Panairi i Librit planifikohet të shtyhet për vjeshtë, botuesit në krizë

Pandemia ia ka dhënë goditjen e parë industrisë së botimeve kur më 14 mars, bashkë me institucione e biznese, janë mbyllur të gjitha libraritë. Ato vazhdojnë të jenë të mbyllura deri në një vendim tjetër të Ministrisë së Shëndetësisë. Por ky nuk është halli i vetëm i shtëpive botuese në këtë kohë. Shoqata e Botuesve të Kosovës është duke e shqyrtuar mundësinë që të shtyhet edhe edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit në Prishtinë. Prej vitit 2011 kjo ngjarje mbahet në fillim të qershorit. Nëntë edicione u mbajtën në fund të majit. Historia e Panairit nisi më 1999, me edicionin e parë që u mbajt në nëntor. Sivjet për organizatorët del të jetë e pamundshme që në kohë pandemie të organizohet një ngjarje që mbledh mijëra qytetarë në një vend.

Shtyrja e edicionit të 22-të të Panairit shihet si goditja e radhës për shtëpitë botuese. Disa prej tyre edhe kanë bërë thirrje që shteti t’iu dalë në ndihmë. Botuesit edhe në rrethana normale vazhdimisht kanë thënë se kanë vështirësi financiare në veprimtarinë e tyre, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka thënë se në rrafshin teknik Panairi, sipas të gjitha gjasave do të shtyhet, sepse nuk mund të organizohen ngjarjet që kanë frekuentim të dhjetëra mijëra njerëzve.

“Megjithatë, po presim deri në fillim të majit për të parë masat që do të ndërmerren nga institucionet që në njëfarë forme na e qartëson edhe gjendjen. Hapi i parë që do ta ndërmarrim është ta shtyjmë për një kohë, me shpresën që do të piqen kushtet për një ngjarje të tillë gjatë muajve shtator ose tetor”, ka thënë Zeneli. Sipas tij, Panairi ka shërbyer si një infuzion i madh i botuesve dhe s’do mend që kjo situatë e re do të ndikojë negativisht në prurjen e botimeve.

“Do të kemi më pak botime dhe do ta vërejmë menjëherë. E njëjta gjë është duke ndodhur gjithandej nëpër botë. Planet për botime kanë filluar të shtyhen gjithkund. Libri dhe industria e librit preken menjëherë, sepse tashmë nuk i kemi as libraritë duke funksionuar”, ka thënë Zeneli. Ka shpjeguar se efekti shkon përtej botuesve. Ka thënë se do të ketë më pak punë për përkthyesit, redaktorët, lektorët e shtypshkronjat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button