Haxhiu për mospublikimin e letrës për mandatarin: Presidenti është përfshirë në proces klandestin

Një javë pasi presidenti Hashim Thaçi paralajmëroi dërgimin e letrës për mandatar te LDK-ja, anëtarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka kritikuar presidentin dhe LDK-në për mospublikim të letrave zyrtare.

Vetëvendosje dhe kreu i saj, Albin Kurti, kanë paralajmëruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të këtij rasti sapo të publikohen letrat. Mospublikimin e tyre, Haxhiu e ka cilësuar si proces të paligjshëm, klandestin e në kundërshtim me Kushtetutën, transmeton Koha.net.

“Sot, janë bërë shtatë ditë nga kur presidenti Thaçi jashtë autorizimeve kushtetuese dhe në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, mblodhi partitë politike dhe paralajmëroi veprime antikushtetuese për krijimin e një Qeveri të re. Që nga ajo ditë, Thaçi i ka dërguar dy letra kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, me aludimin për të kërkuar propozimin e mandatarit për kryeministër. Por, qytetarët e vendit, mediat dhe publiku i gjerë nuk i ka parë këto letra. Të bindur edhe vetë se janë duke bërë shkelje të shumëfishtë të Kushtetutës po përpiqen të mos lënë gjurmë dhe të zhdukin ato, duke fshehur letrat dhe bazën kushtetuese që nuk e kanë. As sot e asaj dite, as Presidenti dhe as LDK nuk i kanë publikuar këto letra, përmbajtjen e tyre dhe se në cilin nen apo paragraf të Kushtetutës është bazuar Presidenti për një veprim të tillë. Nëse Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti mendojnë se kanë bazë kushtetuese për veprimet e tyre, atëherë pse nuk po i bëjnë publike letrat dhe pse po i ikin transparencës?!” ka shkruar ajo në Facebook.

“Të vetëdijshëm se ajo çfarë po bëjnë nuk parashihet me Kushtetutë, rrjedhimisht ndalohet, presidenti është përfshirë në një proces tërësisht të paligjshëm e klandestinë, përveçse edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka vazhduar Haxhiu.

LDK-ja tashmë ka arritur marrëveshje për koalicion me AAK-në, ndërsa kandidati i kësaj partie për kryeministër, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të mbahet seanca për votimin e qeverisë së re.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button