Ramazani, muaj i edukimit dhe ndryshimit

“O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”(El Bekare, 183)

Ramazani është muaji i zgjedhur dhe i bekuar. Ky është muaji i agjërimit, ibadetit, bekimit të Allahut, amnistisë dhe faljes. Në këtë muaj, Allahu xh.sh. njerëzve u ka dhuruar begatinë dhe mëshirën më të madhe.
Në këtë muaj filloi shpallja e Kuranit: “…që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra)…”. Pikërisht për shkak të kësaj ngjarje të madhe, për shkak të shpalljes së librit të fundit të Allahut xh.sh. që shënon fillimin e një epoke të re në historinë e njerëzimit, muaji Ramazan për këtë ka rëndësi dhe vlerë të madhe. Në këtë muaj Allahu xh.sh. e ndan mëshirën e Tij dhe ua falë njerëzve. Kuptohet ua falë atyre që kërkojnë falje dhe i mbulon me mëshirën e Tij ata që përpiqen për të.
Një prej begative të muajit të Ramazanit është agjërimi. Agjërimi është ibadet kulmor me të cilin besimtari e shpreh imanin e tij dhe mundohet të meritojë mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut. Agjërimi nuk është përmbajtja e thjeshtë nga të ngrënit dhe pirja, por është angazhim i tërë qenies së njeriut. Sytë nuk shikojnë atë që është haram, veshët nuk dëgjojnë të folurit e përbuzur, duart nuk shtrihen drejt haramit. Mendimet janë të drejtuara në madhërimin e Allahut xh.sh. dhe të medituarit në precizitetin dhe përkryeshmërinë e krijimeve të Tij. Gjuha i thurë falënderime të Gjithëmëshirshmit për të mirat e Tij me anë të dhikrit, duave dhe leximit të Kuranit, duke hequr dorë prej ushqimit dhe pijeve myslimani forcon vullnetin dhe durimin e tij në vështirësitë e jetës. Njëkohësisht ndjen keqardhje dhe solidarizohet me njerëzit të cilëve u janë cunguar ato mirësi. Shkurt, Ramazani është muaji i agjërimit dhe ibadetit, fitore e shpirtit mbi dëshirat e trupit. Ai është rast i mrekullueshëm që çdo besimtar dhe besimtare, që duke përforcuar shpirtëroren, të fitojnë elan dhe fuqi të re, dhe kështu e lehtësojnë rrugën dhe vështirësitë e tij në këtë dynja.

Agjërimi, ibadet shumëdimensional
Muaji i bekuar i Ramazanit dhe agjërimi në këtë muaj paraqet një nga ritualet dhe ibadetet më madhështore islame.

Ky ibadet-adhurim, gjegjësisht agjërimi, jo vetëm që është rehabilitim dhe shërim për trupin, por është rehabilitim dhe shërim edhe për shpirtin e myslimanit dhe rrethin ku jeton ai, i cili pikërisht në urinë që e karakterizon juridikisht agjërimin, i ushqen ndjenjat, dëshirat dhe pretendimet e veta për ngritje kah piedestalet më të larta dhe kah përsosmëria. Në këtë muaj besimtari me agjërim bën humanizimin e shpirtit të vet, dhe si të thuash në një mënyrë paraqitet në shoqëri si personalitet i ri i cili ka bërë ndryshime rrënjësore. Ai është më i kujdesshëm në fjalët dhe veprimet e veta, është më i ndjeshëm dhe interesohet më tepër për vëllezërit e tij të afërt dhe hallexhinj, forcohen lidhjet, shuhen zënkat dhe konfliktet në shoqëri, sepse Ramazani dhe hidhërimi nuk kanë asgjë të përbashkët. Rëndësinë dhe vlerën e institucionit të agjërimit njeriu nuk është në gjendje që plotësisht ta kuptojë. Rëndësia dhe vlera e këtij ibadeti qëndron në atë se Allahu xh.sh. për agjëruesin ka përgatitur shpërblim të veçantë. Ebu Hurejre r.a. transmeton një hadith të Muhamedit s.a.v.s. në të cilin thuhet: “ Allahu i Lartësuar ka thënë: Çdo vepër e njeriut i takon atij, përveç agjërimit, ai më takon Mua dhe Unë për të shpërblej (posaçërisht) !”
Me agjërim, para se gjithash, vërehet dorëzimi i plotë tek Allahu dhe robërimi i plotë vetëm Atij. Agjërimi, të cilin Allahu xh.sh. ua ka bërë myslimanëve detyrë obligative (farz), çliron njeriun nga kthetrat e epsheve dhe nga burgu i trupit, duke e ofruar atë drejt botës së melaqeve dhe të lartësive shpirtërore.

