eprorët-organizatorë të atij sulmi makabër mbeten ende në liri.

Ajo pak drejtësi që u vendos lidhur me këtë ngjarje megjithatë arriti ta cilësojë të njejtën në mënyrën e duhur. Ata që u dënuan tani vuajnë dënimin për Cënim terrorist të rrendit kushtetues. Pas debateve të shumta për atë se a është ky kualifikimi i duhur, është një fitore e madhe që ai kualifikim i rrezistoi kohës dhe mbeti aktiv gjer në fund, dhe në fakt ata persona u dënuan për akt terrorist. Sepse ajo që ndodhi po që ishte terrorizëm. Ajo që pamë atë ditë jo shumë të largët ishte pikërisht shprehje e vendosur e një veprimi tipik të ekstremizmit të dhunshëm.

Ekstremizmi i dhunshëm ka shumë fytyra dhe jo gjithmonë ka karkater religjioz. Sigurisht, ekstremizmi i dhunshëm që lidhet me ISIS dhe me konfliktet e Lindjes së Mesme ka jehonën më të madhe në botë për shkak të përhapjes së tij dhe përfshirjes së më tepër shteteve si dhe për shkak të pasojave të mëdha. Sigurisht që edhe Maqeonia e Veriut është e prekur nga ky fenomen, sepse ata që luftojnë për organitzata të tilla vinë nga çdo shtet dhe veprojnë në mënyrë globale.

Por brenda Maqedonisë së Veriut ka edhe formë interne të ekstremizmit të dhunshëm që është ekstremizmi politik i së djathtës ekstreme. Kulmin e kësaj forme të ekstremizmit e pamë pikërisht me 27 Prill të vitit 2017, atëherë kur në bazë të ideologjisë politike ata njerëz kryen akt terrorist ndaj institucionit të Kuvendit, ndaj deputetëve, gazetarëve dhe administratorëve që ishin aty atë pasdite. Në aspekt intern, kjo formë e ekstremizmit e cila mund të vijë në shprehje sa herë që ka kush ta nxisë dhe ta keqpërdorë, është vërtet njëri ndër rreziqet më të mëdha interne sa i përket sigurisë së vendit. E pamë të gjithë sa shpejt mund të eskalojë gjendja dhe brenda disa çasteve të vimë aq pranë luftës civile.

Prandaj kjo çështje duhet të trajtohet shumë seriozisht. Pjesë e atij trajtimi serioz është pikërisht vendosja e përgjegjësisë për ata që ishin në kye të organizimit të kësaj ngjarjeje të përgjakshme dhe tmerruese. Ata duhet të përballen me drejtësinë dha aty kompromis nuk duhet të ketë. Të përballen një herë e mirë organizuesit me drejtësinë dhe të vuajnë dënimin, që të tjerët të mendohen dy herë para se të keqpërdorin ideologji ekstreme për qëllime të politikës ditore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button