Safet Neziri: Problemet me shkollat në Çair do të zgjidhen me ndihmën e Zotit

Ndryshimi i emrave të pesë shkollave fillore të Komunës Çair, vazhdon të mbetet çështje në ajër. Emrat e personaliteteve të shquara historike shqiptare mbeten vetëm në tabelat e shkollës, por jo edhe nëpër dokumentacione, pasi këtë akoma nuk e ka pranuar Ministria për Arsim dhe Shkencë.

Zëvendës ministri i arsimit, thotë se problemi i emrave është në mëshirë të Zotit.

‘Me Zotin para do të rregullohet edhe ajo çështje, është pyetje kohe. Domethënë po punojmë në këtë drejtim, nuk ka ndalesa që të rregullohet, por na lini kohë, edhe kjo çështje do të vie në rend dite dhe do ta rregullojmë atë punë. Neve nuk e kemi shkelë frenin se nuk do të punohet në atë drejtim se nuk do ta zgjidhim atë problem, por ju e dini fort mirë se edhe zyrtarisht nga informatat nga MASH ka mbi 270 kërkesa të natyrave të ndryshme, në mesin e tyre edhe të ndryshimit të emrave, do të thotë janë në pritje e sipër dhe besoj që shumë seriozisht jemi qasur në këtë drejtim dhe këto procese normale të rregullta besoj se do të zgjidhen’ tha Neziri.

Sa u përket dënimeve të cilat i ka caktuar Inspektorati shtetëror i arsimit për shkollat të cilat nuk kanë zhvilluar mësim me 28 nëntor, Neziri nuk dëshiron të komentojë.

‘Jemi në menaxhim të kësaj situate, nuk dua ta komentoj më tepër këtë pjesë, do të thotë njerëzit e kanë festuar 28 nëntorin ashtu siç e kanë festuar të gjithë të tjerët, edhe ne jemi në menaxhim të kësaj situate dhe nuk dua ta komentoj më tepër këtë pjesë’ tha Neziri.

Ndryshe, me vendim të njëanshëm të Komunës Çair Shkolla fillore “Cvetan Dimov” quhet “Hasan Prishtina”, shkolla “Rajko Zhinzifov “Ismail Qemali”, shkolla fillore “Jane Sandanski” – “Jashar Beu” dhe shkolla “Nikolla Vapcarov” quhet “Imri Elezi”, ndërsa në ditën e Pavarësisë shkolla fillore 7 Marsi u riemërua në Adem Jashari./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button