Njeriut kur t’i shtohen begatitë, më pak i ndjen ato, dhe pasi që i humb ato, ai fillon t’i vlerësojë dhe t’i kuptojë drejtë. Nëpërmjet agjërimit njihet vlera e të mirave të Allahut të cilat na janë dhënë nëpërmjet ushqimit dhe pijes.
Agjërimi posaçërisht forcon vullnetin dhe edukon agjëruesin në durueshmëri. Agjëruesi qëndron i uritur, ndërsa para tij qëndron ushqimi i cili e provokon, duron etjen, ndërsa afër duarve të tij qëndron uji i ftohtë, duron të mos i afrohet gruas së tij, ndërsa atë e ka afër… Në këto gjëra nuk ka kontrollues më të mirë se sa Allahu xh.sh., e as që ka dëshmi kundër vetëdijes së tij, derisa atë asgjë nuk e përkrahë, përveç vullnetit të tij të bindjes dhe vetëdijes. Ebu Hurejre r.a. transmeton se Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: “ Për çdo gjë jepet zeqati. Zeqati i trupit është agjërimi, ndërsa agjërimi është gjysma e durimit”. Me agjërim besimtari i mund epshet e barkut dhe organeve tjera, kështu që me agjërim edhe arrihet gjysma e durimit.

Islami nuk është fe e dobësisë dhe nënshtrimit, por përkundrazi, fe e angazhimit (luftës) të pandërprerë. Kush nuk është në gjendje që t’i mposhtë (luftoj) epshet dhe veset e veta, atëherë është larg luftës me armikun. Nëse nuk je në gjendje të durosh urinë e një dite, atëherë si do ta përjetosh ndarjen nga familja ose atdheu me qëllim të arritjes së ndonjë qëllimi të lartë, me mundime dhe sakrifica të mëdha?! Në këtë kontekst, dijetari Muhamed Gazali thotë: “Islami e bëri të obligueshëm agjërimin me qëllim që njerëzit të stërviten për të zotëruar epshet e tyre, të mos u nënshtrohen por t’i kontrollojnë ato, që nga agimi gjerë në perëndim të diellit. Besimtarët e kanë të ndaluar t’u përgjigjen epsheve të tyre më të fuqishme. Atyre u këshillohet ta stërvitin vetveten me një përkoje të përkohshme si një mënyrë për të fituar një shpërblim të çmuar”.

Të agjërojmë edhe me gjuhë?
Gjuha ka një agjërim të veçantë, të cilën mund ta njohin vetëm ata që e kanë privuar atë nga fjalët e kota. Agjërimi i gjuhës duhet të jetë në çdo kohë, gjatë apo jashtë Ramazanit, por gjatë Ramazanit ajo edukohet dhe pastrohet. Është vërtetuar nga Pejgamberi s.a.v.s. t’i ketë thënë Muadhit r.a.: “Ndaloje këtë!” (duke i bërë me shenjë drejt gjuhës). Ndërsa Muadhi r.a. i kishte thënë: “ A do të merremi në pyetje edhe për atë që flasim, o i Dërguar i Allahut?” Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Mjerë nëna për ty, o Muadh! A do t’i hedh njerëzit në zjarr me fytyrat e tyre më shumë se sa ajo që kanë mbjellë gjuhët e tyre?”

