Himnizuesi i urrejtjes dhe krimit

Për elitën dominuese dhe për masat e gjera popullore ai është “bard kombëtar”. Për elitën e padëshirueshme ai është një i pacipë dhe shovinist i tërbuar.

Njihet si megafon i projektit për krijimin e Serbisë së Madhe dhe shpesh e përmend fjalën “gjak”.

Quhet Matija Beqkoviq. Është akademiku që u shfaq gjatë parakalimit të forcave ushtarake në Bosnjë dhe e himnizoi luftën kundër popujve të tjerë.

Ai është adhurues i tubimeve politike, dehet nga euforia e turmës së verbuar, dëshiron që të jetë idhulli i masës së gjerë popullore dhe të manipulojë me të. Ka një shkak. “Ai vetëm e bën atë që ia kanë kërkuar të tjerët”, ka thënë disidenti Jevrem Brkoviqi.

Për autorin e parullave nacionaliste: “Serbët janë popull qiellor”, “Kosova është fjala më e shtrenjtë” dhe “serbët në Kroaci janë pjesë të popullit të therur”, është thënë se ka qenë shërbëtor i shërbimit të fshehtë jugosllav.

Beqkoviqi i bëri jehonë kremtimit famëkeq në Gazimestan, ku në vitin 1989, në emër të shënimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës, u ripaketua projekti i vjetër shovinist.

Ai çirrej: “Kosova është Serbi dhe ky fakt nuk varet as nga nataliteti shqiptar, as nga mortaliteti serb. Atje ka aq gjak dhe shenjtëri serbe sa do të mbetet serbe edhe kur aty të mos ketë asnjë serb”. Dhe shtonte: “Kosova nuk mund të blihet pa gjak dhe as mund të shitet pa gjak”.

Ka shumë gjak në diskursin e të pangopurit me gjakun e huaj.

Në poezinë “Fusha e Kosovës” ai thotë: “Ma vjedhin kujtesën / Ma presin të kaluarën / M’i marrin shekujt / Kishat i bëjnë xhami… Më marrin atë / Që askujt nuk ja kam marrë… / Nuk më lënë të hyjë në shtëpi / Thonë se e kam shitur / Tokën që e kam blerë nga qielli…”

Ky është diskursi i këtij mitomani dhe i mitomanëve tjerë sikurse ai. Ky është diskursi i akademikut, i cili në vitin 1991, bashkë me akademikët tjerë serbë, e themeloi një “këshill kombëtar” që do t’i bashkonte “të gjithë shtetet serbe”. Kuptohet: me gjak.

Kjo logjikë është dominuese tek elita kulturore dhe politike serbe.

Shkrimtari Tomisllav Markoviqi thotë se Beqkoviqi asnjëherë nuk ka ekzistuar. Ai vetëm e ka sajuar veten. Ky “profet i urrejtjes dhe krimit”, sikurse e quan ai, është shkrimtari mediokër që e sajoi vetveten me ndihmën e kritikëve të rrejshëm letrarë, akademikëve të memorandumeve, shërbimeve publike dhe sekrete, mediave të korruptuara, shërbëtorëve të ideologjisë kriminale dhe elitës që u bazua në urrejtje dhe shovinizëm.

Beqkoviq, thotë ai, gjithnjë ishte ndryshe nga çfarë dëshiroi. Deshi që të bëhej poet, kurse u bë kopjuesi më i madh i nacionalizmit serb. Deshi që të quhej kundërshtar i pushtetit dhe u bë shërbëtori i një regjimi kriminal. Deshi që të njihej si shpirt i lirë, por u tregua i pashpirt dhe himnizues i kasapit të Ballkanit, madje tha se emri dhe mbiemri i këtij kasapi përmbante dy fjalët më të shtrenjta serbe –  “liria” (Sloboda) dhe “Milosh”. Deshi të dukej si njeri i parimeve, por i adhuroi pafundësisht paratë, jetën pa brenga, afërsinë me krerët e politikës, çmimet, titujt, nderet, vëmendjen e mediave. Deshi që të dukej si kundërshtar i revolucionit komunist, por i pëlqeu çmimet që iu dhanë. Deshi që të dukej si kundërshtar i regjimit socialist, por ky regjim i dha banesë, tituj e ndere për “shërbime speciale”. Ai nga jashtë duket si njeri, por nga brenda është kriminel dhe adhurues i vrasësve si Karaxhiqi dhe Mlladiqi.

Beqkoviqi përherë ka qenë pranë atyre që kishin pushtet. Ishte megafoni i Millosheviqit, i Karaxhiqit, i Koshtunicës, kurse tani edhe i mitropolitit Amfilohije.

Prodhuesi i parullave nuk është kurrfarë poeti, por është himnizues i urrejtjes dhe i krimit ndaj të tjerëve. Ata që i mohojnë krimet ndaj njerëzve të pafajshëm nuk janë tjetër veçse kriminelë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button