Sfidimi i lirisë dhe pavarësia individuale e qytetarisë 

Pas një mbarimi të një lidhje martesore politike të rëndë dhe jo të gjatë midis LVV dhe LDK, të shkohet në një aventurë tjetër të shpejtë apo të ngutshme me partner të ri, gjoja të përshtatshëm, vetëm për t’i treguar vetes se në këtë ç’kurorëzim që pata më parë jam më pak i fajshëm, disponimi edhe më shumë komplikohet. Pra një situatë e tillë lumturie nuk të entuziazmon aq sa duhet, sepse nuk mund as veten ta bindësh e lere më të tjerët që gjenden afër teje si spektator të pa anueshëm.  Te shqiptarët për çdo ndarje të ndodhur fajet i ka tjetri, kurse te popujt e civilizuar dhe autokritik thonë se fajet i kishim të dy palët se në këtë ndërmarrje ‘’dashurie’’ kishte diçka që nuk funksiononte si duhet. Tani nëse problemet e para përzihen me problemet e reja, atëherë nga rrethanat e krijuara nuk mund të shihet një ardhmëri intime e mirë dhe shpresëdhënëse. Pa u bërë i lumtur me veten nuk duhet të ngutesh për të lumturuar të tjerët. Edhe politika Kosovare vajti në këtë drejtim jo të lakmueshëm të ndarjes, sepse dy partnerët nuk gjetën gjuhë të përbashkët, siç kishin pretenduar mesitët dhe krushqit e të dy palëve.

Ka pasur shumë gjëra të mira dhe të mundshme për ta respektuar dhe nderuar një marrëveshje të tillë, e cila erdhi në skenë me shumë vështirësi e sakrificë, po qe se të dy palët, LVV dhe LDK, vëmendjen ta kishin orientuar kah fati i përbashkët, do të ishin me sukses.  Fatlum bëhet vetëm ai që nderon dhe respekton tjetrin. Çdo ndërhyrje tjetër jo funksionale, duke ia gjetur të metat partnerit nuk shkon gjurmëve të fatit të mirë. Teprimi për interesat personale është aq i theksuar dhe i madh ne Kosovë, saqë bëhet e pamundur të gjesh shteg  racional të arsyetimit. Kështu veproi edhe LDK me qëndrimin e saj të ngutshëm që solli mocionin e mosbesimit të kësaj qeverie. Grupi që mori këtë drejtim u mundua ta arsyetoj veten, por para elektoratit ky arsyetim nuk ka qenë aq i bindshëm dhe serioz. Sepse elektorati kishte votuar për një marrëveshje ‘’besimi ‘’ që do të sillte kthesa politike të reja dhe bindëse në ndryshimin e situatës dhe politikbërjes.

Qytetarët me vetëdije apo pa vetëdije votojnë kandidatin më të përshtatshëm, më të parapëlqyer, duke menduar se është vlerë e përgjithshme shoqërore, kryesisht për t’i mbrojtur interesat e tyre sublime brenda afatit të caktuar qeverisës. Madje elektorati vetëm me votën e tij të lirë (të popullit) tregon pjekurinë e vet se për cilin kandidat është përcaktuar, me bindjen e vet se do të ketë ndryshime në të mirë të shoqërisë. Tanimë, sot nuk merret njeri me interesat personale të individëve, pasi ka probleme të mëdha jetësore dhe ekonomike të veta. Ai lufton për çdo ditë se si ta siguroj bukën gojës së tij dhe të fëmijëve të vet. Nuk merret me lukset apo aventurat e politikanëve që janë vërsulur pa pikë turpi për të bindur njëri tjetrin për të bërë karriera standardesh individuale. Janë vardisur të bëjnë lloj lloj kombinimesh në dëm të votuesve të vetë, kjo është e pa pranueshme në etikën e shëndosh njerëzore. Qytetari është lodhur me këtë lojë shahu kombinues të partive të veta, kryesisht duke manipuluar me pionët politikë në interes të grupeve të caktuara që kanë pikësynim qëllimet e tyre karrieriste, dhe jo të vënë në spikamë interesin e përgjithshëm të popullatës së vet. Kështu gjatë garave në front të betejës nxjerrin para popullit figurën më të përshtatshme që ka autoritet e dije, posaçërisht për të shkuar me fitore përpara, kurse pas kalimit të kësaj lufte strategjike, popullatës, i dalin papandehur në skenë klanet manipuluese për t’i ndërruar ato potezat strategjike të lëvizjes së figurave sipas qëllimeve të tyre të fshehta. Kështu ndodhi në skenën politike edhe me LDK dhe Vjosa Osmanin, në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Për fat të keq apo të mirë kjo lojë politike solli edhe problemet më të mëdha në historinë e kësaj partie. U humbë drejtpeshimi strategjik i partisë më të vjetër dhe më të madhe në Kosovë. Një pjesë e madhe e qytetarëve mbet e zhgënjyer, nga mënyra se si u manifestua kjo lojë e keqe dhe joracionale e tyre dhe për shkak të pandemisë nuk ka mundësi kundërshtimi e ndëshkimi pragmatik, për ta arsyetuar votën dhe bindjen e vet nga kjo elitë politike që e ka e zhgënjyer me veprimet e saja politike. Tani është fakt i pa tjetërsueshëm se ndasia e votuesve që ka pritur risi dhe ndryshime rrënjësore të klasës politike, është e madhe, sepse ajo ka menduar gjatë kohë për ta ndryshuar politikën zhvatëse të deri më tanishme në Kosovë.