Dëmi i gjuhës është shumë i madh dhe rreziku i saj mund të jetë shkatërrues. Ebu Bekri r.a. ishte ai që e kapte gjuhën e tij dhe qante dhe pastaj thoshte: “ Kjo (gjuha) do të më shkatërrojë.” Gjuha është sikur zjarri që djeg, gjarpri që kafshon dhe helmi që helmon. Nga Ibën Abasi është transmetuar se ai i drejtohej gjuhës së tij duke i thënë: “ Oj gjuhë, ose thuaj diçka të dobishme e shpërblehu, ose hesht nga e keqja e shpëto.”
Si mund të agjëroj ai që i ka dhënë liri gjuhës së tij?Ai që ka rënë viktimë e fjalës së tij? Që është mashtruar nga mendja e tij? Ai që ka gënjyer, ka përgojuar, ka mashtruar, ka sharë e ka fyer, si do të mund të agjëroj? Transmeton Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “ ka agjërues që nuk arrin asgjë prej agjërimit të tij përveç urisë…”. Sa prej agjëruesve dëmtojnë agjërimin e tyre me prishjen e gjuhës, me mendimet e këqija dhe me ndotjen e gojës. Assesi nuk është për qëllim uria dhe etja prej agjërimit, por për qëllim është të edukuarit dhe devotshmëria. Lum për ata që gjuhën e tyre e përdorin për të mirë, për të kujtuar, lavdëruar dhe madhëruar Allahun e Madhërishëm, dhe mjerë për ata që gjuhën e përdorin për të sharë, fyer, përgojuar dhe zbuluar të metat e të tjerëve.

Syri dhe veshi agjërojnë, po si?
Agjërimi i syrit është me ruajtjen e shikimit nga haramet dhe uljen e tij nga turpet. Në lidhje me këtë Allahu xh.sh. thotë: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit),… Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre,..” (En Nur, 30-31).
Syri është dritare për zemrën dhe derë për shpirtin. Shikimi i pa kontrolluar shkakton depozitimin e atyre pamjeve në kujtesë, pa marrë parasysh a janë të gjalla, fotografi në revista ose pamje që lëvizin në filma. Kush nuk e ulë dhe nuk e ruan shikimin e tij do të ballafaqohet me katër gjëra:
Depërtimi i gjurmëve të shigjetave helmuese, sëmundja e zemrës, humbja e qetësisë së mendjes, lodhja dhe pamundësia e arritjes së asaj gjithçka ke parë.

Edhe veshi-dëgjimi, agjëron, kur nuk dëgjon haramin, fjalën e kotë dhe të ndytë, nuk dëgjon sharjet dhe fyerjet. Të dëgjuarit është përgjegjësi nga Allahu xh.sh. për të cilën do të pyetet njeriu në ditën e gjykimit. E mjerë për ata që dëgjojnë atë që është e ndaluar dhe e privojnë dëgjimin e tyre nga ajo që është e mirë dhe e dobishme.
Të nderuar agjërues! Le të agjërojnë gjuhët, sytë dhe veshët tanë, ashtu siç agjëron stomaku nga të ushqyerit dhe nga pija, në mënyrë që të na qetësohen zemrat dhe të na pastrohen mendjet. Le të jetë ky muaj një shkollë edukative, bereqeti dhe gjurmët e së cilës do të vazhdojë deri në Ramazanin tjetër.

Në fund, e lusim Allahun xh.sh. të na i pranoj adhurimet gjatë këtij muaji; agjërimin, faljen e namazeve, lutjet, leximin e dëgjimin e Kuranit, sadakatul fitrin dhe të gjitha veprat tjera të mira.
(Isa Tershani , Dituria Islame nr. 330)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button