Deputetët shqiptar solidarizohen me grevën e mjekëve

Dy deputetët mjekë me profesion, Ziadin Sela nga PDSH dhe Arben Llabënishti nga BDI e cilësojnë si plotësisht legjitime grevën e mjekëve që po zhvillohet disa ditë me radhë. Llabënishti thotë se mjekët duhet të marrin pagën në 100% dhe jo të paguhen sipas kontributit.

“Protesta është një mekanizëm i ligjshëm, për të kërkuar dhe mbrojtur interesat një grupacion i caktuar. Kërkesat e mjekëve janë legjitime. Mendoj se mjekët duhet të marrin pagën mujore në 100%. Jo vetëm kaq, por besoj se do të ishte e arsyeshme që mjekët të shpërblehen për kujdesin e veçantë dhe suksesin në punë, kur ka raste të tilla dhe të ndëshkohen për pakujdesinë dhe papërgjegjshmërinë në punë, nëse ka raste të tilla” – tha Llabënishti për Portalb.

Edhe deputeti i PDSH-së Ziadin Sela e arsyeton grevën e mjekëve, duke theksuar se me pagesën në bazë të kontributit qeveria po mundohet të poshtërojë dhe të përçan mjekët. 

“Natyrisht që solidarizohem me grevën e mjekëve, bëhet fjalë për një profesion i cili është shumë fisnik, nga ana tjetër kjo qeveri komplet mjekët i ka poshtëruar dhe mundohet me çdo kusht që edhe tani që ata protestojnë dhe kërkojnë respekt mbi të gjitha, kërkojnë rritjen e rrogave dhe kërkojnë që të hiqet pagesa në bazë të kontributit dhe kërkesat e tyre janë shumë reale dhe shumë të drejta sepse nuk duhet të ketë pagesë sipas kontributit vetëm për një mjek dhe tjerëve nga ana tjetër tu hiqet rroga sepse në këtë mënyrë e prish atë që është esenca e punës së mjekut dhe kjo është puna në ekip, dhe jo futja e përçarjes se kush sa më tepër pacient të merr” – tha Sela.

Ai dënon ashpër kërcënimet e ministrit të shëndetësisë Todorov se do të dënojë mjekët grevistë.
“Në përgjithësi kjo grevë është shumë e drejtë dhe kjo grevë duhet përkrahur, ashtu siç duhet dënuar Ministri i shëndetësisë i cili merr guximin dhe mundohet të ja shkurtojë mjekëve një të drejtë të garantuar me kushtetutë siç është greva. Aq më tepër duhet të dënohet fakti që do ti dënoj dhe bile do ti nxjerr nga puna disa mjek të cilët bëjnë grevë” – deklaroi Sela.

Për të drejtën e grevës së mjekëve është deklaruar sot edhe Avokati i Popullit, duke potencuar se askush nuk mund të kontestojë të drejtën për grevë./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button