MPB-ja thotë se Thaçi shkeli protokollin me vizitën në Shqipëri, Pacollit i kërkoi të tregojë vendndodhjen

Ushtruesi i detyrës i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkelur protokollin shtetëror të martën duke shkuar në Shqipëri duke mos njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai ka thënë se nëse del të jetë i vërtetë raportimi se me Thaçin në Kosovë ka hyrë edhe deputeti Behgjet Pacolli, policia do të ndërmarrë masat ndaj kreut të AKR-së.

Në një konferencë për media, Sveçla ka thënë se Thaçit i duhet të tregojë pse ka shkelur protokollin shtetëror, ndërsa ka kërkuar nga Pacolli që menjëherë të dëshmojë vendndodhjen, transmeton Koha.net.

“Nuk e ndihmon aspak shtetin asnjë veprim që vë në dyshim rendin dhe sidomos shëndetin publik. Dyshimet që kanë lindur me lëvizjet e z. Pacollit, pra nëse aktualisht personi në fjalë gjendet në Kosovë ka përligjur skenarët që po qarkullojnë kudo. Mbrëmë vonë jam informuar nga ana e policisë kufitare që presidenti i Kosovës ka kaluar kufirin shtetëror pak para orës 18 në drejtim të Shqipërisë. I njëjti është kthyer pak pas orës 19:00. Kur eskorta e presidentit është ndalur, është konstatuar se në veturën e dytë është presidenti. Ai ishte ulur në ulësen e parë përkundër rregullave. Po ashtu policia për shkak të xhamave të zi s’ka mundur të vërejë nëse ka pasur persona të tjerë. Vetura e presidentit ishte e shoqëruar nga një veturë tjetër, ku ishte vetëm shoferi. Për sqarim, në bazë të ligjit për Protokolli shtetëror çdo lëvizje të presidentit jashtë kufijve duhet të komunikohet te Protokolli Shtetëror i MPJ-së. Kjo s’është bërë”, ka thënë Sveçla.

“Më lejoni të sqaroj se deri më tani s’kemi konfirmim se Thaçi ka qenë i shoqëruar nga Pacolli, por një skenar i tillë nëse del i vërtetë do minonte komplet Republikën e Kosovës dhe do të paraqiste mosrespektim të organeve të rendit. Është vepër penale”, ka shtuar ai.

Sveçla ka thënë se nëse Pacolli shfaqet në Kosovë, policia do të marrë masat e parapara me ligj.

“Nëse deputeti i Kosovës ishte në veturën e Presidentit me sjelljen e treguar ka shkelur me vetëdije të plotë rregullën për karantinim. Ne i kërkojmë presidentit që të përgjigjet pse ka vendosur të bëjë tejkalimin e protokollit shtetërorë, ndërsa Pacollit i kërkojmë të shprehet menjëherë se ku është përndryshe nëse shfaqet në publik në një moment të caktuar brenda territorit, policia do të marrë masat e parapara me ligj”, ka deklaruar Sveçla.

Deputeti Pacolli kishte marrë leje nga Ministria e Infrastrukturës për aterrim në Prishtinë të martën, por ai kishte vendosur të anulonte fluturimin e të ndalej në Tiranë. Gjatë të martës, ai vazhdimisht ka kritikuar Qeverinë Kurti për paralajmërimin se nëse hyn në Kosovë do të duhet t’i nënshtrohet rregullës së karantinimit dyjavor në Qendrën e Studentëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button