Pasaportë për çdo shqiptar, përshëndetet nga politikanët në Maqedoni

Iniciativa e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që tu jep shtetësi të gjithë shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit shqiptar është përshëndetur nga politikanët shqiptar në Maqedoni. Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi e ka cilësuar si politikë shumë të drejtë iniciativën që vjen nga kryeministri Berisha.

“Mirë është, është e drejtë e kryeministri shqiptar i cili dëshiron ti bind dhe ka arritur të ketë rezultat se secili shqiptar pavarësisht ku jeton, në Veles apo Tuz të ndjehet pjesë e kombit shqiptar dhe kjo është një politikë shumë e drejtë sipas meje” – ka thënë Thaçi.

Edhe deputeti i RDK-së Izet Zeqiri ka përshëndeti këtë iniciativë, pasi nënshtetësia e një shteti anëtar të NATO-s do të jetë një siguri shtesë për shqiptarët e rajonit, por theksoi se kjo vjen me vonesë.

“Ne si RDK mendojmë se ky vendim për shtetësi për gjithë shqiptarët është vendim i vonuar, duke u nisur nga fakti se shqiptarët e meritojnë këtë sepse kanë dhënë një kontribut të madh në krijimin e shtetit shqiptarë dhe në zhvillimin e tij. Nënshtetësia shqiptare do të jetë një siguri shtesë edhe për shqiptarët e Maqedonisë pasi Shqipëria është një vend anëtare e NATO-s dhe ky vendim do të jetë edhe një kontribut për shqiptarët e bashkuar në Evropën e bashkuar” – tha Zeqiri.

Nga ana tjetër, deputeti i VMRO-së Ilija Dimovski nuk deshi që konkretisht të komenton këtë iniciativë, por tha se të gjitha shtetet ballkanike duhet të orientohen drejt Bashkimit Evropian.

“Mendoj se në shekullin 21 duhet të gjejmë mënyra se si të gjitha shtetet në gadishullin ballkanik të ndjekin tendencat evropiane për integrim dhe afrim në bazë të parimeve të fitimeve kulturore dhe civilizuese të cilat mund ti marrim nga shtetet perëndimore” – tha Dimovski.

Ndërkohë nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk u prononcuan për këtë nismë./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button