Pas vështirësive vërtet vjen lehtësimi, por jo edhe te ne….

Shëndetësia dhe politika i bashkuan forcat kundër një armiku të përbashkët-virusit Korona, i cili e ndryshoi gjithe ritmin e jetës me të cilin ishim mësuar më herët, por edhe perceptimin për vlerat morale të njerëzve, që ishin të kapluar nga dinamika e shpejtë e punës dhe e politikëmarrjes dhe vartësia prej tyre.

Nuk thuhet kot se çdo e keqe e ka edhe një të mire. E mira e kësaj situate ishte se u pamë dhe u çmallem me familjarët, se u kufizuam me blerjet në atë të më se të nevojshmeve, por jo edhe të gjerave luksoze, pa te cilat e pamë se mund te jetohej. U pastrua edhe ajri nga ndotësit e përditshëm, që ia merrnin frymën edhe natyrës dhe gjithë globit, por na “pushuan edhe veshët” nga grindjet e përditshme të politikanëve me njeri tjetrin, që na trazonin jetën shpirtërore me gjykimet nga njëra ane megalomane dhe vetëlavdëruese, dhe nga ana tjetër me parashikimet pothuajse apokaliptike, falë gabimeve trashanike të palës në pushtet.

Por kjo tek ne në Ballkan, nuk mund të zgjaste gjatë kohe, sidomos tek “shqiptaret gjaknxehtë dhe dritëshkurter” të Kosovës. Neve nuk na ndal asgjë në rrugën drejt marrjes së pushtetit, pa të cilin nuk mund të rrijmë, dhe pa të cilin s’kemi ku të shkojme dhe çka të bejmë…!

Partizanët e pushtetit nuk flejnë edhe në situata të krizës shendetësore globale. Për ta, prioritet mbi prioritetin është të qendrojnë sa më gjatë në pushtet, sepse pas tij u duket se vjen kiameti…!
Nuk pritën as 100 ditët e Bontonit politik dhe e shfrytëzuan mungesën e pervojës institucionale dhe çastin e “pakujdesisë momentale” të kryeministrit Kurti, i cili po përballej me një vështirësi të madhe dhe të paparë deri tani, dhe hienat politike të së kaluarës te cilat e ndjenin se u vinte fundi, ia bënë atij në mënyrë djallëzore hilen dhe dallaveren e rradhës dhe e treguan fytyren e tyre të vërtetë.
S’ do mend se koalicionet e pasinqerta nuk e kanë jetën e gjatë, nëse nuk janë të ndërtuar në besim dhe respekt reciprok. Edhe një martesë apo një familje e ngushtë nuk mund të mbijetojë gjate në rrethana të tilla. Por, ekzistojnë edhe lloje të koalicioneve të ndërtuar në baza parimore dhe pragmatike me interesa dhe ambicje të përbashkëta, që i bashkojnë edhe grupet politike që në shikim të parë duken jashtëzakonisht antagoniste njëri me tjetrin.

Shikuar historikisht, LDK e Ibrahim Rugovës dhe PDK e Hashim Thaçit, ishin pas luftes kundështarë të gjakosur ndermjet veti. Por me kalimin e kohës, kur në skenë filloi të mbizoterontë pragmatizmi dhe utilitarizmi politik, keto forca sunduan së bashku gjatë kohë në Kosove, dhe madje dinin të gjenin gjuhë të përbashkët ndërmjet veti edhe në raport me Serbinë “armike”, me të cilen edhe nuk ishim shumë “armiqësorë”…!

Shikuar historikisht, shqiptari ka qenë dhe është tradicionalisht më pak armiqësor ndaj pjesëtarëve të kombeve të tjera se ndaj vëllezerve të tij të gjakut! Edhe politikisht, Ne shqiptaret kemi qenë më luftarakë ndaj njëri tjetrit se ndaj të tjerëve që na cënojnë edhe ekzistencën e kombit dhe shtetit!
U desht nje politikan shqiptar si Albin Kurti që t’i bashkonte të gjithë kundër tij, jo pse ai ua rrezikon shtetin, por vetëm pushtetin, gjë që dëshmon se Ne më shumë e duam pushtetin se sa shtetin, sepse Ne këto dy fjalë i kuptojmë si sinonime. Mjaton të jemi në pushtet, qoftë edhe në shtetin e tjetrit apo ta ndajmë atë sadopak me tjetrin, dhe ne jemi më shumë se të kenaqur…!

Keshtu ka qenë kaherë, edhe me turqit edhe me sllavët, pasi neve na ka mjaftuar vetëm të kemi qenë në pushtet dhe nuk kemi pasur kohë dhe durim për të ndërtuar shtet!

Tani kur kemi fatin të kemi dy shtete, në vend që t’i kultivojmë dhe ruajme ata si sytë e ballit, sidomos në situata kur të gjithë duhet të punojmë për ta konsoliduar atë, Ne gjejmë kohë që edhe në këtë kohë të pakohë të merremi me njëri tjetrin, t’ia ngulim thikën pas shpine njëri tjetrit, duke bere gara se kush eshtë më tolerant ndaj faktorit ndërkombëtar, edhe ndaj fqinjve.

Pikërisht në kohën e vështirësive dhe përballjeve të mëdha, kur duhej ta dëshmonim ekzistencën e kulturës sonë institucionale dhe shtetërore, Ne dështuam sërish, për fat të keq…!

Pa marrë parasysh se si do të zhvillohen ngjarjet, Ne do të mbetemi fatkeqësisht shembulli i vetëm “i keq” i ndërrimit të pushtetit në kohën e pandemisë dhe epidemisë më të rrezikshme në planet…
Pra, s’ka dyshim që jemi “tek mendje” për çdo gjë!

Prandaj të tjerët duket se kanë veshtiresi të na kuptojnë..!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button