Partitë politike: E para është shëndeti i qytetarëve, pastaj veprimet politike, për zgjedhje

Partitë politike në pushtet dhe opozitë në Maqedoninë e Veriut u deklaruan, në mars të këtij viti, për nevojën për shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të parapara që të mbahen më 12 prill. Shtyrja e kësaj date u kërkua për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme me koronavirusin që ka përfshirë edhe këtë vend, shkruan Portalb.mk.

Mënjanimi i zgjedhjeve, për një kohë më të përshtatshme dhe caktimi i datës së re pritet të vendoset në takimin e liderëve të partive politike dhe më pas të votohet nga kuvendi, që tashmë është i shpërndarë.

Mirëpo, të gjithë shpresojnë se do të vije dita, kur vendi do të del nga ngërçi i epidemisë (Kovid – 19) dhe çdo gjë do të vendoset në vendin e vet. Por, se sa shteti dhe partitë politike janë të gatshme që të ecin në zgjedhje, menjëherë pas heqjes së masave parandaluese që ka vendosur qeveria, për sigurimin e tyre dhe qytetarëve, për këtë flasin vetë partitë politike.

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se që herët i ka formalizuar listat e kandidatëve për deputetë. Ku edhe nxori një listë preliminare e kandidatëve për deputet, në të gjitha zonat, e përcaktuara, por gjendja e jashtëzakonshme në vend, për moment i ka përqendruar në shëndetin e qytetarëve dhe furnizimin e institucioneve, me mjete medicinale.

“Për ne prioritet absolut mbetet shëndeti publik dhe mposhtja e virusit që po mban peng normalitetin, ndërsa zgjedhjet nuk i kemi në konsideratë për momentin, për arsye se të gjitha përpjekjet tona janë të fokusuara në lehtësimin e vështirësive për qytetarët, qoftë si qeveri ose edhe si parti. Çdo ditë ndajmë paketa humanitare me ushqim dhe mjete higjienike për pajisjet në nevojë bashkë me mjete mbrojtëse nga virusi, përpiqemi të ndihmojmë ekonominë dhe ndërmarrjet. Data e zgjedhjeve megjithatë duhet të përcaktohet kur do të ketë kushte normale që qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre demokratik, pa droje. Ne jemi të përgatitur në çdo çast për zgjedhje, kur do qoftë që do të mbahen, e kemi programin të përfunduar. Program shumë voluminoze, përmbajtësore dhe modern dhe ambicioz, ndërsa aktivistët dhe degët janë gati, por së pari le ta mposhtim bashkërisht virusin”, tha për Portalb.mk, Artan Grubi, nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët
Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se me tejkalimin e situatës së jashtëzakonshme do të hapet bashkëbisedim për zgjedhje parlamentare, ku pritet nga ana e tyre që caktimi i datës së zgjedhjeve të bëhet me vendimmarrje me konsensus politik, siç ka ndodh paraprakisht. Ata janë në gatishmëri edhe për fitore, në këto zgjedhje.

“Pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, dhe rënies së numrit të të infektuarve me Kovid 19, si dhe pas vlerësimit të institucioneve përkatëse se situata po përmirësohet kuptohet se do të hapet menjëherë debati për zgjedhjet parlamentare. Shpresojmë që ricaktimi i datës për mbajtjen e tyre të sillet me konsensus politik mes partive politike, ashtu siç u vendos për datën e 12 Prillit. Si subjekt politik, edhe pse tani në radhë të parë e kemi shëndetin e qytetarëve, megjithatë jemi të përgatitur në çdo moment që të fillojmë me fushatën parazgjedhore kuptohet nëse krijohen kushte. Jemi të bindur  se domosdoshmëria për ndryshim edhe euforia e fitores se ASH bashke me partnerin e  koalicionit, Alternativa do të riaktualizohet tek votuesit shqiptar, sapo ta tejkalojmë pandeminë. Shtabet zgjedhore të ASH, dhe e gjithë struktura politike është në  gjendje gatishmërie, i presim zgjedhjet me bindje te thellë për ti fituar ato”, tha për Portalb, Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.

Elmedin Memishi
Elmedin Memishi

Nga Lëvizja Besa thonë se pritet të normalizohet gjendja me virusin Korona, që ka pushtuar vendin dhe se primare është jeta e njerëzve, dhe më pastaj pasojnë ndërveprimet politike.

“Ne shpresojmë se situata me pandeminë të normalizohet dhe konform rrethanave të krijuara të veprohet. Nuk mund të themi asgjë në këtë fazë pasi që rrethanat e krijuara me situatën shëndetësore imponojnë që veprimet politike të bëhen dytësore”, tha për Portalb, Elmedin Memishi nga Lëvizja Besa.

Analistët politik mendojnë se zgjedhjet duhet të ndodhin dhe atë menjëherë pas parandalimit të masave që ka ndërmarrë qeveria. Ata, për mediat në vend potencojnë se koha më e largët është muaji qershor.

“Me mbarimin e gjendjes së jashtëzakonshme mendoj se është e përcaktuar me ligj se në afat prej tre javësh, 21 ditësh, duhet të mbahen edhe zgjedhjet. Cila ishte data ideale? Tash ne kishim kundërshtime edhe me vetë shpërndarjen e Parlamentit, mendohej prej politikanëve, analistëve, se zgjedhjet duhej të mbahen në terminin e rregullt, por kishte kundërshtim prej politikanëve, së paku gjithë elita politike, gjithë partitë politike që bënin pjesë në Kuvend e vendosën që ato të jenë të parakohshme. Në këtë rast besoj se nëse nuk vazhdohet me gjendjen e jashtëzakonshme, ku objektivisht kemi paralajmërime edhe për zbutjen e masave ajo mund të ndodhë tre javë, pasi përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, që d.m.th. do të jenë nga fundi i qershorit.”, thotë analisti, Albert Musliu

Qeveria ka marrë masa rigoroze për parandalimin e virusit Korona, deri në normalizimin e gjendjes dhe të të sëmurëve. Në shtetin e Republikës së Maqedonisë thuajse janë ‘paralizuar’ të gjithë institucionet dhe kjo ka ndërprerë ndërmarrjen e masave, në çdo fushë të jetës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button