Olimpiada do të anulohet nëse koronavirusi nuk vihet nën kontroll

Lojërat Olimpike Tokio 2020, që tashmë janë shtyrë për shkak të koronavirusit, do të anulohen, nëse pandemia nuk vihet nën kontroll vitin e ardhshëm, paralajmëroi kryetari i komitetit organizues, shkruan REL.

Lojërat, që kanë qenë të parapara të zhvillohen nga data 24 korrik deri më 9 gusht, janë shtyrë muajin e kaluar për një vit.

Kryetari i Tokio 2020, Yoshiro Mori, i tha të përditshmes japoneze Nikkan Sports, se Lojërat nuk mund të shtyhen përtej vitit 2021, nëse bota nuk e mposht pandeminë.

“Në atë rast, Lojërat anulohen”, tha Mori.

Shtyrja e Lojërave ka qenë e para në historinë 124-vjeçare të Olimpiadës moderne, megjithëse ato janë anuluar disa herë për shkak të luftës – përfshirë Lojërat e Tokios më 1940.

Në një tjetër zhvillim, kreu i Shoqatës Mjekësore të Japonisë, Yoshitake Yokokura, po ashtu tha se mbajtja e Lojërave do të ishte “jashtëzakonisht e vështirë” vitin e ardhshëm, nëse nuk ka vaksinë kundër koronavirusit.

“Shpresoj se vaksina dhe barnat do të zhvillohen sa më shpejt që është e mundur”, tha Yokokura në një konferencë për media në Tokio.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button