Dituria si “bumerang” në filozofinë jetësore

Është një dialektikë paksa paradoksale e ekzistencës së njeriut në të gjitha etapat zhvillimore të tij, kur dituria, si promotore e zhvillimit, në një stade të saj kulmore, i kthehet si bumerang. Dituria dhe mençuria janë dy kategori të ndryshme, të cilat nuk përputhen njëra me tjetrën. Në këto kategori hyn edhe inteligjenca, e cila, po ashtu nuk ka përputhshmëri të plotë me diturinë dhe mençurinë.

Ç’është, në të vërtetë, inteligjenca?

Sipas parametrave psikike-logjike, inteligjenca paraqet reagimin e drejtë dhe të shpejtë të personit në situata të ndryshme. Këtë aftësi të reagimit nuk e kanë të gjithë personat e ditur dhe të mençur. Bie fjala, ndodh njeriu i mençur të reagojë në situata të veçanta, të rënda dhe problematike në mënyrë të drejtë, të urtë dhe largpamëse, por me vonesë, në të shumtën e rasteve, “pasi të ikë treni”!

Me këto çështje psikike-logjike janë marrë shumë dijetarë, që nga antika e deri më sot. Edhe Sokrati, Platoni e Aristoteli dhe filozofia mesjetare që  karakterizohet pjesërisht nga rizbulimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i filozofisë klasike greke, po dhe ajo e Rilindjes, me Makiavelin, si dhe e modernizmit të hershëm, me Hobbes-in, Descartes-in, Locke-n, Spinoze-n dhe Leibniz-in, pastaj atyre të shek. XIX, Kanti-n, Fichte-n, Hegel-in dhe Schelling-un, si dhe të shek XX, si Bertrand Russell, i cili konsiderohet një ndër themeluesit e filozofisë analitike, si dhe Jean Paul SartreAlbert Camus, punimet e të cilëve në metafizikë sfiduan pikëpamjet e Niçes e të tjerë, të gjithë kanë tentuar të nxjerrin ndonjë definicion të thuktë e të saktë për diturinë dhe mençurinë.

Është thënie e njohur e filozofëve të vjetër se: “Sa më shumë që të dimë, aq më shumë kuptojmë se s’dimë gjë!”, që është një maksimë përafërsisht e saktë për diturinë. Është paksa absurde, po ashtu, thënia se “s’ekziston që një njeri të jetë më i ditur se një tjetër”, ndonëse këto krahasime bëhen në përditshmërinë tonë, me justifikimin se nëse një njeri ka një vëllim të madh njohurish, nuk i ka njohuritë që i ka tjetri dhe, ky tjetri, që ka shumë dituri, po ashtu nuk i ka ato që i ka i pari. Prej këtu del konkludimi se nuk ekziston tek njeriu dituri absolute.

Dituria absolute, kushtimisht thënë, ekziston në libra të shkruara, pra kjo është objektive dhe jo gjithaq subjektive. Sa më shumë që shtohet fondi i librave, aq më shumë rritet vëllimi i diturisë jashtë subjektit njerëzor. Sepse, në libra kemi miksimin e diturive në shkallë të ndryshme intelektuale dhe fushash të paletë të gjerë studimore-krijuese, të cilat dedikohen për konsumim. Thënë troç, ajo është një dituri e akumuluar ndër shekuj, e destinuar për konsumim, në të kundërtën do të ishte një dituri pasive, jo e gjallë dhe amorfe.

Njeriu, i pleksur me dituri, s’do të thotë se është i mençur, ngase mençuria është një kategori më e lartë e diturisë, ndërsa inteligjenca është dinamika e mençurisë. Edhe dituria subjektive mund të jetë pasive, nëse nuk transmetohet.

Dituria është e pleksur me karakterin e njeriut. Ndaj dhe çdo i ditur nuk vlerësohet njësoj. Kur plekset dituria me urtësinë, ajo dituri është më produktive dhe më reale, që rrallë po ndodh. Sepse, tek një kategori njerëzish ekziston edhe dituri e shtrembëruar ambicioze (regresive), por edhe dituri krijuese për përfitim njerëzor (progresive). Kemi njerëz me dituri gjeniale, por që në praktikë nuk shkon në shërbim të njerëzimit, madje edhe më keq, është në funksion të shkatërrimit të resurseve njerëzore, siç janë rastet e zbulimeve atomike, provave bërthamore, shkatërrimeve të ozonit, laboratorëve eksperimentuese, prej nga dalin viruse gjenocidale (Covid-19), ndërtimit të sistemit të antenave G-5 (aktualisht), me rrezatime të rrezikshme në ambiente biologjike, zhvillimit të robotizimt, si dhe futurizmave të tjera.

Me dituritë krijuese determinohen zbulimet epokale. Nga ato që u përmendën më sipër, që janë zbulime të mëdha, por që nga “matrapazët” shkencorë po keqpërdoren për përfitime dhe strategji të ndryshme dominimi, zbulimi epokal i energjisë elektrike nga Nikolla Teslla dhe zhvillimi i mëtejmë nga Edisoni, ka qenë dhe mbetet funksional, në dobi të njerëzimit, duke kontribuuar në zhvillimin e mëtejmë teknologjik dhe sjelljen e ndryshimeve revolucionare në jetën e njerëzve. Në këtë kontekst, janë edhe fluturimet kërkimore satelitore në hapësirën kozmike, për të zbuluar një përvojë të dobishme për njerëzimin.

Shkruan:
Ismail ARSLLANI

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button