Largimi i punëtorëve nga puna, Sindikatat kundër propozimit të Angelovskës, Zaev me propozim të ri

Propozimin e Ministres së financave, Nina Angelovska, për mundësinë e bizneseve që të largojnë punëtorët nga puna, nuk e kanë mirëpritur sindikatat e punëtorëve, ndërsa ish-kryeministri Zoran Zaev premtoi mbështetje financiare për ata që do të largohen nga puna, transmeton Portalb.mk.

“Nëse kjo realizohet, do të thotë dhjetëra mijëra të rinj të papunë në prag të krizës së pritshme ekonomike dhe dhjetëra mijëra familjeve në varfëri. Është turp që një qeveri e quajtur Social Demokrate, e cila duhet të kujdeset për të varfëritë dhe klasën punëtore, duhet të shpallë masa të tilla”, thuhet në reagimin e sindikatave.

Këtë propozim para 1 majit, ata e vlerësojnë si një fyerje për punëtorët.

“Nuk duhet harruar që fondet nga të cilat financohen këto masa vijnë nga taksapaguesit, domethënë ato janë para të të gjithë qytetarëve të këtij vendi, kështu që ato duhet të shpenzohen për të mirën e të gjithëve, dhe jo vetëm për të mirën e grupeve të caktuara të njerëzve të fuqishëm”, thuhet në reagim e sindikatave, duke kërkuar edhe konsultime para përpilimit të masave në lidhje me punëtorët.

Në këtë debat është kyçur edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

“Për ata që do të humbasin punën e tyre për shkak të rrethanave, qeveria përmes një mase tjetër siguron 50 për qind të pagës mesatare që ka marrë qytetari, përmes sistemit të mbrojtjes sociale. Ndikimi në ekonomi është i madh, por ne do të mbrojmë punëtorët. Në muajin më të vështirë, prill, 6.800 qytetarë nga gjithsej 800.000 qytetarë të punësuar janë të ri të papunë”, shprehet Zaev.

Ai vlerëson se punëtorët e kualifikuar do të gjenden lehtë në tregun e punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button