Atmosfera e polarizimeve flet shumë për politikën e brishtë dhe dalldisjes sonë, si qytetarë, se nuk paska sot gjë tjetër më të mirë e më të vlefshme në jetën tonë se sa të merresh me politikë. Por ja se gjërat të imponohen pa dashje dhe nuk mund të rrish rahat dhe duarkryq kur shkelet etika njerëzore dhe interesi kombëtarë i përgjithshëm. Tërë energjia e vlefshme na harxhohet në këtë drejtim amorf politik, mu për interesat e një grupi të caktuar që do të shërbejnë gjatë një mandati qeverisës. Shpresa e qytetarit nuk duhet të lidhet me këtë problem që aranzhon politika dhe interesat parciale të individëve, sepse ka shumë gjëra tjera që janë më të vlefshme dhe më të nevojshme se sa ky vulgaritet politik i njëanshëm. Politika e brishtë kosovare gjatë mocionit të mosbesimit bëri anashkalimin e dy figurave qenësore të frymës së re, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Ky veprim është i pa falshëm dhe mund të jetë gabim historik që mund të krijoj kriza të mëdha shoqërore dhe shkaqe të përmbysjes së rendit demokratik në vend. Këto dy figura të përgatitura mirë, me dije dhe me një bekgraund solid politik duhet të pranohen si vlera të mirëseardhura për të gjithë ne në këtë etapë kohore, që priten të ketë kthesa dhe ndryshime të mëdha. Sipas kësaj që shohim tani politika kosovare duhet të hyj në ondulim tërësor për ta ndërruar imazhin e saj të pamjes, se sa të mbetet me imazhin e saj të keq, saktë kështu siç duket tani, jo atraktive për opinionin e gjerë, e cila assesi nuk mund të konkurrojë me standardet e nivelizuara të konkurrencës së estradës politike perëndimore. Për të qenë bindës duhet të kesh dinjitet dhe të jesh i palëvizshëm në kërkesat tua në të mirë të Kosovës. Të tjerët nuk e çmojnë luhatshmërinë dhe dualizmin e shfaqur të politikanëve gjatë kërkesave të drejta dhe esenciale kombëtare të tyre. Kosovarët duhet mësojnë nga situata aktuale e politikës denigruese, sepse kjo politikë ka sjellë ndasi të mëdha midis vetes, pasi edhe nuk veprohet si trup i shëndosh në politikën e jashtme. Po të analizojmë me vëmendje të gjitha të arriturat dhe dështimet e deri më tanishme, do të vërejmë nivelin kulturor të klasës politike jo serioze. Më se 20 vite bëhet politikë për pushtet, por pa nivel e strategji të duhur para ndërkombëtarëve, duke treguar paaftësinë e tyre për të bërë shtet stabil.

