Alternativa: Propozojmë 24 masa të reja për zbutjen e krizës së pandemisë në RMV

Partia Alternativa thotë po e ndjek në vazhdimësi gjendjen e krijuar si rezultat i pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19 dhe është e angazhuar me krejt kapacitetin dhe resurset e saj në gjetjen e mënyrave me të cilat mund të zbutet kriza shëndetësore dhe veçmas, ajo ekonomike.

Me këtë rast sot ata i prezantuan para opinionit më të gjerë, ndërsa të njëjtat do t’i dorëzohen edhe Qeverisë së Republikës së Veriut. Masat të cilat po i propozojnë, ata thonë se, kanë për qëllim krijimin e lehtësimeve, stimulimin e ekonomisë dhe zbutjen e deficitit buxhetorë.

Masat e reja që Alternativa i propozon për këtë qëllim janë:

  1. Ndihmë e njëherëshme prej 12.000 denarë për çdo qytetarë të moshës madhore, që nuk është i punësuar, që nuk është shfrytëzues pensioni dhe që nuk është i përfshirë në ndonjërën nga masat e deritanishme të Qeverisë. (në bazë të regjistrimit të popullsisë të vitit 2002 dhe kriteriumeve të parashtruara këtë ndihmë duhet ta shfrytëzojnë diku 861.242 shtetas x 12.000 den=10.334.904.000 den ose 168.047.219€, numri i saktë duhet të konfirmohet).
  2. Të lirohen nga tatimi në fitim (për vlerën e donuar në fund të vitit nga bilanci i suksesit – fitimi për vlerën e donuar) subjektet afariste dhe individët të cilët donojnë në fondet për përballje me pandeminë dhe me pasojat e krizës së shkaktuar nga pandemia.
  3. Bankat dhe institucionet që kryejnë shërbime të sistemit pagesor të heqin dorë nga pagesa e provizioneve bankiare në transkasione për donacionet, kjo gjatë gjithë kohës së masave për përballje me pandeminë dhe me pasojat e krizës së shkaktuar nga pandemia.
  4. Stimulimi e kompanive që kanë obligime për pagesë të tatimit në fitim për vitin afarist 2019, kjo me masën e uljes së obligimit për 25% nëse pagesa kryhet jo më vonë se 30 maj 2020.
  5. Krijimi i një fondi të posaçëm “Rimëkëmbja Ekonomike” i cili do mbushet nga huazimet që do ti marrë qeveria dhe nga dealokimi i mjeteve buxhetore prej shkurtimit të shpezimeve të panevojshme nga zërat buxhetorë. Ky fond do shfrytëzoheshte për dhënien e kredive afatgjata dhe mjete të lejuara limituese për mjete qarkulluese për ndërmarrjet e vogla, të mesme, afaristët individual, bujqit e regjistruar dhe kooperativat bujqësore. Interesi (kamata) e këtyre kredive të mos jetë më e lartë se 4%, me qëllim të aftësimit të tyre për rifillimin e kapaciteteve afariste pas kalimit të krizës.
  6. Për subjektet që paraprakisht kanë marrëveshje për shlyerjen e obligimeve në këste me DAP, organet e ndryshme shtetërore, ndërmarrjet publike, organet e vetëadministrimit lokal etj, e të cilët nuk arrijnë t’i shlyejnë ato me kohë, mos të aplikohet klauzola për anulimin e kontratës për shkak të mospërmbushjes së obligimit nga njëra palë deri 60 ditë pas ndërprerjes së masave të jashtëzakonshme. Ndërkaq, nëse subjektet afariste janë të gatshme që obligimet e mbetura – lëndë të këtyre kontratave, t’i shlyejnë në tërësi deri më 30 maj 2020, të bëhet ulja e vlerës së obligimit deri më 25%.
  7. Të gjitha masat e propozuara, të ndërmarra dhe të sugjeruara nga Qeveria për obligimet ndaj kredive, të vlejnë edhe për obligimet e afaristëve dhe individëve për instrumentin e LIZINGUT.
  8. Afati i vlefshmërisë së garancive bankare, sigurimeve të hipotekave për kredi dhe sigurimeve për mjetet e marra në lizing të shtyhet për aq kohë sa do të jenë në fuqi masat e jashtëzakonshme ose vlefshmëria të afatizohet plus 3 muaj që nga koha e skadimit të tyre.
  9. Të shtyhen afatet e pagesave të të gjitha obligimeve ndaj koncesionerëve (vetëm ndërmarrjet e vogla dhe të mesme) shfrytëzues të koncesioneve për burime minerale, kur kocedent janë organet shtetërore, qeveria dhe organet e qeverisjes lokale, të cilat arrijnë për pagesë deri më 30 qershor 2020, dhe ato obligime të shtyhen për afat pagese deri më 30 dhjetor 2020. Ndërkaq ata koncesionerë që kanë vullnet t’i kryejnë këto obligime në afatet e parapara pa shtyrje, vlera e obligimit të ulet për 25% .
  10. Të shtyhen afatet e pagesave të të gjitha obligimeve të koncesionerëve (vetëm ndërmarrjet e vogla dhe të mesme) shfrytëzues te koncesioneve për burime turistike (ujëra termalë, banja mjekuese, plazhe) kur kocedent janë organet shtetërore, qeveria, organet e qeverisjes lokale, të cilat arrijnë për pagesë deri më 30 qershor 2020 dhe ato obligime të ulen për 30% dhe obligimet të shtyhen për pagesë deri më 30 dhjetor 2020v. Ndërkaq ata koncesionerë që i kryejnë këto obligime në afatet e parapara pa shtyrje, vlera e obligimet të ulet për 50%.
