ShBA përmes USAID i ndau RMV-së 330,000 dollarë shtesë për t’u përballur me COVID-19

Shtetet e Bashkuara, përmes Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), angazhohen me një shumë shtesë prej 330,000 dollarë në përpjekje të përgjigjes së COVID-19 në Maqedoninë e Veriut përmes një granti të drejtpërdrejtë për Kryqin e Kuq të Maqedonisë së Veriut.

Granti i USAID-it prej 330,000 dollarë për Kryqin e Kuq bazohet në angazhimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara prej 1.1 milion dollarë për Maqedoninë e Veriut në lehtësimin e parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Granti do të ndihmojë disa nga segmentet më të prekura të shoqërisë, jeta e përditshme e të cilëve është ndryshuar nga virusi, përfshirë të moshuarit, ata me aftësi të kufizuara, familjet me një prind dhe familjet me të ardhura të ulëta, si dhe ata që jetojnë në lagje të ngushta. Kryqi i Kuq do të shpërndajë 4,200 pako ushqimore, 4,200 pako me pajisje higjienike, 3,000 pako me mjete dezinfektimi dhe 1.000 pako për fëmijë gjatë tre muajve të ardhshëm.

USAID-i gjithashtu do të ndihmojë Kryqin e Kuq për të rritur shtrirjen e shërbimeve shoqërore dhe të shëndetit mendor, që janë të disponueshme për të gjithë  publikun. Kryqi i Kuq do të trajnojë vullnetarë në secilin prej 33 departamenteve të tij lokal për të ndihmuar këdo që po merret me stresin ose sfidat e tjera shoqërore gjatë kësaj kohe sfiduese.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara, jam e nderuar që mund të jemi partnerë me Kryqin e Kuq për të siguruar ndihmë të fortë për grupet e cenueshme të prekura nga COVID-19,” tha ambasadorja e SHBA-së Kate Marie Byrnes. “Këto përpjekje të Kryqit të Kuq paraqesin ’solidaritet në maksimum’, siç tha Presidenti Pendarovski javën e kaluar. Jam e ngazëllyer që Shtetet e Bashkuara mund të qëndrojnë në solidaritet me Kryqin e Kuq dhe të tjerët, pasi ata në mënyrë kolektive përgjigjen ndaj COVID-19 ”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq Sait Saiti përshëndeti këtë partneritet të ri me USAID-in, për të mbështetur punën e rëndësishme që vullnetarët e saj e bëjnë, duke iu përgjigjur COVID-19. “Me ndihmën e USAID-it, ne do të forcojmë mbështetjen tonë për vullnetarët duke u ofruar shërbime psiko-sociale dhe mbrojtje të shtuar nga ekspozimi ndaj virusit,” komentoi ai. “Po aq e rëndësishme për ne dhe vullnetarët tanë do të jenë programet e zgjeruara psikosociale për qytetarët dhe ndihmën e ushqimit dhe higjenës për anëtarët e komunitetit që humbën vendet e punës si rezultat i krizës ekonomike, të shkaktuar nga COVID-19, si dhe ato që varen nga ndihma financiare, personat me nevoja të veçanta, prindërit e vetëm, njerëzit e moshuar dhe të dobët, si dhe të pastrehët. Kryqi i Kuq do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale që të identifikojë dhe të arrijë tek ata që kanë më shumë nevojë në këtë kohë”.

Gjatë 20 viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë investuar gjithsej më shumë se 738 milion dollarë në ndihmë për Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë afro 11.5 milion dollarë në ndihmë shëndetësore.

Për dekada, Shtetet e Bashkuara kanë qenë ofruesi më i madh në botë i ndihmës bilaterale në shëndetin publik.

Që nga viti 2009, taksapaguesit amerikanë kanë financuar bujarisht më shumë se 100 miliardë dollarë ndihmë shëndetësore dhe afro 70 miliardë dollarë ndihmë humanitare.

Për shkak se një kërcënim i sëmundjes infektive diku tjetër mund të bëhet një kërcënim kudo në botë, Shtetet e Bashkuara u bën thirrje donatorëve të tjerë të kontribuojnë në përpjekjet globale për të luftuar COVID-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button