Për çdo ditë dëgjojmë raporte të reja për epideminë që ka pllakosur globin dhe posaçërisht informacione kundërshtuese politike të shumta që sjellin dyshime dhe qasje konspirative të llojllojshme. Edhe mendimi i profesorit japonez të Fiziologjisë, Tasuku Hojno, i cili është edhe fitues i çmimit ‘’Nobel’’ nuk duhet të hidhet në harresë, kur thotë se “Covid-19 nuk ka ardhur nga kafshët dhe nuk është krijuar në mënyrë të natyrshme, por është krijuar nga Kina”. Çdo gjë sot duhet të merret me rezervë derisa nuk është e verifikuar e vërteta. Të gjitha këto lajme na ushqejnë për çdo ditë dhe sjellin ngarkesa njerëzore të panevojshme. Neve shqetësimin e kemi të dyfishuar.  Tani dikujt nga jashtë, në këto situata emergjente, nuk i bëhet vonë nëse sjellin edhe ndonjë konflikt të ri në Ballkan, ndoshta qëllimi i tyre është që në këtë pjesë të Evropës të ketë përherë rivalitete dhe të mos ketë paqe të qëndrueshme midis popujve. Popujt e Evropës nuk duan që në kontinentin e tyre të ketë destabilizim dhe konflikte të përhershme, sepse kjo drejtpërdrejtë ndikon në qetësinë dhe mbarëvajtjen e ekonomike dhe shtetërore të tyre. Ndryshimi i kufijve nuk është alternativë rehatie e asnjërit nga popujt e kësaj ane, por sukses i veçantë do të ishte thyerja e atyre kufijve politik që krijojnë pengesa dhe hapje normale për integrime kulturore dhe ekonomike. Dhe jo pazare të fëlliqtë dhe të pa ndershme të ndonjë politikani që përdorën brishtësinë e politikës së kësaj skaduar për qëllimet e veta politike. Me qindra qytetarë janë kundër këtyre marrëveshjeve që nuk sjellin paqe në këto anë. Prandaj edhe revolta e qytetarëve kosovar drejtuar kryesuesit të shtetit është e drejtë. Deri sa bëhen pazare humbje në kurriz të tyre. Ato me një letër të hapur nëpër rrjetin social Facebook, i janë drejtuar presidentit Thaçi, që të mos shkelet Kushtetuta dhe vullneti i popullit të 6 tetorit. Është pakënaqësi qytetare që nuk duhet të anashkalohet nga askush, nëse ia duan të mirën Kosovës. Nuk mund të tolerohen padrejtësitë deri në amshim. Çdo gjëje të keqe i vjen fundi njëherë.

Të ulëta janë deklarata e disa gazetarëve “joker” që manipulojnë me mendimin politik dhe pa fije ndërgjegje e turpi, janë duke luajtur ping-pong me ndjenjat e qytetarit. Këta “Spin doktorë” mediatik nisen nga standardi i vet i dijes dhe njohjeve të gjërave dhe nuk mendojnë fare në ndryshime të shëndosha dhe me perspektivë. Madje disa as që e përmendin fare përgjegjësinë, se Serbia duhet kërkoj falje për atë çka ka ndodhur në këto hapësira. Këta gazetarë gjoja të “ditur” në tavolinat e tyre të diskutimeve publike, i vënë edhe këto tri marrëveshjeve jo të logjikshme siç është 1. Gjykata speciale dhe zhbërja e saj, 2. Amnistinë në të dy vendet (“ ata thonë se pas 20 vjetëve s’ka pse të dënohen njerëzit”) dhe 3. Definimi i veriut të Kosovës. Por pikërisht këto tri gjëra vendimtare janë probleme të mëdha që sjellin konfrontimin, mosmarrëveshje dhe paqen në këtë ane e lënë të pa zgjidhur.

Pas gjithë këtyre shpëlarjeve mendore, të orientimit politik majtas djathtas, qytetarët duhet vet ta kuptojnë se çfarë demokracie u duhet dhe kujt duhet t’u jenë mirënjohës. Madje të shikojnë realisht se ku gjenden efektet shpresëdhënëse për të ardhmen e këtij qytetari. Gjithmonë duke pasur për bazë shkaqet dhe pasojat e deritashme qeverisëse. Tani të gjithë duan ta kuptojnë ndryshimin se si mund të duash diçka pa bërë reforma serioze në të gjitha sferat kulturore, politike dhe ekonomike standarde të jetës. Pa qenë transparent në politikbërje nuk mund të kalohet lehtë nga ky udhëkryq me shumë kahe e të papritura dhe të rezikshme. Dikush donë të vazhdoj forma e vjetër e politikës, kurse dikush tjetër kërkon të ndryshojë këtë formë jetese të trashëguar keq. Prandaj për të shkuar përpara kësaj shoqërie i duhet një vaksinë efikase për të ndryshuar gjendja e saj. Por si mund të ndryshoj gjendja e qytetarit kur brenda partive ekzistuese ende manovrojnë grupe interesi për manipulime të skajshme, në interes të individëve që kanë pikësynim edhe mëtej prezencën dhe zhvatjen e kësaj shoqërie. Me siguri ka individë që janë futur nëpër hipoteka ekonomie personale dhe tani manipulojnë me tregun ekonomik të paligjshëm. Kurse në anën tjetër reflektimi i politikës moderne duhet të mundësoj perspektivë të gjithëmbarshme të shoqërisë shqiptare, duke vënë para vetes besimin dhe dijen si norma edukate të lirisë së njeriut, e cila kryesisht duhet të mbizotërohet nga idetë, morali dhe toleranca e sublimuar në një shtet liberal dhe të mirëfilltë për të gjithë qytetarët. Njeriu në një shoqëri moderne nuk mund të trajtohet si lojnat e fëmijëve, t’i vendosësh apo grumbullosh si të duash, sepse çështja e lirisë është e lidhur ngushtë me pavarësinë individuale dhe me standardet e mirëfillta demokratike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button