  11. Mbulimi i pjesshëm (40%) i harxhimeve të bëra (të dëshmuara me pagesë të realizuar për fatura, kontrata etj.) nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si rezultat i pjesëmarrjes së paraparë dhe të organizuar në panairet ndërkombëtare ose në ndonjë aktivitet tjetër ndërkombëtar, të cilat organizatori i ka anuluar për shkak të masave mbrojtëse që nga data e shpalljes së pandemisë nga OBSH.
  12. Mbulimi i pjesshëm (40%) i harxhimeve të bëra (të dëshmuara me pagesë të realizuar për fatura, kontrata, etj) nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si rezultat i pjesëmarrjes së paraparë dhe të organizuar në panairet turistike, manifestimet kulturore, arsimore dhe botuese ndërkombëtare dhe vendore, të cilat organizatori i ka anuluar për shkak të masave mbrojtëse që nga data e shpalljes së pandemisë nga OBSH.
  13. Paga të plota për personelin mjekësor dhe teknik të punësuar në sektorin privat shëndetësorë, që kanë rezultuar pozitiv me Covid 19, të mbulohen nga buxheti i RMV-së.
  14. Dealokimin e mjeteve financiare nga gjitha ministritë të parapara për financimin e plotë ose të pjesshëm të të gjitha aktiviteteve dhe manifestimeve nga fushëveprimi i tyre, që kanë qenë të parapara të organizohen dhe realizohen në orarin nga 15 marsi 2020 e deri më 15 qershorë 2020 dhe që për shkak të masave të jashtëzakonshme nuk kanë mundur të realizohen.
  15. Pasi që EVN-ja arsyetohet se teknikisht nuk është e realizueshme tarifa e ulët tërëditore, atëherë propozojmë që çmimi i rrymës elektrike të ulet për 20% për muajt prill dhe maj 2020.
  16. Ndihma njëhershme për çdo të moshuar mbi 65 vjeç në vlerë prej 1.500,00 denarësh, që do t’i mbulonte rritjen e kostos (harxhimet plotësuese, angazhim taksie dhe shërbimeve të tjera) për sigurimin e barnave dhe ushqimeve, kjo për shkak nevojave të veçanta që i ka kjo grupmoshë. (215.000 shtetas x 1500 den = 322.500.000 den ose 5.234.902€).
  17. Shlyerja e obligimit të pagesës për çerdhet e fëmijëve për muajt e plotë prill dhe maj 2020. (35.500 fëmijë x 1200 den (mesatare) = 42.600.000 den x 2 muaj =85.200.000 den ose 1.385.365€).
  18. Subvencionimi nga qeveria deri më 40% të vlerës për qira të objekteve afariste për muajt prill dhe maj 2020 në rastet kur qiradhënësit janë persona fizikë ose ndërmarrje private dhe atyre t’u sugjerohet që qiramarrësve pagesa t’u minusohet në këste deri më 31 dhjetor 2020 (lartësia e qirasë caktohet nga fletëparaqitjet e fundit e dorëzuar DAP).
  19. Mbulimi i harxhimeve post- mortore të familjarëve të viktimave nga COVID-19 në vlerë prej 30.000,00 mkd. ( deri sot 65 raste x 30.000 den = 1.950.000 den ose 31.700€ ).
  20. Stimulim për shfrytëzimin e produkteve vendore. Kërkojmë nga qeveria që të fillojë një fushatë promovuese për blerjen dhe përdorimin e produkteve të prodhuara nga kompani vendore. Stimulimi i blerjes së produkteve vendore përveç propagandave promovuese të realizohet edhe përmes projektit të kthimit të TVSH – së që zbatohen nga qeveria, por kthimi i TVSH – së në këtë rast të vlejë vetëm për produkte të blera vendore. Kjo do të rriste konsumin e produkteve vendore dhe do të ndikonte pozitivisht te prodhuesit vendorë që të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese.
  21. Qeveria të bëjë presion te bankat që për këstet e kredive të prolonguara bankat komerciale të heqin dorë 50% prej të interesit të tyre.
  22. Ndërmarrjet që nuk mund të zhvillojnë aktivitete afariste ose që funksionojnë shumë vështirë të përjashtohen pjesërisht ose plotësisht nga detyrimet e tyre tatimore për muajin maj, qershorë dhe korrik, përkatësisht nga pagesa e tatimit në fitim, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributet.
  23. Të shtyhet pagesa e TVSH – së deri në pagesën e faturave të lëshuara.
  24. Inkuadrimi i shtetit përmes Agro bursës në blerjen e të gjitha tepricave të tregut të produkteve të herëshme bujqësore, përfshirë edhe prodhimet tepricë të qumështit nga fermerët me qëllim të plasmanit të mëtutjeshëm të tyre nëpër harxhuesit vendorë (institucioneve shtetërore, mezave të ndërmarrjeve,hoteleve të adaptuara për karantinë etj), si dhe përmes ofertës jashtë vendit si mënyrë e pagesave në formë kompensimi apo edhe donacioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button