LDK dhe AAK arritën marrëveshje për bashkëqeverisje

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshje për koalicion qeverisës. Këtë e ka konfirmuar para gazetarëve kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, pas takimit me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, njofton REL.

“Sapo përmbyllëm një takim me Mustafën dhe me të nominuarin për kryeministër (v.j. Avdullah) Hotin dhe ne arritëm marrëveshjen për krijimin e Qeverisë së re”, ka thënë Haradinaj.

Ish-kryeministri, Haradinaj, ka treguar se partisë së tij, AAK-së do t’i takojnë katër ministri dhe pozita e zëvendëskryeministrit të parë.

Ai ka përmendur edhe emrat e atyre që do të udhëheqin me këto dikastere.

“Besnik Tahiri do të jetë zv.kryeministër i parë, Ministrinë e Jashtme do ta udhëheqë Meliza Haradinaj, Ministrinë e Drejtësisë, Selim Selimi, Blerim Kuçi do të jetë ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Ramë Lika, Ministër i Arsimit”, ka thënë Haradinaj.

Procedurat për formimin e qeverisë së re pasojnë iniciimin e mocionit të mosbesimit nga LDK-ja kundër qeverisë tashmë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në mesin e arsyeve për ngritjen e mocionit janë përmendur marrëdhëniet që së fundmi ka Kosova me Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimi i Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Brendshëm.

Kurti në anën tjetër ka thënë se do ta sfidojë vendimin për formim të qeverisë së re nga LDK-ja në Gjykatën Kushtetuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button